"Tabakhanja", lagjja që ka mbetur vetëm pjesë e historisë

  • 20 November 2017 - 18:13

Lidhur me lagjen "Tabakhane" në popull ka pasur shumë histori, kurse njëri nga njohësit e kësaj historie është edhe Jusuf XHIBO, i cili për gazetën "Kosova Sot" e përshkruan historinë kësaj lagjeje. Nuk dihet saktë se kur ka filluar të ushtrohet zejtaria dhe mulliri në "Tabakhane", por dihet se kjo zeje ushtrohej në pjesën e parë të shekullit XVI, që kuptojmë nga vakëfnamja e Soziut (e vërtetuar në vitin 1513), ku tre nga dëshmitarët kanë qenë tabakë. Edhe në vakëfnamen e Kuklibeut (legalizuar në vitin 1538) përmendet mëhalla e tabakëve, sikurse edhe regjistri i sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591, që po ashtu ka evidentua mëhallën e tabakëve. Fjala tabakhane rrjedh nga gjuha arabe-perse (Debba?- hane) që nënkupton punëtorinë e përpunimit të lëkurës. Në fund të shekullit XIX zeja tabakëve ishte në kulm të zhvillimit ku prodhimi eksportohej në vendet e rajonit, me theks të veçantë në Hungari.

Në vitet e 60-ta filloi të shuhej kjo zeje

Pas largimit të Perandorisë Osmane nga këto treva, Prizreni numëronte rreth 45 punëtori të tabakëve, ndërsa ndërmjet dy Luftërave Botërore (~1928) në Prizren kishte rreth 20 punëtori, respektivisht 100 mjeshtër tabakë. Pas Luftës së Dytë Botërore kishte rreth 85 punëtorë të këtij zanati. Por, kjo nuk zgjati shumë,kështu pas viteve 1960/65, kjo zeje pakësohet aq shumë dhe thuajse shuhet në tërësi, derisa pas vërshimeve të vitit 1979 edhe ndërtesat (punë- toritë), ku zhvillohej kjo zeje, shkatërrohen tërësisht me çka merr fund defnitivisht zeja e tabakëve. Derisa në fund të shekullit XIX, lagjja e tabakhanes ishte aq e madhe sa ishte ndarë në dy pjesë (lagje), si tabakhane e epërme dhe tabakhane e poshtme dhe kishin disa dhjetëra punëtori dhe shitore, sot nga kjo ka mbetur vetëm një shitore që prej kohësh është mbyllur. Në vitin 1955 tabakhane vihet nën mbrojtje të shtetit si pasuri kulturore. Për dallim nga qytetet e tjera, ku secili qytet kishte vendin përkatës ku furnizohej me lëndë të parë (lëkurë), Prizreni nuk kishte këtë kufizim, ashtu që ai furnizohej sipas ofertës dhe interesit më të favorshëm. Natyrisht që përparësi i jepej prodhimit vendor dhe pasi ajo nuk i përmbushte nevojat e kërkesës, atëherë furnizimi bëhej nga vendet e rajonit. Derisa nga Prodhuesit vendorë (kasapët) me lëkurë nga vendi furnizoheshin në gjendje të njomë, kurse nga vendet e rajonit furnizimi bëhej me lëkurë të thatë. Në tabakhanen e Prizrenit bëhej përpunimi i lëkurës së shtazëve të ndryshme, si: dhenve,dhive, lopëve dhe në raste të rralla edhe të gomarit dhe qenit. Në aspektin arkitekturor tabakhanja e Prizrenit (jo vetëm) nuk theksohej për ndonjë vlerë të lartë artistike - inxhinierike, ajo ndërtohej sipas nevojës praktike që diktonte procesi i punës. Ambientet kryesore të tabakhanes përbëhen prej katër pjesëve: pjesa e pranimit të lëndës separë, pjesa e përpunimit, pjesa e terjes dhe pjesa e shitjes. Kompleksi i Tabakhanes shtrihej në anën e djathtë të lumit Lumbardhë, ndërmjet xhamisë së Ahmed-Beut dhe xhamisë së Soziut (tabakhana e poshtme) dhe ndërtesës së Beledijes (tabakhana e epërme). Kjo zeje përkundër punës së mundimshme ishte mjaft profitabile që kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe zhvillimin e Prizrenit.

Mulliri i tabakhanes

Sipas sallnames së Prizrenit të vitit 1896,në Prizreni përgjatë lumit Lumbardhë ka pasur 15 mullinj, ndërsa deri më sot kanë arritur t'u përballojnë rrethanave të kohës vetëm dy, dhe atë jo në formë të plotë,derisa mulliri i tretë (në Marash) është rindërtuar në vitin 2003/4. Kështu Prizreni tani ka tre mullinj, prej të cilëve vetëm njëri, ajo në lagjen e i tabakhanes e kryen funksionin fillestar, derisa dy të tjerë shfrytëzohen si objekte hoteliere - restorante. Mulliri i tabakhanes ka marrë emrin, ngase gjendej mu në mes të lagjes së tabakëve, respektivisht në anën e djathtë të lumit Lumbardhë. Në shekullin XIX, ky mulli shfrytë- zohej nga Shasivar Beu, ndërsa më pas nga Çaço dhe Hasani.

(Kosova Sot)