Ambasadori gjerman: Korrupsioni nuk luftohet me letra

  • 30 July 2015 - 08:06
Ambasadori gjerman: Korrupsioni nuk luftohet me letra

Ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësim mbi tentativat e politikës shqiptare për të mbyllur sa më shpejt reformën në drejtësi.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, gjatë një interviste televizive ka deklaruar dje se reforma në drejtësi është një proces i gjatë dhe që do të kërkojë kohë.

Sipas tij, korrupsioni nuk mundet që të luftohet vetëm duke bërë ndryshime ligjore, por kërkon vullnet dhe angazhime konkrete.  

Ambasadori ka folur dhe për deklaratat e fundit të kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë që reforma në drejtësi do të mbyllet brenda muajit shtator, duke thënë se ka mbetur i çuditur, pasi kjo reformë është shumë e rëndësishme dhe do të dojë shumë më tepër kohë, sipas tij.

“Unë çuditem kur lexoj shpesh se reforma e drejtësisë do të përmbyllet deri në vjeshtë dhe do të bëhet kërkesa për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE sikur të ishte kjo një gjë që mund të zgjidhej thjesht me një votim. Unë besoj se kjo është diçka pak më komplekse se kaq. Nëse do të bënim pyetjen se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë në këtë reformë të drejtësisë, atëherë do të thoshim se këtu kemi të bëjmë shumë më pak me perfeksionimin e ligjeve. Por këtu bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë”, tha ambasadori gjerman, duke ritheksuar se duhet të bëhet pastrimi i drejtësisë nga gjyqtarët e korruptuar.   

Ambasadori gjerman Helmut Hoffman ka deklaruar dje se ka mbetur i zhgënjyer nga politika shqiptare sa i përket çështjes së azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Ai u shpreh se edhe pse ky është një problem tepër shqetësues jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për shtete të tjera, politika shqiptare nuk reagon për të ndërgjegjësuar qytetarët që të mos shkelin rregullat e “Shengen”. Mesazhi i ambasadorit duket se u është drejtuar organeve kryesore përgjegjëse për marrjen e  masave konkrete.  

“Unë besoj se do të ishte diçka e mirë, nëse në Shqipëri do të zhvillohej një debat publik më intensiv për këtë fenomen. Për mendimin tim është shumë qetësi dhe duhej të flitej më shumë për këtë temë nga politika dhe t’u jepej njerëzve mesazhi i qartë: “Mos ikni në vendet e EU-së për të kërkuar azil! Kjo nuk do të funksionojë dhe e gjithë kjo do të ishte vetëm për të keqen tonë”, tha ai. Ambasadori deklaroi se nëse nuk merren masa dhe frenohet ky fenomen, Shqipëria rrezikon seriozisht rikthimin e regjimit të vizave.

Po ashtu ai bëri me dije se Gjermani tani do të ndjekë procedura të përshpejtuara dhe brenda katër javësh të gjithë azilkërkuesit do kthehen mbrapsht.

“Është i njohur fakti se ndër të tjera edhe me dëshirën e Gjermanisë u vu ky mekanizëm që në kushte të caktuara mund të pezullohet liberalizimi i vizave. Është e drejtë ajo çka thatë, se edhe në Gjermani po zhvillohet një debat i madh publik mbi këtë. Se çdo të sjellë ky debat, këtë nuk mund ta them dot sot, por çka mund të konstatojmë është vetëm se vendimet për këtë duhen marrë në nivel europian, në nivelin e Bashkimit Europian. Deri tani ka zgjatur shumë deri sa është marrë një vendim, por tani ne kemi marrë përsipër që këto raste qe vijnë nga Shqipëria dhe Kosova t’i përpunojmë shumë shpejt dhe pas 4 javësh t’i dërgojmë këta emigrantë mbrapsht në vendet e tyre”, tha ai, duke ripërsëritur apelin për marrjen e masave.