Mehmeti: Biznes me zgjedhje

  • 21 November 2017 - 12:56
Mehmeti: Biznes me zgjedhje

Edhe analisti Faton Mehmeti pohon se, pavarësisht ekzaltimit të VV-së ne pritje të rezultatit final, shuplaka e qytetarit kundër keqqeverisjes ka qenë e fortë, prandaj u detyruan të shkojnë në koalicion me armiqtë e deridjeshëm. "Besoj se qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen dhe të ndëshkojnë, si dhe të shpërblejnë ata që meritojnë. Këto zgjedhje të fundit dëshmuan një gjë të tillë dhe kjo është mjaft premtuese për demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës. Prishtina natyrisht se ishte fokusi më i madh në mes të dy partive që ishin në këtë garë VV-ja dhe LDK-ja. Të dy partitë politike shfrytëzuan çdo gjë që të arrijnë objektivat e tyre, ndërkohë që rezultati ishte shumë i ngushtë, aq sa do ta përcaktojnë fituesin votat e diasporës dhe ato me kusht", theksoi Mehmeti. Ai ka pohuar se koalicioni i LDK-së me AAK-në ishte një lëvizje taktike e natyrshme që ndodh në demokraci, por se koalicioni VV-AKR lë shumë për të dyshuar.

"Koalicionet janë të natyrshme, të bëra në bazë të interesave të caktuara, por gjithsesi dyshoj se Devollët janë përzier në këtë 'mesele', duke favorizuar atë që e ka më të afërt në aspekt të lidhjeve biznesore", ka thënë ai."Mijëra euro janë hedhur në konto të VV-së, por edhe të LDK-ja nga biznese të ndryshme për t'u favorizuar pastaj në tenderë, dukuri kjo mjaft e përhapur. Një X biznesmen tregonte se si u ka dhënë nga 30 mijë euro tri partive të mëdha, që cila të fitojë, t'i ketë dyert hapur për tenderë dhe kjo është prezente kudo në Kosovë. Duhet një hetim i thellë nga Prokuroria e Shtetit ndaj të hyrave të partive politike, nga i marrin, kush ua jep, dhe të shikohet dhe verifikohet pasuria e atyre që japin para për partitë politike. Kosova nuk guxon të vazhdojë të financohet nga Devollët, e pastaj të udhëhiqet nga marionetat e tyre", tha Faton Mehmeti.

(Kosova Sot)