Balotazhi, grusht kundër oligarkëve

  • 21 November 2017 - 07:52
Balotazhi, grusht kundër oligarkëve

Përderisa për rezultatet përfundimtare që do të shpallen nga KQZ-ja për balotazhin e së dielës, do të duhen edhe disa ditë pritjeje, analistët politikë theksojnë se në bazë të rezultateve preliminare po shihet një rirreshtim i madh i forcave politike. Në raundin e dytë LDK-ja ka fituar në Gjilan, në Podujevë, në Vushtrri e në Istog. Në raundin e parë, LDK-ja kishte fituar në Lipjan, në Fushë Kosovë, në Viti e në Pejë. PDK-ja, ndërkaq, ka fituar pesë komuna. Në raundin e parë, partia e Kadri Veselit kishte fituar vetëm një komunë, Drenasin. Kurse, në raundin e dytë, ka fituar në Dragash, në Ferizaj, në Kaçanik e në Shtime. Realisht, vlerësohet se partia fituese e këtyre zgjedhjeve është AAK-ja, e cila aktualisht udhëheq në shtatë komuna. Pa balotazh pati fituar në Deçan e në Junik, derisa në raundin e dytë ka fituar në Obiliq, në Suharekë, në Klinë, në Gjakovë e në Rahovec. Përderisa Lëvizja "Vetëvendosje" në zgjedhjet e qershorit kishte dalë fituese në nëntë komuna, në zgjedhjet e kësaj vjeshte arriti të konfirmojë fitoren vetëm në Kamenice, duke pritur edhe rezultatet e numërimit te votave me kusht në Prishtine dhe në Prizren. Partia e Fatmir Limajt e ka mbajtur Malishevën. AKRja e Behgjet Pacollit arriti të mbajë një komunë nën pushtetin e saj. Sipas analistëve, në këtë rirreshtim të forcave politike del që humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është PDK-ja, kurse në këtë rishpërndarje të madhe duhet kuptuar se është vetë elektorati ai që tani po kërkon ndryshime nga të gjitha partitë ekzistuese.

Image

 

Asnjë grua në krye të komunave

Analisti politik Albinot Maloku vlerë- son se këto zgjedhje kanë nxjerrë edhe figura të reja, të cilët do të drejtojnë komunat e Kosovës, ndonëse në ato figura nuk pati avancim të gjinisë femërore. "E frikshme është sesi në asnjë komunë nuk pati fitore të ndonjë femre për të qenë kryetare e komunës, e që edhe kjo duhet të jetë mesazh se subjektet politike duhet të koncentrojnë energjitë për të ndryshuar raportin e tyre ndaj kësaj gjinie. Nëse flasim për fitues, gati secili subjekt mund të nxjerrë diçka për ta prezantuar si fitore për ato. Një subjekt politik do të drejtojë dy komunat më kryesore të vendit, një tjetër ka rikthyer disa komuna, një tjetër ka fituar më së shumti asamblistë komunalë në nivel vendi, dy të tjera kanë ruajtur pozicionin e mëparshëm. Kështu që, secili subjekt politik mund t'i gëzohet fitoreve. Ajo çka mbetet të shihet është puna e fituesve, për të cilën punë e angazhim ka nevojë vendi si asnjëherë më parë, e kjo para se gjithash në rrafshin e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe gjitha çështjeve që i prekin drejtpërdrejt qytetarët", u shpreh Maloku. Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës, e cila mban për kohë të gjatë rolin e subjektit kryesor politik dhe që ka drejtuar me pozitat kryesore të vendit, nuk është aspak e çuditshme që ka dalë subjekti me numrin e vogël të komunave që do t'i drejtojë. "Pozicioni aktual i PDK-së nga vetë PDK-ja duhet të analizohet e të shikohet se ku janë të metat veç faktit se është dashur të ndodhin ndryshimet e kërkuara e të pritshme pas një procesi zgjedhor. Procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale mbaroi dhe ajo çka i pret subjektet politike është analizimi i hapave të kaluar, ristrukturimi e ndryshimi i brendshëm si dhe krijimi i rrymimeve politike që i nevojiten Republikës së Kosovës dhe qytetarit të saj. Që të gjithë të angazhuarit në jetën politike në vend duhet t'i mendojnë sfidat që ka për t'i përjetuar vendi e që një herë e mirë duhet të jemi të përgatitur", potencoi Albinot Maloku.

Image

 

Koalicionet dërrmuese për partinë në pushtet

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, në krejt këtë hartë të re politike, të krijuar pas balotazhit të 19 nëntorit, del se PDK-ja është në rënie të lirë dhe kjo rënie do të përcillet në kontinuitet. "Realisht, në këto komuna, PDK-ja ka qenë e para në garë, por koalicionet anti-PDK para balotazhit e larguan PDK-në prej pushtetit autoritar. Këtë rënie e kanë përcjellë shumë faktorë, duke filluar nga keqqeverisja, instalimi i frymës autoritare, nepotizmi e klientelizmi dhe ndryshimi në lidership. Koalicionet anti-PDK, edhe atëherë kur janë shkelur vijat e kuqe, të bëjnë të kuptosh se PDK-ja do të luftohet në vazhdimësi nga të gjitha subjektet politike, duke u munduar ta çrrënjosin frymën e mbrapshtë të instaluar nga PDK-ja", theksoi ai. "Në historinë politike të pasluftës, mbështetur në parametrat faktikë e realë, është dëshmuar së partia, e cila është udhëheqëse e Qeverisë qendrore potencialisht ka rritur elektorat, pasi kryetarët e komunave nga partia që udhëheq nga Qeveria qendrore kanë fituar grande shtesë për komunat përkatëse. Prandaj, kjo lëvizje pozitive për AAK-në është një dëshmi e qartë se rritja ka ndodhur në bazë të udhëheqjes me Qeverinë qendrore', tha Hidajet Ahmeti. Ndërsa analisti Jeton Kelmendi konstaton se tani ka një rezultat interesant, ku partitë kanë një shtrirje shumë të përzier, që do të thotë se nuk kanë mbetur më shumë bastione, gjë që është për t'u vlerësuar. "Realisht, kjo ndikon në përmirësimin e punës, sepse do t'i humbin zgjedhjet nëse nuk punojnë mirë. Këtu ka pasur një avantazh tek partitë që po qeverisin aktualisht në nivelin qendror, sepse kanë shkuar me ministra e me premtime të mëdha, por edhe kjo diku ka funksionuar e diku jo", potencoi Kelmendi.

Image

 

Nuk përjashtohet mocioni kundër Qeverisë

Një realitet krejtësisht të ri kanë prodhuar zgjedhjet e 22 tetorit me finalizimin e balotazhit, edhe sipas analistit Florim Zeqa. Ai nuk e përjashton mundësinë që pas këtyre zgjedhjeve të kërkohet edhe mocion kundër Qeverisë "Haradinaj". "Rezultatet pas balotazhit e prodhuan një realitet të ri në qeverisjen komunale, gjegjësisht një ndryshim substancial në hartën gjeopolitike të komunave të Kosovës. Për më tepër se kaq, ky rezultat i ri pas balotazhit për kryetar komunash, e shtron nevojën e një rikonfigurimi të skenës politike kosovare, respektivisht për një profilizim të drejtë të partive politike. Ashtu sikurse në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit (balotazhin e 19 nëntorit), elektorati kosovar kërkoi ndryshime në të gjitha partitë pa dallim, për nxjerrjen e figurave të pastra politike,ngase janë lodhur nga politikanët e korruptuar, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë vetëm për interesa të tyre personale dhe oligarkëve të inkriminuar", ka potencuar ai. "Në fakt, rezultati i balotazhit, përveçse shtron nevojën e një rikonfigurimi të skenës politike, është një paralajmërim për bashkimin e të gjitha forcave progresive në një subjekt të vetëm politik. Pa dashur të ndalen veç e veç për secilën komunë, rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale, shumë shpejt mund të dekompozojnë koalicionin qeverisës. Do të jetë partia humbëse e këtyre zgjedhjeve, në këtë rast PDK-ja, ajo e cila do të insistojë në prishjen e koalicionit qeverisës pas humbjes së disa komunave, të cilat deri dje ishin bastion i pamposhtur i saj. Për ta zbërthyer edhe më qartë këtë që e ceka më sipër, fitorja e AAK-së në një komunë të vogël mund t'i kushtoj Ramush Haradinajt me humbjen e postit të kryeministrit,për çka fitorja e AAKsë në shtatë komuna do të shndërrohej në "Fitore të Pirros" për kryeministrin Haradinaj", shpjegoi Zeqa.

Image

 

Përçarja, e rrezikon koalicionin

Profesor Muhamet Kelmendi konsideron se rezultatet e zgjedhjeve lokale janë treguesi më i mirë i zhvillimit të ardhshëm politik në Kosovë. "Zgjedhjet nxorën dy, respektivisht tri parti në ballë, si parti që fituan dukshëm. Risia e pritur është fitorja e AAK-së në pesë komuna, ku gjithsej, tash kjo parti udhëheq në 7 komuna. Ky rezultat i dha forcë AAK-së dhe Ramush Haradinajt, si forcë serioze. Në këtë anë shkon edhe fitorja në Ferizaj dhe në Mitrovicë, sepse kështu u rrit forca e pushtetit. Edhe LDK-ja doli mjaft stabile. Megjithatë, i humbi disa komuna, por e fitoi Vushtrrinë. Humbëse është realisht tani PDK-ja", tha Muhamet Kelmendi. Sa i takon rezultatit akoma të hapur dhe diskutabil të VV-së, ai thotë se nëse ky rezultat mbyllet si i tillë, me fitoren eventuale në tri komuna, do të jetë një lëvizje e avancuar përpara edhe e këtij subjekti politik. Mirëpo, edhe Kelmendi këtë konstelacion të ri të forcave politike e sheh si forcim të madh të bllokut opozitar karshi Qeverisë aktuale."Tash, edhe në këtë konstelacion të forcave, mund të kërkohet shkarkimi, të paraqitet mocioni, por nuk mendoj se pa vetë thyerjen e koalicionit mund të shkarkohet Qeveria. Pra, konsideroj se për të ardhur deri te ky moment kritik duhet një thyerje e brendshme. E, kjo mund të vijë vetëm me Demarkacionin, me formimin e ushtrisë, me Asociacion dhe me Gjykatën Speciale", tha më tutje analisti Kelmendi.

Image

 

Votuesi nuk është vetëdijësuar sa duhet

Sipas analistit Blerim Burjani, zgjedhjet lokale nuk tregojnë asgjë më shumë se një konfuzitet të madh të krijuar tek qytetarët , një paqartësi të madhe dhe humbje të logjikës dhe besimit për një perspektivë të qëndrueshme dhe zhvillimore tek secila nga këto parti politike, me ndonjë përjashtim. "Ky përcaktim përmes konfuzitetit kuptohet që i kushton shumë qytetarit të këtij vendi, nuk votohet për individin e për liderin, për programin, këta njerëz që sillen vërdallë me përfitime që nga viti 2000 e disa më vonë asgjë të hairit deri më tash nuk i kanë sjellë qytetarit, vetëm premtime koti", tha Burjani për "Kosova Sot". Sipas Arsim Hazirit, vazhdimi i dominimit në pushtetin lokal të ishsubjekteve politike tradicionale, tregon më së miri se qytetari i Kosovës akoma nuk është i pjekur sa duhet për ndryshime. "Nëse iu referohemi zgjedhjeve lokale të dy raundeve, po ashtu edhe rezultateve të arritura nga subjektet politike, konsideroj se elektorati nuk është rreshtuar drejt subjekteve të reja. Fakti se LDK-ja ka marrë 8 komuna, AAK-ja me 7 komuna, si dhe PDK-ja 5 komuna, atëherë vihen në fokus se qytetarët nuk janë për ndryshime radikale, nuk po i shohin këto subjekte, të cilat mbajnë përgjegjësinë faktike për çrregullimin e vendit", u shpreh ai. "Mirëpo, edhe ndër qytetarë ekziston një absurditet i përveçëm, ata vazhdimisht shqetësohen për mosfunksionim shtetëror, e në anën tjetër i mbështesin duke mos i ndëshkuar. Kjo logjikë njëherësh flet edhe për mospjekjen e qytetarëve karshi politikës së degraduar, politikës, e cila e mendon veten si të veçantë dhe të paprekshme në çdo aspekt", tha Arsim Haziri.

Image

 

(Kosova Sot)