Fituesit u blenë nga BIZNESET E NËNTOKËS

  • 21 November 2017 - 07:43
Fituesit u blenë nga BIZNESET E NËNTOKËS

Tani, që i kemi rezultatet, ndonëse akoma jozyrtare nga balotazhi i së dielës, analistët politikë konsiderojnë se edhe këtë garë zgjedhore e fituan kryesisht pazaret e pista për pushtet dhe jo vota e qytetarëve. Për ilustrimin më të mirë, kjo shpjegohet me faktin e tronditjes së madhe që pësoi Lëvizja 'Vetëvendosje' me Shpend Ahmetin, subjekt politik i cili u detyrua që për të ruajtur pushtetin të bëjë koalicion me njërën nga figurat politike më të apostrofuara në të kaluarën edhe për vlera antikombëtare. Sipas analistëve, fillimisht Shpend Ahmeti dhe VV-ja theksonin se do të fitojnë pa balotazh në Prishtinë, ndërkaq pasi që nuk fituan në raundin e parë ia shtrinë dorën Rrahim dhe Behgjet Pacollit, duke bërë kështu pazare të pista, vetëm e vetëm që ta ruajnë pushtetin dhe që në çdo mënyrë të thithin miliona euro nga shitja e lejeve ndërtimore, "dhurimi" i tokës komunale në qendër të Prishtinës, Stacionin e autobusëve dhe çdo tokë tjetër të vlefshme të qytetarëve, mafio-oligarkëve Devolli dhe të tjerëve. Edhe pse për rezultatet përfundimtare do të duhet edhe disa ditë derisa të shpallen pas përfundimit të numërimit, bie në sy se qytetarët realisht e dënuan lëvizjen VV, pikërisht për shkak të inkriminimit me nëntokën, duke bërë kështu që dallimi i rezultatit nga zgjedhjet e qershorit të po këtij viti nga këto të disa muajve më vonë të jetë goxha i madh. Përderisa Lëvizja 'Vetëvendosje' në zgjedhjet e qershorit kishte dalë fituese në nëntë komuna, në zgjedhjet e kësaj vjeshte arriti të konfirmojë fitoren vetëm në Kamenicë, duke pritur edhe rezultatet e numërimit të votave me kusht në Prishtinë dhe Prizren. Sipas analistëve, ky fakt flet se qytetarët janë lodhur dhe se edhe marrëveshjet para balotazhit, siç ishte edhe marrëveshja e Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut dhe VV-së me ata që deri dje i quanin mafiozë të Rusisë, pra me Pacollët, ishin realisht pazare të pista për pushtet në kurriz të qytetarëve dhe blerje të votës. Si zakonisht, as kësaj radhe kreu i Komunës së Prishtinës,Shpend Ahmeti, e as vëllezërit Devolli nuk kanë kthyer përgjigje.

Image

 

Biznes me zgjedhje

Edhe analisti Faton Mehmeti pohon se, pavarësisht ekzaltimit të VV-së ne pritje të rezultatit final, shuplaka e qytetarit kundër keqqeverisjes ka qenë e fortë, prandaj u detyruan të shkojnë në koalicion me armiqtë e deridjeshëm. "Besoj se qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen dhe të ndëshkojnë, si dhe të shpërblejnë ata që meritojnë. Këto zgjedhje të fundit dëshmuan një gjë të tillë dhe kjo është mjaft premtuese për demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës. Prishtina natyrisht se ishte fokusi më i madh në mes të dy partive që ishin në këtë garë VV-ja dhe LDK-ja. Të dy partitë politike shfrytëzuan çdo gjë që të arrijnë objektivat e tyre, ndërkohë që rezultati ishte shumë i ngushtë, aq sa do ta përcaktojnë fituesin votat e diasporës dhe ato me kusht", theksoi Mehmeti. Ai ka pohuar se koalicioni i LDK-së me AAK-në ishte një lëvizje taktike e natyrshme që ndodh në demokraci, por se koalicioni VV-AKR lë shumë për të dyshuar. "Koalicionet janë të natyrshme, të bëra në bazë të interesave të caktuara, por gjithsesi dyshoj se Devollët janë përzier në këtë 'mesele', duke favorizuar atë që e ka më të afërt në aspekt të lidhjeve biznesore", ka thënë ai."Mijëra euro janë hedhur në konto të VV-së, por edhe të LDK-ja nga biznese të ndryshme për t'u favorizuar pastaj në tenderë, dukuri kjo mjaft e përhapur. Një X biznesmen tregonte se si u ka dhënë nga 30 mijë euro tri partive të mëdha, që cila të fitojë, t'i ketë dyert hapur për tenderë dhe kjo është prezente kudo në Kosovë. Duhet një hetim i thellë nga Prokuroria e Shtetit ndaj të hyrave të partive politike, nga i marrin, kush ua jep, dhe të shikohet dhe verifikohet pasuria e atyre që japin para për partitë politike. Kosova nuk guxon të vazhdojë të financohet nga Devollët, e pastaj të udhëhiqet nga marionetat e tyre", tha Faton Mehmeti.

Image

 

QARRI: MARRËVESHJA E SHPEND AHMETIT,DARDAN SEJDIUT DHE VV-SË ME RUSOFILËT!

Sipas analistit Gani Qarri, ndonëse tanimë kemi rezultatet preliminare të votave, të cilat ende nuk janë përfundimtare, pa numërimin e atyre me kusht dhe me postë, siç duket as ky balotazh nuk u shpëtoi pazareve të pista dhe blerjes së votës së qytetarëve për pushtet, sidomos nga VV-ja, me paratë e panumërta të islamistëve ekstremistë dhe klaneve tjera mafioze të nëntokës, si për Shpend Ahmetin në Prishtinë ashtu edhe për Mytaherin në Prizren. "Kjo flet për frikën nga humbja e udhëheqësve kryesorë të VV-së, përfshirë edhe anëtarët më aktivë të saj, të cilët që nga rundi i parë shihej se ndiheshin kudo tejet të pasigurt dhe shumë të shqetësuar për balotazhin, sidomos në Prishtinë, ku Shpend Ahmeti ende rrezikohet seriozisht të humbë nga Arban Abrashi i LDK-së, bashkë me bastionin që e mbajnë për katër vjet", u shpreh ai. "Edhe pse për rezultatet përfundimtare të numërimit të votave, duhet të presim edhe disa ditë, që nga votimet e tetorit, bie në sy se qytetarët realisht e dënuan me të drejtë lëvizjen 'Vetëvendosje', sidomos pas bërjes të njohur nga mediat-inkriminimin e VVsë, me mafio-oligarkët dhe grupet e tjera të mundshme të nëntokës, duke bërë kështu që dallimi i rezultatit nga zgjedhjet e qershorit të po këtij viti vetëm pas disa muajve më vonë të jetë kaq i madh dhe përmbysës për VVnë", vijoi më tej Qarri. Sipas tij, kjo tregon katërçipërisht se vërtet qytetarët janë lodhur tanimë me sjelljet agresive dhe veprimet aventureske të VV-së dhe se edhe marrëveshjet para balotazhit, njëjtë si edhe marrëveshja aktuale e Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut dhe VV-së me klanin si ai i Pacollëve, të cilët deri dje i quanin mafiozë rusofilë dhe dorë e zgjatur e Rusisë.

Image

 

BADALLAJ: NË PRISHTINË U BËNË PAZARE TË PISTA TË NËNTOKËS KRIMINALE PËR TË MOS LËSHUAR PUSHTETIN KLUBI 'VETËVENDOSJE'

Analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se ai edhe më herët kishte thënë se në Prishtinë do të ketë pazare të pista të nëntokës kriminale për të mos lëshuar pushtetin klubi 'Vetëvendosje', se duhej medoemos të rrinin në pushtet për t´i kryer pazaret me bandën mafioze Devolli, që i kanë bërë prapa kurrizit të popullit, si lejet e dhëna të ndërtimeve-shitjeve, dhurimi i tokës së komunës në zemër të Prishtinës, Stacionin e autobusëve dhe kush e di se çka del tani e tutje nëse pas rezultatit përfundimtar vërtet konfirmohet fitorja dhe u vazhdohet pushteti."Kur e nuhatën se populli tashmë i ka kuptuar, ky klub, pa fije turpi, pa asnjë pikë fytyre ftuan për martesë serbo-rusët e Pacollit, që deri dje nuk linin gjë pa u sharë e kritikuar, që kur erdhi në pyetje karrigia dhe paraja e hajnisë i harruan të gjitha, duke e tradhtuar jo vetëm elektoratin, por tërë popullin. Sidoqoftë këto pazare të pista kundër qytetarëve të Prishtinës nuk e kanë ymrin e gjatë se së shpejti do të dalin në shesh shumë gjëra të pazbuluara. Nuk e dinë se përpos këtyre dallavereve të matrapazëve dhe dilenxhinjve është zakon nga serbo-rusët e Pacollit që nuk kanë fare dert t´i lënë krushqit në rrugë", u shpreh Badallaj.

Image

 

GRAPCI: SHPEND AHMETI DHE VV-JA I KANË BLERË VOTAT NË GARËN PËR PRISHTINËN

Ndërkohë, analisti Dardan Grapci vlerëson se si në balotazh, si në rundin e parë, Shpend Ahmeti dhe VV-ja i kanë blerë votat në garën për Prishtinën. "Problemi kryesor është se çka do të ndodhë me Prishtinën në 4 vitet e ardhshme, a do të vazhdojë e njëjta afër e skandaleve nga Shpend Ahmeti dhe DEVOLLËT apo kjo do të ndërpritet? Duke e ditur që në qeverisjen e kaluar Shpend Ahmeti premtimet e bëra asnjërën nuk e ka realizuar, përkundrazi e ka fundos Prishtinën ekonomikisht thellë, duke filluar me marrjen e pronave private me dhunë e deri tek dhënia e parcelave DEVOLLËVE për punët e tyre kriminale", potencoi Grapci.

(Kosova Sot)