Dimër i nxehtë nga Specialja, politikanët E INKRIMINUAR PO NA IZOLOJNË

  • 20 November 2017 - 10:25
Dimër i nxehtë nga Specialja, politikanët E INKRIMINUAR PO NA IZOLOJNË

IMAZHI I KOSOVËS BIE PËRTOKË NËSE BLIHEN GJYQTARËT E GJYKATËS SPECIALE NGA MAFIO-OLIGARKËT

Analistët politikë vlerësojnë se Kosova po rrezikon seriozisht që për shkak të politikanëve të dështuar të ftohë marrëdhëniet edhe me Brukselin, duke futur kështu vendin në izolim të plotë politik, gjersa pritet ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale. Ky rrezik shihet ngase kryetarja e Dhomave të Specializuara, apo siç njihen ndryshe si Gjykata Speciale, Katerina Trendafilova, do të vizitojë javën e ardhshme për herë të parë Kosovën dhe do të takohet edhe me zyrtarët kryesorë të Kosovës, e që kjo vizitë konsiderohet si një paralajmërim për një dimër të nxehtë për ata që do të akuzohen në Gjykatën Speciale. Tanimë është krijuar edhe bindja se me këtë fillim veprimi të Speciales do të bjerë imazhi, ashtu- kështu i dëmtuar i Kosovës edhe më poshtë, përderisa nuk përjashtohet as rreziku që edhe gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale, aty këtu, të "blihen" nga mafio-oligarkët dhe nëntoka kosovare e lidhur me politikan të nivelit të lartë në Kosovë, për të shpëtuar ndonjë kokë të madhe kriminale. Nuk ka të ndalur getoizimi i qytetarëve Politologu Gurakuq Kuçi pohon se Kosovës dëmet e saj më të mëdha karshi marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi dhe Brukselit në veçanti po i ndodhin në masë të madhe për fajin tonë, politikës sonë joserioze e të papërgjegjshme."Kjo sepse politika në Kosovë i ka shikuar vetëm interesat kruciale personale dhe hera- herës për të shpëtuar kanë bërë gabime të qëllimshme ndaj Kosovës. BE-ja për interesat e veta i ka shfrytëzuar këta autokratë e uzurpokratë që tani është bërë mjaft. Është bërë mjaft me stabilitet në dëm të demokracisë, me të korruptuar në vend të zhvillimit ekonomik dhe me koncesione në dëm të shtetit. Gjykata Speciale nuk është e mjaftueshme, nevojitet një gjykatë ndërkombëtare kundër korrupsionit për Ballkanin Perëndimor, propozim ky nga profesor Blerim Reka", theksoi Kuçi për "Kosova Sot". Ndryshe, një furi e dështimeve, sipas tij, po e pret Kosovën nga vetë politikanët e tanishëm të saj. Analisti Florim Zeqa pohon se me këtë klasë të politikanëve të dështuar në pushtet, përveçse imazhi i Kosovës është duke pësuar rënie të vazhdueshme, madje nuk ka të ndalur as getoizimi i qytetarëve dhe izolimi politik i vendit tonë."E gjithë kjo vjen si pasojë e një diplomacie të papërgatitur, naive dhe jopragmatike. Liderët shtetërorë në takimet ndërkombëtare duhet të tregohen tepër të kujdesshëm në raport me zyrtarët e vendeve të BEsë, që gjuhën politike të cilën e përdorin në vendin e tyre (Kosovë) assesi të mos e bartin në kancelaritë e vendeve europerëndimore. Ngase kështu rrezikohet ftohja e marrëdhënieve me Brukselin, gjegjësisht me familjen e madhe të vendeve të BE-së, ku Kosova aspiron të aderojë një ditë. Paralajmërimi i vizitës javën e ardhshme të kryetares së Dhomave të Specializuara apo siç njihen ndryshe si Gjykata Speciale, Katerina Trendafilova, e cila për herë të parë do ta vizitojë Kosovën, me ç'rast pritet të takohet edhe me zyrtarët kryesorë të Kosovës, është një paralajmërim për një dimër të nxehtë për ata që do të akuzohen në Gjykatën Speciale", është shprehur analisti Zeqa për "Kosova Sot". Ai shton se meqenëse Kosova tashmë ndodhet para një akti të kryer (me fajin e politikanëve të saj), do të ishte me interes për vendin menaxhimi me kujdes i kësaj situate, pasi ka rrezik që imazhi i dëmtuar i Kosovës të bie edhe më poshtë nga "blerja" e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale nga mafio-oligarkët dhe nëntoka kosovare e lidhur me politikanë të nivelit të lartë në Kosovë."Ngase më shumë sesa dënimi i ndonjë individi, ka rendësi imazhi i Kosovës në fund të procesit të Gjykatës Speciale, respektivisht ruajtja e imazhit të luftës çlirimtare, ruajtja e stabilitetit të brendshëm politik në njërën anë dhe ruajtja e raporteve me miqtë ndërkombëtarë për arsye sigurie dhe integrimi të vendit tonë drejt BE-së dhe integrimeve të tjera euroatlantike", theksoi analisti Florim Zeqa.

Burjani: Gabimet politike duket se po ndodhin edhe me Brukselin

Blerim Burjani thotë se kjo klasë politike është e dështuar dhe është shumë naive në kuptimin e politikës, prandaj tashmë po ndodh që këto parti në pushtet po vuajnë prej një histerie e mosdijes."Dështimet janë vërejtur, por tash janë edhe pasojat: si fusnota, mosgatishmëria të luftohet krimi i organizuar, as edhe dyshimet e tjera. Kosova është dashur të ketë së paku një gjykatë të këtij lloji, që me qëllim iu themelua Kosovës për të verifikuar thëniet e Dick Martit dhe rezolutës së nxjerrë për themelim të Gjykatës Speciale. Që në atë kohë, pas atij raporti të Dick Martit, vetë institucionet e Kosovës do të duhej të themelonin diçka të tillë, duke iu shmangur problemeve që tash në këtë kohë do të mund të ndodhin. Tashmë përfundimisht do të fillojë puna e Gjykatës Speciale, ku do të bëhet çdo përpjekje të vërtetohen tregimet fantastike të raportit të Dick Martit për trafikim me qenie njerëzore", është shprehur analisti Blerim Burjani. Sipas tij, gabimet politike po ndodhin duket edhe me Brukselin. "Dihet që nga Kuvendi i është dhënë mandat BE-së për dialog teknik, andaj politika duhet të jetë e baraspeshuar edhe me involvimin edhe të SHBA-së në dialog aktiv", theksoi Blerim Burjani. Analisti Hidajet Ahmeti thotë se duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një gjykatë që në substancë është diskriminuese, pasi që është i dedikuar për krimet e supozuara të luftës çlirimtare të UCK-së, ndonëse sipas tij vetë miratimi i këtij ligji lëkundi në themel kredibilitetin e institucioneve të Kosovës, duke i dhënë një imazh jo të hijshëm shtetësisë në konsolidim dhe të njëjtën kohë duke njollosur vlerat e UÇK-së si një ushtri që në objektiv kishte luftën e drejtë e çlirimtare për liri dhe pavarësi."Gjykoj se me funksionalizimin e Gjykatës Speciale do të këtë një tronditje në skenën politike kosovare, por besoj se ngritja e akuzave do të fillojë nga bishti, duke filluar me njerëzit që kanë më pak ndikim në skenën politike kosovare. Edhe nëse në sirtarët e kësaj gjykate janë dosjet e njerëzve me ndikim në skenën politike kosovare, Gjykata Speciale nuk do ta ketë guximin që të fillojë nga ata, pasi që mund të rriten tensionet në opinion publik, që potencialisht mund të shkaktojnë destabilitet brenda shtetësisë së brishtë të Kosovës", theksoi analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)