Erdogan: Do ta ndërtojmë centralin bërthamor, pavarësisht se a shqetësohet dikush

  • 21 November 2017 - 20:27
Erdogan: Do ta ndërtojmë centralin bërthamor, pavarësisht se a shqetësohet dikush

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehu vendosmërinë që Turqia të zhvillojë energji bërthamore, pavarësisht nëse dikush ndihet i shqetësuar nga kjo.

"Ne do të zhvillojmë energjinë bërthamore, pavarësisht nëse disa ndihen të shqetësuar nga kjo gjë", tha Erdogan në një ceremoni inaugurimi në sektorin e investimeve në Energji në Ankara, organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Resurseve Natyrore.

Erdogan tha se Turqia ka hedhur hapa të rëndësishëm në sektorin e energjisë, përfshirë atë termoenergjinë, energjinë diellore dhe atë të erës, duke theksuar se tani do të hedhin hap në drejtim të zhvillimit të energjisë bërthamore, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti turk po ashtu kritikoi personat dhe qarqet që përpiqen ta sabotojnë projektin e energjisë bërthamore të Turqisë, duke thënë se kundërshtimi i centralit bërthamor të Turqisë do të thotë varësi e Turqisë ndaj resurseve të jashtme energjike.

"Ata që dje u shërbyen puçistëve dhe kujdestarëve të tyre, sot janë shërbyes të atyre që përpiqen t'i sabotojnë investimet e Turqisë në fushën e energjisë", tha Erdogan.

Ndryshe, Turqia aktualisht planifikon të ndërtojë tri centrale bërthamore, përfshirë centralin Akkuyu në provincën jugore turke Mersin, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë në fillim të vitit 2018 dhe funksionalizohet në vitit 2023, njoftoi të hënën Ministri i Energjisë dhe Resurseve Natyrore i Turqisë, Berat Albayrak.

 (Kosova Sot)