Maloku: Asnjë grua në krye të komunave

  • 21 November 2017 - 18:05
Maloku: Asnjë grua në krye të komunave

Analisti politik Albinot Maloku vlerë- son se këto zgjedhje kanë nxjerrë edhe figura të reja, të cilët do të drejtojnë komunat e Kosovës, ndonëse në ato figura nuk pati avancim të gjinisë femërore. "E frikshme është sesi në asnjë komunë nuk pati fitore të ndonjë femre për të qenë kryetare e komunës, e që edhe kjo duhet të jetë mesazh se subjektet politike duhet të koncentrojnë energjitë për të ndryshuar raportin e tyre ndaj kësaj gjinie. Nëse flasim për fitues, gati secili subjekt mund të nxjerrë diçka për ta prezantuar si fitore për ato. Një subjekt politik do të drejtojë dy komunat më kryesore të vendit, një tjetër ka rikthyer disa komuna, një tjetër ka fituar më së shumti asamblistë komunalë në nivel vendi, dy të tjera kanë ruajtur pozicionin e mëparshëm. Kështu që, secili subjekt politik mund t'i gëzohet fitoreve. Ajo çka mbetet të shihet është puna e fituesve, për të cilën punë e angazhim ka nevojë vendi si asnjëherë më parë, e kjo para se gjithash në rrafshin e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe gjitha çështjeve që i prekin drejtpërdrejt qytetarët", u shpreh Maloku.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës, e cila mban për kohë të gjatë rolin e subjektit kryesor politik dhe që ka drejtuar me pozitat kryesore të vendit, nuk është aspak e çuditshme që ka dalë subjekti me numrin e vogël të komunave që do t'i drejtojë. "Pozicioni aktual i PDK-së nga vetë PDK-ja duhet të analizohet e të shikohet se ku janë të metat veç faktit se është dashur të ndodhin ndryshimet e kërkuara e të pritshme pas një procesi zgjedhor. Procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale mbaroi dhe ajo çka i pret subjektet politike është analizimi i hapave të kaluar, ristrukturimi e ndryshimi i brendshëm si dhe krijimi i rrymimeve politike që i nevojiten Republikës së Kosovës dhe qytetarit të saj. Që të gjithë të angazhuarit në jetën politike në vend duhet t'i mendojnë sfidat që ka për t'i përjetuar vendi e që një herë e mirë duhet të jemi të përgatitur", potencoi Albinot Maloku. 

(Kosova Sot)