Kush ishte Charles Manson, psikopati udhëheqës i kultit që tronditi botën

  • 22 November 2017 - 11:23
Kush ishte Charles Manson, psikopati udhëheqës i kultit që tronditi botën

Charles Manson, lideri i një kulti vrasësish që terrorizoi Amerikën vdiq këtë të dielë në moshën 83 vjeçare.

Charles Manson dhe “skllevërit” e tij tronditën një gjeneratë për shkak të akteve të natës së 8 gushtit të vitit 1969, kur mes një lumi gjaku masakruan dhe therën aktoren e bukur Sharon Tate dhe 5 nga miqtë e saj dhe pak më vonë në një dasëm Leno dhe Rosemary Labianca. Ngjarja barbare ndodhi në Los Angeles, mes kodrave të blerta, vilave, pishinave me ujë të qashtër, palmave dhe madhështisë së Hollivudit, por e errët për ndonjë skenar romani të zi.

Kush ishte Charles Milles Manson, kafsha e zezë e hipizmit e drogës dhe e revolucionit seksual?

Apriori, i papërfillshëm. I shkurtër 1.57 metra, fytyrë e zakonshme me sy veçanërisht të shndritshëm dhe sipas dëshmive të vajzave të tij me një seksualitet të pashtershëm. Erdhi në këtë botë në 11 nëntor të 1934 në Cincinnati, Ohio, nga një nënë në moshë të re, vetëm 16 vjeç, dhe më baba që nuk e njohu, Walker Scott, e ëma alkolike dhe e dënuar me 5 vite burg në vitin 1939 për agresion në një stacion shërbimi. 

Ajo pati një martesë kalimtare me një njeri të quajtur William Manson, bartës i pafajshëm i një mbiemri tragjik. Charles kreu krimin e tij të parë në vitin 1947 në moshën 13 vjeçare. Vodhi në një supermarket. 

U arratis nga reformatori 4 ditë më pas me një shok. Që nga 1951 dhe në vazhdim kreu disa sulme dhe vjedhje makinash. Mori 8 dënime dhe u lirua në vitin 1954 për sjellje të mirë. 

U martua me Rosalie Jean Williams me të cilën pati një djalë dhe deri në vitin 1967 i humb gjurmët. Filloi të interesohej për ezoterizmin dhe filozofinë orientale. U zhvendos në San Francisco. 

Filloi kështu edhe historia e vërtetë e klanit Manson. Në shumë pak kohë, përveç Madisonit bashkëjetonte edhe me 18 femra të tjera. Ishte një atlet i dashurisë në vitin 1967 që shpërtheu në festivale dhe në mbledhjet e hipive. Për atë ishte mjaft e lehtë t’i gjente këto gra sikur të peshkonte në një fuçi. 

Në fund të verës vodhi një autobus shkollor e mbushi me tapete dhe jastëkë me ngjyra dhe së bashku me 9 nga vajzat e tij përshkruan gjysmën e Amerikës. Me se jetonin? Me prostitucion. Për të paguar qiratë e shtëpive paguanin me seksin e adhurueseve të tij.

 

 

Në 15 prill të 1968, Brunner lindi një fëmijë të dytë, Valentine Michael. Pak nga pak po formohej përbindëshi, nga një vagabond dukej i destinuar për muzikën, sidomos kur njohu bateristin e The Beach Boys, të cilit ia fitoi besimin duke i lëpirë këpucët. Fara e së keqes filloi të mbinte në kokën e tij.

Imagjinoi se Amerika ishte në kufirin e një shpërthimi shkatërrues, beteja mes të bardhëve dhe të zinjve, ku fitues do të ishin këta të fundit, preludi i Apokalipsit të Shën Jovanit, përzier me muzikën e The Beatles, skllavëri seksuale, urrente derrat, drogëra të të gjitha llojërave dhe ngjyrave dhe tërheqje ndaj vajzave me status social të mirë, por me shpirt aventure. 

Në qershor të 1969 Manson i mblodhi skllavet e tij dhe u tha që ishin thirrur për t’u treguar zezakëve Helter Skelter (marrë nga një temë e The Beatles që aludon shkallën e një memoriali në Londër) dhe filloi të vërdallisej rreth 10050 Cielo Drive, Beverly Hills, Kaliforni, shtëpi e marrë me qira nga Roman Polanski dhe Sharon Tate. Mëngjesin e 8 gushtit të 1969, Manson urdhëroi 3 nga skllavet e tij, Susan Atkins, Linda Kasabian dhe Patricia Krenwinkel të hynin në shtëpi dhe të vrisnin njerëzit e kësaj shtëpie në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. 

Si robotë të tri femrat iu bindën urdhërave. 

Atë natë në shtëpi ishin Sharon Tate (Polanski ishte në Londër për një film) e cila ishte shtatzënë prej 8 muajsh, miku i saj Jay Sebring, parukieri i yjeve, skenaristi Wojciech Frykowski dhe e fejuara e tij, Abigail Folger një trashëgimtare e një kompanie kafeje. Në mesnatën e datës 9 prenë linjën telefonike dhe Susan, Linda dhe Patriacia hynë me çanta me rroba të pastra dhe me thika të mprehta. Tex Watson, i vetmi mashkull i grupit ishte i armatosur me një revolver dhe mbi një shpatull mbante një litar najloni prej 13 metrash. Në atë moment po dilte nga shtëpia Steven Parent, 18 vjeç, mik i mirëmbajtësit të shtëpisë.

Watson nuk humbi kohë dhe e vrau me 4 plumba në kraharor. Pjesa tjetër ishte ferri mbi tokë. Sharon Tate dhe miqtë e saj vdiqën nga plumbat dhe thikat. Ishin aq shumë sa sipas policisë i kalonin të 40.

Pas masakrës mbi një mur shkruajtën me gjak fjalën derr. Të mbuluar në gjak mbërritën në shtëpinë e Leno Labianca, drejtor i një supermarkatoje dhe të Rosemary-it, gruas së tij dhe i vranë me plumba dhe thika: 41 goditje thikash vetëm tek trupi i Rosemary-t, 16 të tjera ishin në trupin e Sharonit dhe të bebes që ajo priste. Për fat të mirë vargu u krimeve u ndërpre shpejt. Mansoni u dënua me vdekje për nxitje të krimit si ideator, por nuk vrau askënd. 

Në vitin 1972 iu zbrit dënimi në burgim të përjetshëm, pasi gjykata e lartë  anulloi dënimin me vdekje në po atë vit.  Leslie Van Houten që iu bashkua edhe ajo krimit besonte se shihte tek Mansoni një Jezukrisht dhe tani vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Susan Atkins, ish balerinë topless dhe skllavja më e afërt me Mansonin vdiq në burg në vitin 2009 në moshën 61 vjeçare. 

Ajo rrëfeu se e kishte vrarë Sharon Tate. Kur dëgjoi dënimin me burgim të përjetshëm u tall dhe kërcënoi gjykatësin dhe anëtarët: “Më mirë mbyllni dyert dhe ruajini fëmijët tuaj!” Patricia Krenwinkel fajtore për 7 vrasje është tani 69 vjeç, betohet se është penduar dhe kërkon lirinë me kusht. Linda Kasabian fitoi imunitet duke deklaruar kundër Mansonit. Ka 4 fëmijë dhe besohet se jeton diku në bregun lindor.

Charles Manson vdiq në një spital të Bakersfield. Jetoi në të njëjtën qeli për 46 vite, e braktiste vetëm për disa minuta për të marrë patate të skuqura ose çokollata nga një makineri. Supozohet se ka vrarë shumë më shumë, edhe pse u dënua vetëm për nxitje krimi. Në vitet e fundit përqafoi kauzën jeshile, mbrojtjen e planetit. Betohej se jetonte në “nëntokë”. Merrte letra nga admirues. Letrat e çokollatave të tij u shitën 750 dollarë dhe letra higjenike e tij 500.

(Kosova Sot)