Kelmendi: Ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme

  • 20 November 2017 - 16:16
Kelmendi: Ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një ndër dështimet më të mëdha jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen, është dështimi i nxënies së dijes në bazë të diplomës që posedon. Sipas tij, në Kosovë ka juristë të diplomuar, të cilët nuk kanë njohuri as sa në shkollën e mesme, derisa e njëjta gjendje është në mjekësi, në fakultete teknike, në ekonomi, deri te sistemi i masterit, pa bërë fjalë për doktoratë, që ka dështuar tërësisht. Tutje ai thotë se dështime kemi në shkollat e mesme dhe në ato fillore, ku vijnë nxënësit e diplomuar, por me njohuri të ulëta dhe ka raste kur as edhe një fjali të thjeshtë nuk dinë për të shkruar."Ne kemi ngelur edhe në krijimin e kuadrit profesional për profesionet e ndryshme. Nuk kemi automekanik të kualifikuar, elektricist, saldues etj. Kudo ka dështuar shkollimi adekuat me nevojat e vendit tonë. Kjo është edhe në sistemin e drejtësisë. Provimi i jurisprudencës është tepër formal apo mbahet me njerëz të pakualifikuar. Pra, kërkohet spastrim i ashpër i tërë sistemit të tillë dhe natyrisht edhe një qasje krejtësisht tjetër ndaj sistemit të arsimit. Me situatën e tashme, sidomos në arsimin e lartë, me përbërjen e Agjencisë së Akreditimit, me njerëzit e propozuar, gjendja do të keqësohet edhe më shumë. Edhe më tej do të vazhdohet me prodhimin e diplomave për njerëzit që lidhje nuk kanë me dijen në fushën që kanë diplomuar. Fakultetet do të shndërrohen edhe më shumë në qendra të diplomave. Kolegjet do të japin diploma. E doktorata sa të ekzistojnë Universiteti Evropian i Tiranës dhe ai i Shtulit do të kemi sa të duash dhe me bollëk. Sa do të vazhdojë kjo nuk e di, por e di se kështu e shkatërruam shoqërinë tonë për një kohë të gjatë dhe këtu është dëmi", u shpreh profesori universitar Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)