Shkoi të merrte vajzën e dhunuar, dhëndri e rreh edhe atë barbarisht

  • 19 November 2017 - 09:31
Shkoi të merrte vajzën e dhunuar, dhëndri e rreh edhe atë barbarisht

Shkoi të shpëtonte vajzën e tij nga dhuna e të shoqit, por dhunohet edhe vetë barbarisht nga dhëndri. Policia bëri të ditur se shtetasi Ismet Hoxha, 62 vjeç, banues në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, është dhunuar nga Halit Gjurra.

Shkak i sherrit është bërë dhuna e vazhdueshme e 32-vjeçarit nga qyteti i Bulqizës ndaj bashkëshortes së tij (vajzën e Hoxhës).

Gjendur para një situate ku së bijës i rrezikohej edhe jeta nga dhuna e deri kërcënimet, 62- vjeçari ka vendosur bashkë me të shoqen që të inkurajonin të bijën t’i jepte fund kësaj martese.

Ai është nisur dy ditë më parë drejt shtëpisë së vajzës së tij për ta marrë këtë të fundit në banesën e vajzërisë. Burime të Policisë së Bulqizës thanë se sapo ka mësuar lajmin se vjehrri ndodhej në shtëpinë e tij për të marrë me vete vajzën, 32-vjeçari Gjurra ka hyrë në banesë dhe ka debatuar ashpër me të.

Konflikti ka precipituar derisa ai ka nisur të dhunojë barbarisht edhe vjehrrin. Kanë qenë fqinjët që kanë dëgjuar britmat dhe zhurmën në shtëpinë e Gjurrës, të cilët u alarmuan dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.

Drejt lagjes “Minatori” nga ku ishte dhënë edhe sinjalizimi, janë nisur efektivë të Komisariatit dhe kanë ndalur konfliktin e nisur, si dhe kanë arrestuar shtetasin Halit Gjurra.

“Menjëherë është organizuar puna duke ndërhyrë në banesë ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë parandaluar konfliktin e mëtejshëm që po ndodhte, mes dy personave, duke arrestuar në flagrancë autorin”, bëri të ditur Policia. Është dokumentuar se Gjurra ka rrahur keq vjehrrin e tij Ismet Hoxha. 

 (Kosova Sot)