Skena politike është bërë për muze, zhgënjimi qytetar po rritet

  • 20 November 2017 - 08:09
Skena politike është bërë për muze, zhgënjimi qytetar po rritet

PJESËMARRJA E ULËT NË BALOTAZH, TREGUES I PAKËNAQËSISË SË THELLË TË VOTUESVE

Rundi i dytë i zgjedhjeve për balotazh, që u zhvillua të dielën, në 19 komunat e Kosovës, u shënua me një trend të ri të rënies së interesimit të qytetarëve të vendit për ta dalë në zgjedhje. Shikuar dhe vlerësuar nga këndvështrimi i analistëve politikë, dalja e ulët në balotazhin e zgjedhjeve lokale ka vendosur edhe një herë kulmin e zhgënjimit të qytetarëve në këto parti politike, të cilat për gati dy dekada nuk panë përtej interesave të tyre klienteliste. Madje, përkundër rivalitetit të ashpër publik politik, kur është puna te pushteti, të gjithë "armiqtë" e deridjeshëm po bëhen "miq" të mirë me njeri-tjetrin. Kjo sjellje kaq e papjekur e fshirjes së lehtë të vijave të kuqe, sipas analistëve, tregon më së miri se është humbur totalisht morali në politikën kosovare, ku akuzat e partive ndaj njëratjetrës për korrupsion dhe krim të organizuar janë bërë sikur ta denoncojë hajni hajnin, pasi që deri më tash pothuajse të gjitha partitë politike, pa dallim, janë të përfshira në skema të paligjshmërisë dhe krimit të organizuar. Tanimë pa marr parasysh se cila parti apo kandidat fiton këto zgjedhje analistët nuk shohin ndryshime pozitive, sepse ata sërish do të vazhdojnë me keqpërdorime, zhvatje, korrupsion dhe inkriminim në krim të organizuar me nëntokën, e tani, pasi që edhe kanë bërë pazare të dëmshme për qytetarët, duke bërë koalicione me ata që deri dje i quanin kriminelë, kushdo që të zgjidhet do të punojë së bashku me partnerët e koalicionit vetëm për të zhvatur sa më shumë qytetarët dhe shtetin.

Qytetarët nuk i përfillin pazaret e partive

Pazaret politike të pista, vetëm për interesin e partive, janë fajtori kryesor për abstenim nga zgjedhjet, sipas analistit Ymret Reshiti. "Interesimi i ulët i qytetarëve që të dalin për të votuar në rundin e balotazhit ka të bëjë me dy çështje: E para, paraqet pakënaqësitë e qytetarëve ndaj ofertave joserioze të partive dhe e dyta, pavarësisht koalicioneve zyrtare që lidhin partitë politike në balotazh - pazareve politike, një pjesë e qytetarëve nuk i përfillin këto pazare politike dhe nuk dalin në votime, ngase konsiderojnë se bëhen për interesa personale dhe jo për interesa të qytetarëve. Koalicionet e panatyrshme kanë mundur që të shmangen në nivelin lokal, edhe pse tani qytetarët po tregohen më të vetëdijesuar, duke u thënë jo koalicioneve të balotazheve. Një qytetar që herën e parë ka votuar një program të një partie politike që ka humbur në rundin e parë në zgjedhjet lokale nuk është i interesuar që ta "kontrabandojë " votën e tij në balotazh. Në nivelin lokal zgjedhjet duhet të ofrojnë programe konkrete qeverisëse për qytetarët dhe jo sallata mikse programore, të cilat mbesin vetëm si dekor", është shprehur Reshiti. Mosdalja e qytetarëve në zgjedhjet e balotazhit, sipas Reshitit, duhet kuptuar si ngritje e nivelit të gjykimit qytetar ndaj votës dhe assesi si mungesë përgjegjësie. Sipas Dardan Grapcit, me këto koalicione asnjë parti nuk mund të sjellë diçka të re. "Ajo që po ndodh është se pa marrë parasysh se cila parti i fiton zgjedhjet, qoftë pozita apo opozita, skema e re komunale përsëri do të jetë e njëjtë, s'do të ketë ndryshime të mëdha, ndryshimi që do jetë janë vetëm kryetari dhe asamblistët". Ai është shprehur: "Qytetarët e komunave, të cilët kanë dalë të votojnë më 19 nëntor për ndryshim, ata e dijnë që situata do të mbetet e njëjtë, që do të thotë vetëm fjalë boshe. Partitë në balotazh dhe ato që kanë fituar në rundin e parë kanë bërë premtime shumë të mëdha, por pyetja shtrohet a do t'i realizojnë apo thjesht kanë bërë premtime të kota para elektoratit të tyre? Krimi i organizuar , korrupsioni, dhënia e tenderëve në mënyrë ilegale etj., do të vazhdojnë, derisa qytetarët nuk ngopen nga politika e hidhur që po ndodh në Kosovë. Jam i bindur që nëse një ditë krijohet një PARTI E RE, e cila di si punohet, e cila bën zgjidhje tek qytetarët, këto parti politike që kanë qenë deri më sot do të bien nga TESTI, sepse qytetarët do t'ia japin votën asaj partie që di çka është e mirë për ta", theksoi Grapci për "Kosova Sot". 

Duhen iniciativa të reja politike

Analisti politik Faton Mehmeti thekson se ky trend në rritje i abstenimit qytetar nga e drejta për të zgjedhur nuk do të ndërpritet derisa në skenën politike nuk paraqiten iniciativa të reja, me njerëz të pastër e të besueshëm për qytetarin, për t'i lënë në "muze" të së kaluarës partitë e tanishme politike "Pjesëmarrja ishte e ulët, pasi që qytetarët nuk po besojnë tek partitë politike. Kjo manifestohet edhe me dëshpërimin dhe ikjen e qytetarëve çdo ditë. Madje bërja e pazareve mes partive politike është dëshmi e fuqishme që tregon se morali politik nuk ekziston, se të gjithë janë njësoj. Kjo ka shtuar akoma më shumë apatinë e qytetarëve ndaj ditës së votimit, e cila do të prodhojë të njëjtën klasë politike", është shprehur Mehmeti. Pavarësisht se kush fiton nëpër komunat e Kosovës, Mehmeti është pesimist se do të fitojnë qytetarë. Pak a shumë me Mehmetin pajtohet edhe Mustafë Kdriaj. "Këto zgjedhje treguan kulmin e hipokrizisë së partive politike, e po ashtu edhe rënien e moralit dhe optimizmit e besimit tek qytetari i Kosovës", është shprehur ai. 

Ka rënë poshtë morali në politikën kosovare

Sipas analistit Gani Qarri, edhe këto votime, njëjtë si ato në të kaluarën dhe votimet e mëhershme për balotazhe, po dëshmojnë se njerëzit janë lodhur sa nga zgjedhjet e shpeshta aq edhe nga partitë e inkriminuara dhe kandidatët e dyshimtë, të cilët në të shumtën e rasteve dhe komunave janë të njëjtittë sprovuar tanimë, për të mos thënë edhe të dështuar, nga një apo dy herë më parë. "Megjithëse kur është në pyetje pozita qeverisëse, qëndrimi apo ngjitja në pushtet e partive politike, jemi dëshmitar se edhe "armiqtë" e deri djeshëm çuditërisht afrohen aq shpejt dhe bëhen miq aq të "mirë", saqë lënë edhe anëtarësitë e tyre pa koment. Por, deklaratat e mëhershme fyese, për involvim në korrupsion dhe krim të organizuar ndërmjet partive, nuk e bindin më për kohë aq të shkurtër votuesin se vërtet vetëm me lidhjen e një koalicioni partia e deridjeshme e "keqe" automatikisht është përmirësuar deri në atë shkallë saqë t'i besohet edhe vota. Madje morali në politikën kosovare ka rënë aq poshtë dhe deri në atë shkallë të ulët, saqë akuzat e ndërsjella të përditshme, për involvim në paligjshmëri të ndryshme, pjesëmarrje në korrupsion, koketim me mafio-oligarkët dhe krim të organizuar në vend, kanë bërë që as lidhja e koalicioneve ndërpartiake, të mos bindë 100% anëtarësinë e asnjë partie, ndaj një pjesë e konsiderueshme e anëtarësive partiake, rëndom nuk votojnë për kandidatin e koalicionit, por për atë që duan vetë apo edhe nuk dalin të votojnë fare nga frustrimi. Sidomos droja e arsyeshme për mos-dallueshmëri të dukshme ndërmjet kandidatëve dhe frika se cilido nga ta,pas marrjes së pozitës, mund të vazhdojë me veprimet e zakonshme joligjore, keqpërdorim pozite, përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, demoralizon votuesit dhe humb tërësisht dëshirën tyre që të marrin pjesë në votime",theksoi analisti Gani Qarri.

Qytetarët nuk kanë shpresë se këto parti do të ndryshojnë ndonjëherë

Humbja e shpresës në këto parti politike që teledirigjojnë edhe kandidatët për kryetar komunash ka ndikuar në zhgënjimin e qytetarëve dhe mosdaljen e tyre as në balotazh, është vlerësim që e jep edhe analisti Ali Hertica."Tani koha po ecën dhe qytetarët nuk kanë shpresë as besim se është hapur rruga drejt ndonjë ndryshimi substancial. Këtë po e dëshmon edhe balotazhi për Prishtinën, për të parin e Prishtinës. Qytetari me mospërfilljen e tij po sinjalizon se është skajshmërisht i pakënaqur me të gjithë lidershipin që ka qeverisur deri më tani, si në nivelin qendror edhe në atë lokal", theksoi për "Kosova Sot" analisti Ali Hertica. Po aq shqetësuese e sheh gjendjen e abstenimit të qytetarëve nga balotazhi për kryetar komunash edhe Skënder Mulliqi. "Ajo që është shqetësuese për qytetarë, është dalja shumë e ulët në këto zgjedhje lokale. Kjo mos dalje mund të interpretohet si mospërmbushje e detyrimeve të partive fituese karshi qytetarëve në zgjedhjet e deri tashme komunale e nacionale .Kur më shumë së gjysma e atyre të cilët kanë të drejtë vote nuk dalin për të votuar, zgjedhjet faktikisht nuk janë legjitime. Partitë kryesore politike shtet ndërtuese nuk janë reformuar, nuk i kanë hequr nga listat njerëzit e implikuar në krim dhe korrupsion. Hajnitë, zhvatja e pronës shoqërore, uzurpimet, pasurimet shumë të paligjshme për 17 vjet kanë bërë që qytetarët të zhgënjyer dhe të demoralizuar nga jeta e keqe të cilën po e bëjnë mos ta kryejnë obligimin e tyre që masovikisht të dalin në zgjedhje", është shprehur Mulliqi për "Kosova Sot". Sipas Mulliqit, ky zhgënjim po vjen edhe për shkak të koalicioneve joparimore të partive politike, të cilat kanë lëshuar akuza dhe kundër akuza të ndërsjella.

(Kosova Sot)