Gjysmanalfabetët "kapin" POZITAT E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE

  • 20 November 2017 - 07:53
Gjysmanalfabetët

KËRKOHET SPASTRIM I ASHPËR I TËRË SISTEMIT AKADEMIKO-JURIDIK 

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se një nga dështimet më të mëdha jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen, është dështimi i nxënies së dijes në bazë të diplomës që posedon, derisa sipas tyre në Kosovë ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme dhe e njëjta gjendje është edhe në mjekësi, në fakultete teknike, në ekonomi, deri te sistemi i masterit, pa bërë fjalë për doktoratë që ka dështuar tërësisht. Pra, ata thonë se kudo ka dështuar shkollimi adekuat me nevojat e vendit tonë dhe kjo është edhe në sistemin e drejtësisë, ku provimi i Jurisprudencës është tepër formal apo mbahet me njerëz të pakualifikuar. Andaj, kërkohet spastrim i ashpër i tërë sistemit të tillë dhe natyrisht edhe një qasje krejtësisht tjetër ndaj sistemit të arsimit. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a ka dështuar shkollimi juridik tërë- sisht në Kosovë, ngase ajo që shihet është veçse drejtësi e korruptuar dhe pazaresh, pra gjyqtarë e prokurorë që "trafikojnë" drejtësinë, derisa në anën tjetër ky sistem shkollor në Kosovë ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë gjysmanalfabet, e të cilët më pastaj përzgjidhen nëpër pozita të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për më keq një pjesë e tyre duke u bërë edhe vegla në duart e politikës dhe mafio-oligarkisë e nëntokës kosovare. 

Ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një ndër dështimet më të mëdha jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen, është dështimi i nxënies së dijes në bazë të diplomës që posedon. Sipas tij, në Kosovë ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme, derisa e njëjta gjendje është në mjekësi, në fakultete teknike, në ekonomi, deri te sistemi i masterit, pa bërë fjalë për doktoratë, që ka dështuar tërësisht. Tutje ai thotë se dështime kemi në shkollat e mesme dhe në ato fillore, ku vijnë nxënësit e diplomuar, por me njohuri të ulëta dhe ka raste kur as edhe një fjali të thjeshtë nuk dinë për të shkruar."Ne kemi ngelur edhe në krijimin e kuadrit profesional për profesionet e ndryshme. Nuk kemi automekanik të kualifikuar, elektricist, saldues etj. Kudo ka dështuar shkollimi adekuat me nevojat e vendit tonë. Kjo është edhe në sistemin e drejtësisë. Provimi i jurisprudencës është tepër formal apo mbahet me njerëz të pakualifikuar. Pra, kërkohet spastrim i ashpër i tërë sistemit të tillë dhe natyrisht edhe një qasje krejtësisht tjetër ndaj sistemit të arsimit. Me situatën e tashme, sidomos në arsimin e lartë, me përbërjen e Agjencisë së Akreditimit, me njerëzit e propozuar, gjendja do të keqësohet edhe më shumë. Edhe më tej do të vazhdohet me prodhimin e diplomave për njerëzit që lidhje nuk kanë me dijen në fushën që kanë diplomuar. Fakultetet do të shndërrohen edhe më shumë në qendra të diplomave. Kolegjet do të japin diploma. E doktorata sa të ekzistojnë Universiteti Evropian i Tiranës dhe ai i Shtulit do të kemi sa të duash dhe me bollëk. Sa do të vazhdojë kjo nuk e di, por e di se kështu e shkatërruam shoqërinë tonë për një kohë të gjatë dhe këtu është dëmi", u shpreh profesori universitar Muhamet Kelmendi. 

Notat e aftësitë nuk merren parasysh

Analisti Naim Miftari thotë se nëse do ta asimilosh një popull degradoja shkollimin dhe gjeneratat e ardhshme dalin gjysmanalfabetë e në vend të kuadrove kualitative prodhojnë kuadro kuantitative, ku studenti që ka njoftësi politike ose ka pasuri, edhe pse jo i aftë, e zë vendin e atij studenti që i ka notat maksimale, pra studentit me kualitet dhe me përgatitje të lartë. "Edhe punësimet bëhen në asi lloj mënyre, pa marrë parasysh notat dhe aftësitë tua, nëse nuk ke lidhje politike ose nëse nuk je i pasur për të paguar nuk mund punësohesh askund, në asnjë vend pune me rëndësi. E njëjta vlen sot për kuadrat e drejtësisë, ku pos ish- komunistëve që u punësuan në gjykata pas luftës u pranuan edhe një numër i madh i njerëzve në moshë të shtyrë dhe te "shkolluar" me alamet titujsh dhe diplomash, edhe pse në fakt janë analfabetë të lindur, prandaj është edhe sistemi i drejtësisë i tillë, sot i korruptuar dhe i mbushur me njerëz nga nëntoka politike dhe këta njerëz e kanë detyrën që t'i mbrojnë shefat e vet që i kanë shkolluar dhe i kanë punësuar ashtu", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, mendon se nuk ka dështuar shkollimi, por dështimi është i përbashkët, e ata që janë bartës të shkollimit ata janë edhe bartësit e sistemit gjyqë- sor."Të gjithë kryeprokurorët dhe kryegjyqtarët janë edhe profesorë, dështimi është i përbashkët, mjerim", spikati për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni. 

Drejtësi e korruptuar dhe pazaresh

Analisti Naim Kelmendi ka vlerë- suar se shkollimi juridik tërësisht ka dështuar në Kosovë, ngase, sipas tij, për afro 18 vjet, ajo që shihet është veçse drejtësi e korruptuar dhe pazaresh, pra gjyqtarë e prokurorë që "trafikojnë" drejtësinë, derisa në anën tjetër, sipas tij, ky sistem shkollor në Kosovë ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë gjysmanalfabetë, e të cilët më pastaj përzgjidhen nëpër pozita të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për më keq një pjesë e tyre duke u bërë edhe vegla në duart e politikës dhe mafio-oligarkisë e nëntokës kosovare."Ndërsa, fatkeqësisht, sa u përket kuadrove të reja mund të ketë pengesa dhe zvarritje nga më të ndryshmet, pasi "struktura mafiozepolitike e ka rrjetëzuar veprimin e vet kudo dhe me sa duket në drejtësi i ka vënë pikat strategjike për ta prolonguar sa më shumë veprimin e drejtë dhe të pavarur. Por duhet të shpresojmë se do të ketë organizata të ndryshme ndërkombëtare që janë duke u marrë me këtë çështje për të kualifikuar një gjeneratë tjetër, e cila duhet të jetë sa më larg ndikimeve politike dhe grupeve të interesit që e kanë kapur shtetin në të gjitha segmentet e qeverisjes. Përndryshe, në rrethanat e Kosovës, mbështetja politike zakonisht po bëhet për struktura të klaneve, andaj ajo logjikë dhe ato klane e kanë sjellë Kosovën dhe drejtësinë e saj në këtë gjendje ku ka rënë tani sistemi i drejtësisë", potencoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se përgatitja shkollore sa i përket përgatitjes së kuadrove për sistemin juridik është e shekullit të kaluar dhe nuk ka ndonjë risi tash, nuk përputhet absolutisht me kohën në të cilën jetojmë. "Ne sistemin e shkollimit e kemi të gabueshëm qysh prej klasës së parë deri në përfundim të fakulteteve dhe do të duhej të ishte një reformë e thellë sa i përket sistemit të shkollimit në përgjithësi, por për çështjen në fjalë do duhej që edhe fakultetet të reformoheshin dhe studentët të marrin njohuri, siç i marrin në shtetet e zhvilluara apo në shtetet demokratike, ku ka përgatitje shumë më cilësore për ata që në të ardhmen do të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi. 

(Kosova Sot)