Prishtina dhe Prizreni presin epilogun e votave me kusht

  • 20 November 2017 - 07:40
Prishtina dhe Prizreni presin epilogun e votave me kusht

PËR REZULTATET PËRFUNDIMTARE PËR BALOTAZH DUHET PRITUR EDHE NUMËRIMI I VOTAVE ME KUSHT 

Numri i votave me kusht dhe me postë në Prishtinë është mbi 1500 vota, ndërsa në Prizren mbi 1000 vota me kusht

Zgjedhjet për balotazh të dielën, në 20 komuna të Kosovës, kanë sjellë mjaft befasi. Rezultatet e përfunduara preliminare nga ana e KQZ-së tregojnë se komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit mund të ndryshojnë rezultatin, edhe pse në Prishtinë kandidati i VV-së, Shpend Ahmeti, ka fituar ndaj Arban Abrashit me një diferencë të vogël votash, prej rreth 307 sish. Gjersa Ahmeti ka festuar në mbrëmje në Prishtinë, duke e shpallur të konfirmuar zgjedhjen, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të jenë fitues në Komunën e Prishtinës duke llogaritur në votat me kusht dhe ato me postë. Sipas deputetit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, Shpend Ahmeti i VV-së ka marrë vetëm 188 vota më shumë se kandidati i kësaj partie, Arban Abrashi. Por, sipas Abdixhikut, janë edhe 1500 vota me kusht, të cilat ata janë të sigurt se do të nxjerrin fitues Abrashin. Sipas deputetit në të kaluarën votat me kusht gjithmonë kanë shkuar në favor të LDK-së. Befasi e zgjedhjeve është VV-ja në Prizren, ku kandidati i saj, Mytaher Haskuka, ka fituar për ta drejtuar Prizrenin me një diferencë të vogël të votave kundrejt kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj. Votat me kusht dhe ato me postë mund të ndryshojnë rezultatin për njërin apo kandidatin tjetër. VV-ja ka fituar edhe Kamenicën, ku kandidati i kësaj partie, Qëndron Kastrati, ka mundur kandidatin e LDKsë, Shaip Surduli. AAK-ja ka dalë fituese e zgjedhjeve në disa komuna, që gjithashtu është befasia e zgjedhjeve. Në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Komunën e Suharekës fitues ka dalë me 52,57 për qind Bali Muharremaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kundrejt Sali Asllanajt të LDK-së. Në Gjakovë Ardian Gjini është kryetari i ri sipas rezultateve preliminare të KQZsë, i cili gjithsej ka marrë 21 mijë e 607 (53,49%) vota nga gjakovarët, derisa Mimoza Kusari-Lila ka marrë vetëm 18.791 vota (46,51%). Smajl Latifi, i AAK-së, pas 4 vitesh, kthehet në krye të Rahovecit. Ai ka fituar me një diferencë të ngushtë ndaj kryetarit aktual Idriz Vehapi, që është nga PDK-ja. Latifi ka marrë gjithsej 10 mijë e 483 vota (50,67%), derisa kandidati i PDK-së ka 286 vota më pak. Edhe Xhafer Gashi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës së Obiliqit. Sipas KQZ-së, Gashi i AAK-së ka fituar 60.6 për qind, ndërsa kandidati i LDK-së, Mehmet Krasniqi, ka fituar 39.40 për qind. AAK-ja e ka marrë edhe Klinën, ku kandidati i kësaj partie, Zenun Elezaj, ka fituar kundrejt kryetarit aktual, Sokol Bashota.

PDK-ja, humbësja më e madhe

Partia Demokratike e Kosovës duket të jetë humbësja më e madhe e zgjedhjeve. Gara më e ngushtë po zhvillohet në Dragash, ku kandidati i PDK-së është duke prirë me 19 vota para kandidatit të LDK-së. Shaban Shabani i PDK-së po prin me 6.239 vota, ndërsa Selim Kryeziu i LDK-së me 6.220 vota. Në komunën e Shtimes kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar me 51.51%, duke lënë mbrapa kandidatin e pavarur Fatmir Rashitin, me 48.44%. Partia Demokratike e Kosovës po fiton në Kaçanik. Besim Ilazi i PDK-së, sipas KQZ-së, ka marrë 6.595 të votave ose 54.78 për qind. Ndërkohë, Basri Kodra i 'Vetëvendosjes' ka marrë 45.22 për qind ose 5.444 vota. Nga komunat e mëdha PDK-ja ka fituar vetëm Ferizajn ku Agim Aliu ka mundur kandidatin e LDK-së Muharrem Sfarqa. Partia e Fatmir Limajt do ta mbajë edhe për një mandat komunën e Malishevës. Sipas rezultateve të KQZ-së, Ragip Begaj i Nismës ka marrë 55.81 për qind, derisa kundërkandidati i tij, Mursel Gashi i PDK-së, ka fituar 44.19 për qind. Kurse Agim Bahtiri i Aleancës Kosova e Re ka marrë edhe një mandat si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Sipas KQZ-së, Bahtiri ka arritur të marrë 16.136 vota ose 57.51 për qind. Ndërkohë, Valdete Idrizi e PDK-së ka marrë 11.923 vota ose 42.49 për qind.LDK-ja ka dalë fituese në balotazh në katër komuna. Në Gjilan Lutfi Haziri ka fituar bindshëm me 63. 97 % kundrejt Sami Kurteshit të VV-së që ka marrë 36. 03 %. Në Istog Haki Rugova i LDK-së ka marrë 51.88 % kundrejt Gani Dreshajt të AAK-së që ka marrë 48.12 %. Në Podujevë Agim Veliu ka marrë 63.70 % kundrejt kandidatit të VV-së Ajet Potera, që ka marrë 36.30 % të votave. Fitore bindëse ka marrë kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri, që ka fituar 54.31%, kurse Ferit Idrizi i PDKsë ka marrë 45.69 %. 

Proces i qetë

Procesi zgjedhor në rundin e dytë për balotazh, i zhvilluar dje edhe në komunën e Prishtinës, ka filluar me kohë dhe nuk është hasur ndonjë parregullsi që dëmton procesin, ndonëse e dalja në zgjedhje nuk ka qenë e kënaqshme. Në shkollën fillore "Meto Bajraktari", ku janë të vendosura dy qendra votimi,1924- e dhe 1925- e, menaxherja Vjollca Gashi theksoi se falë përgatitjeve me kohë procesi ka filluar nga ora 7:00 e mëngjesit, me një dalje relative në zgjedhje nga votuesit e regjistruar."Falë përgatitjeve që kemi bërë me kohë, por edhe vetëdijesimit në rritje të qytetarëve, procesi ka filluar siç është më së miri dhe ashtu ka vazhduar deri në fund", tha Vjollca Gashi për "Kosova Sot". Një interesim pak sa më i vogël se në zgjedhjet e kaluara është shënuar për balotazhin e djeshëm edhe në qendrën votimit numër 1922, e vendosur në shkollën fillore "Emin Duraku". Menaxheri i kësaj qendre, Agron Mexhuani, tha se procesi ka pasur rrjedha normale, madje akoma më i qetë se në raundin e parë. Në shkollën fillore "Zenel Hajdini", qendra e votimit 1920- e, menaxherja e saj, Myrvete Tahiri, tha se në krahasim me raundin e parë të 22 tetorit i bie që edhe këtu ka pasur një dalje dukshëm më të ulët. Parregullsi nuk janë shënuar as në qendrën e votimit 1921-e, në shkollën fillore 'Asim Vokshi'. Menaxherja e kësaj qendre, Samire Balaj, tha se tha se procesi është zhvilluar në suaza normale. 

Qytetarët presin ndryshime

Ekipi i gazetën "Kosova Sot" gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në shkollën fillore 'Iliria' në Prishtinë. Drejtoresha e kësaj shkolle, Remzie Kosumi- Racaj, njëherësh në cilësinë e menaxheres së kësaj qendre votimi, ka bërë me dije se në orën 7:00 të mëngjesit të së dielës është hapur qendra e votimit, derisa sipas saj fluksi i votuesve ka qenë mjaft i madh, ndërsa deri në mbylljen e kësaj qendre votimi ajo ka theksuar se nuk është shënuar asnjë incident. E qytetari Hasan Bajrami nga Prishtina, votues në këtë qendër votimi, tha për "Kosova Sot" se pret se do të ndryshojë diçka për të mirë dhe kjo është edhe arsyeja që kishte dalë për të votuar. " Pres ditë më të mira nga kryetari i ardhshëm i komunës së Prishtinës, punësim, zhvillim, përmirësim të rrugëve, për parkingje, siç po premtojnë edhe ata vetë gjatë fushatave, tash të shohim, ishalla bëhet mirë", tha ai. Ndërsa qytetari Faik Sopjani theksoi se qytetarët tashmë janë vetëdijesuar që të mos i votojnë të këqijtë dhe ata që nuk kanë punuar drejt dhe ndershëm për vendin, por më në fund të zgjidhen njerëzit e merituar dhe më të mirët që e i bëjnë nder vendit tonë. E për të kryer obligimin e tyre qytetar në mesditë në shkollën fillore "Ismail Qemali" të Prishtinës kishte ardhur edhe qytetari Rrahman Rrahmani, nga Prishtina, i cili tha se kishte dalë për ta kryer obligimin e tij qytetar."Gjithçka ishte në rregull, votova me plot dëshirë dhe pres që të ketë një jetë më të lumtur dhe më të mirë për qytetarët, pres prej atyre që i marrin votat e qytetarëve që këta të fundit t'i shohin ashtu siç janë dhe gjërat t'i shohin ashtu si duhet të jenë. Pres lëvizje në zhvillimin ekonomik, i cili është çelës i atij politik dhe gjitha segmenteve e tjera jetë- sore", tha ai për "Kosova Sot". Qytetari tjetër Arlind Hyseni, po ashtu votues në këtë shkollë, pret siç tha ndryshime për të mirë në çdo fushë të jetës."Tani sapo votova dhe e kreva obligimin qytetar. "Mendoj se çdo gjë shkoi në rregull dhe jam i kënaqur me procesin. Shpresoj të ketë punësim, zhvillim ekonomik dhe të bëhet më mirë në çdo sferë të jetës dhe po besoj se do bëhet më mirë ", deklaroi ai. Në anën tjetër, drejtoresha e shkollës 'Ismail Qemali' në Prishtinë, Hatmane Demiri, ka bërë me dije se edhe në këtë qendër ka filluar me kohë votimi dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi dhe se gjithçka ka shkuar mirë. Ndërsa qytetari Adem Krasniqi, votues në sallën '1 Tetori' në Prishtinë, tha për gazetën "Kosova Sot" se presin ndërrime, të cilat i kemi pritur qysh nga paslufta. "Ishalla fitojnë më të mirët", tha ai. Qytetari tjetër, Isa Dukaj, mendon se qyteti do të marrë një kahe të re të zhvillimit, sepse siç tha Prishtina është ngulfatur, nuk ka vizion për zhvillimin si qytet për 20 vitet e ardhshme."Prandaj duhet të vijë dikush që na japë atë vizion, që jo zhvillimi i qytetit të bëhet në formë parciale ose një program për 3 apo 4 vjet, sa është një mandat qeverisës, mirëpo Prishtina duhet të projektohet si një qytet për 20 vitet e ardhshme dhe aq më shumë kur pritet që në vitet në vazhdim të kemi një rritje të popullsisë në Prishtinë, pasi sot përmbi 60 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në fshatra kur sigurisht nëse shikohen trendët botërore të popullsisë atëherë do të ketë deri në 40 për qind që të bie në fshatra dhe ajo popullsi që sot jeton në fshatra sigurisht se do të zhvendoset në qytezë", përfundoi ai.

Të qeta dhe pa ndonjë parregullsi

Të qeta dhe pa ndonjë parregullsi kanë kaluar zgjedhjet e djeshme në kryeqytet. Edhe përqindja në dalje në votim e qytetarëve ishte e kënaqshme. Buajr Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se dita e djeshme ishte pa dyshim, siç e ka karakterizuar ai, një ditë e mirë për demokracinë e Kosovës dhe imazhin e saj."Ishim dëshmitarë se kosovarët ngadalë po krijojnë një kulturë demokratike dhe zgjedhje të lira, sipas standardeve ndërkombëtare. Me gjithë këtë, kam pritur që dje kutitë e votimit të vërshohen nga më shumë qytetarë sesa realisht shfrytëzuan të drejtën e tyre për të hedhë votën", ka potencuar ai, ndërsa nuk ka hezituar të japë fjalë miradije për Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, e komisionerët për, siç ka thënë ai, punën e tyre të palodhshme. Ndërsa ka thënë se pret që të gjithë fituesit e dalë nga këto zgjedhje më shumë punë dhe angazhim në të mirën e qytetarëve; përmirësimin e kushteve të jetës së tyre, përpjekjen që t'i zgjidhin problemet e shumta dhe ngritjen e cilësisë së arsimit. "Jam i prirë të besojë në popullin dhe zgjedhjen e tyre, andaj uroj që kandidatët fitues të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së përditshme dhe zhvillimin e jetës kulturore, e mos të ketë përfitime personale e grupore. Tek e fundit, Kosova është e të gjithëve, dhe si të tillë duhet ta ndajmë gjithë së bashku", ka thënë Meholli. Ndërsa Artan Morina, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë së ky proces kishte kandidat me kualitativ se në zgjedhjet e mëparshme lokale dhe normalisht që pritjet nga kandidatet fitues do të jenë më të mëdha."Komunat dhe kryetarët e tyre duhet të fokusohen përmbajtësisht jo vetëm në investimin financiar të projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve, që jetojnë në një lokalitet përkatës, por dhe të kenë elanin, guximin dhe karizmin që të jenë promotor edhe i shumë nismave dhe iniciativave vullnetare të qytetarëve", ka thënë ai. Kurse Arsim Gela, pas hedhjes së votës, ka thënë se ka parë një proces zgjedhor të qetë dhe të mirë dhe pret që të zgjedhurit të mbajnë premtimet e tyre. "Për atë që kam parë në procesin e sotëm të votimit mendoj se shkonte si duhet. Sa u përket pritjeve, ato janë të mëdha, por mundësitë mendoj se janë shumë të kufizuara për të bërë më mirë. Pse po them fituesit, sepse vetë ligji zgjedhor i bën fuqitë të zymta", ka thënë Gela. Por, për Emin Sahitin procesi zgjedhor nuk ka ecur sipas tij, ashtu edhe siç duhet, pasi, siç ka thënë ai, njerëzit nuk po dalin të jenë edhe aq të interesuar për votim. "Kurse sa u përket pritjeve nga fituesi i zgjedhjeve, nuk pres asgjë, sidomos sa i përket kulturës dhe trashëgimisë kulturore, sepse asnjë kryetar nuk e ka pasur në agjendë", ka pohuar Sahiti. Qytetari Milaim Hoxha (54), i shoqëruar nga Zoja Hoxha (50), tha për gazetën "Kosova Sot" se në këtë qendër votimi gjithçka ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur pritje të gjata për votuesit". Edhe qytetari Ramdan Beqiri (68) ka thënë se procesi ka qenë në rregull. Në Shkollën fillore "Hasan Prishtina",drejtoresha Sofije Bunjaku theksoi se në këtë qendër votimi kanë qenë 8 vendvotime me 7133 votues plus një paralele ka qenë e dedikuar për votuesit me kusht. Në ambientet e kësaj shkolle kishte votuar edhe një person i verbër, Bajram Canolli (62), i shoqëruar nga Nexhmije Llapashtica (55), të cilët u shprehën të kënaqur me kushtet e votimit për të verbrit. Në ambientet shkollës fillore "Dardania" në Prishtinë, me numër"1904-E, që ka qenë njëra nga qendrat më të mëdha të votimit në këtë komunë, sipas drejtorit dhe menaxherit të kësaj shkolle, Isak Bregaj, fluksi më i madh ka qenë në orët e pasdites. Bregaj njoftoi për gazetën se në këtë qendër votimi probleme të tjera nuk ka pasur. Në këtë qendër votimi kishte votuar qytetari Jakup Hyseni (50) së bashku me bashkëshorten Albulena (45) që janë shprehur të kënaqur me organizimin e zgjedhjeve të balotazhit për kryetar të komunave. 

(Kosova Sot)