PDK në Mitrovicë: Familjarë të Agim Bahtirit po iu bëjë presion votuesve

  • 19 November 2017 - 12:44
PDK në Mitrovicë: Familjarë të Agim Bahtirit po iu bëjë presion votuesve

Dega e PDK-së në Mitrovicë përmes një komunikate për media ka thënë se AKR është duke u bërë presion votuesve lidhur me votën e tyre.

PDK ka sjellë disa shembuj, që sipas partisë janë lëvizje të dyshimta.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të PDK-së

Deri më tani informatat nga terreni tregojnë se qytetarët e Mitrovicës po dalin në vendvotime në mënyrë të dinjitetshme. Që procesi zgjedhor të vazhdoj kështu, kërkojmë nga organet kompetente që ta përcjellin gjendjen me syçeltësi, pasi që aktivistë të partisë sonë, vëzhgues e komisionerë kanë evidentuar lëvizje të dyshimta të aktivistëve të AKR-së, përfshirë familjarë të Agim Bahtirit, të cilët po bëjnë presion tek votuesit në qendra të ndryshme të votimit.

Rasti më eklatant është ai i Zv. Ministrit Besnik Beka, i afërm i Agim Bahtirit, i cili është futur pa autorizim në qendrën e votimit në shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, edhe pse dihet që qendra e tij e votimit nuk është në këtë shkollë. Sa për ilustrim të rasteve të dyshimta të presionit nga ana e aktivistëve të AKR-së, po ju sjellim disa shembuj të dokumentuar me foto: Bajram Kosovali, i afërt me Agim Bahtirin, po hyn nëpër qendra të votimit pa autorizim.

Disa persona me automjetin e tipit Taureg, ngjyrë hiri, me targat 01-717- HN po frekuentojnë të gjitha qendrat e votimit dhe si duket po sjellin materiale nga selia e AKR- së, gjë për të cilën tani morëm informacion se Policia e Kosovës ka vizituar zyret e AKR-së.

Një veturë tjetër e tipit Golf, me ngjyrë të zezë dhe targa 646-KS- 487 po frekuenton afër qendrave të votimit, si në Shipol, Trepçë, Gushavc e shumë qendra tjera. Pastaj vetura e tipit Toyota jep, me targa 02-221- AU, që vozitet nga shoferi i Agim Bahtirit po qarkullon afër qendrave të votimit. Gani Rama, Drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, aktivist i AKR-së po frekuenton qendrat e votimit në Mitrovicë. Jeton Ujkani, Drejtor dhe i afërm i Agim Bahtirit, me veturën e tipit Golf +, ngjyrë hiri, në vazhdimësi po i frekuenton qendrat e votimit.

 (Kosova Sot)