Shtëpia e vjetër e Iljaz Morinës, një gjerdan i rrallë bukurie

  • 21 November 2017 - 18:10
Shtëpia e vjetër e Iljaz Morinës, një gjerdan i rrallë bukurie

Në vazhdën e projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konservuese për objektet e trashëgimisë kulturore të rrezikuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren po vazhdon implementimin e punëve restauruese në një tjetër monument të rëndësishëm të qytetit të Prizrenit. Si rezultat, shtëpia e Iljaz Morinës, monument me rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike për qytetin e Prizrenit, është përzgjedhur nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për ndërmarrjen e masave emergjente, tregon për "Kosova Sot" historiani Simir Krasniqi. Ai është shprehur se këto shtëpi janë të rëndësishme, sepse ato paraqesin një gjerdan bukurie për këtë qytet. Tashmë kur turistët e vizitojnë Prizrenin si pikë referuese janë pikërisht këto gjerdane, që deri më tani nuk ishin të njohura as për vetë prizrenasit, kurse për turistët ishin edhe më pak të njohura.

I takon periudhës së shekullit XIX

Monumenti në fjalë, i cili gjendet brenda Kompleksit të Nënkalasë,"Pantelisë" dhe "Potokmahallës", në rrugën "Marin Barleti", shtrihet në kuadër të ndërtesave të vendosura në varg, të ndërtuara në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, që paraqesin njërin prej shembujve të rrallë të ndërtesave në formë vargu, të ruajtura nga kjo periudhë, me funksion banimi, të kombinuar me ndërtesa administrative, fetare dhe tregtare. Shtëpia u takon shtëpive me tipologji, të tipit me çardak në tërë ballin kryesor, e ndërtuar në kat me material guri dhe qerpiçë, të sistemit "bondruk" me trarë prej druri. Bazuar nga vlerësimi dhe shqyrtimi në terren nga ekipi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shtëpia është konsideruar me disa dëmtime dhe defekte, të cilat duhet të trajtoheshin menjëherë.

Image

Rreth 100 shtëpi të vjetra ende nuk e kanë marrë dorën e restaurimit

"Këto defekte u identifikuan në strukturë të konstruksionit dhe mbulesë të kulmit, të mureve të jashtme dhe të brendshme, si dhe në konstruksion mes kateve", tregon Jusuf Xhibo. Degradimi i vazhdueshëm do të shkaktonte dëmtime serioze në monument, andaj, duke u bazuar në këtë gjendje faktike, u ndërmorën hapat e parë për të mbrojtur shtëpinë e familjes Morina, e cila është karakteristikë për trashëgimin arkitekturore të Prizrenit. Projekti në implementim realizohet si investim i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, i cili po zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Hyrije Hoti, studiuese e trashëgimisë, është shprehur për "Kosova Sot" se janë mbi 100 shtëpi të vjetra, të cilat deri më tani ende nuk e kanë marrë dorën e resaturimeve, por që në fakt ato kanë arritur të ruajnë këtë trashëgimi me shumë peripeci.

(Kosova Sot)