Zgjedhjet zbardhën edhe më shumë anën kriminale të VV-së

  • 22 November 2017 - 07:47
Zgjedhjet zbardhën edhe më shumë anën kriminale të VV-së

Duke parë e vërtetuar edhe veprimet e fundit të VV-së, që u bënë publike pas procesit zgjedhor të balotazhit të së dielës, analistët politikë vlerësojnë se tani gjithnjë e më shumë po dëshmohet se "Vetëvendosje" është futur thellë në krim të organizuar. Sipas tyre, VV-ja është bërë një kopje identike e klanit të kriminalizuar PRONTO, jo vetëm duke punuar për interesa të mafio-oligarkëve, si dhe duke u financuar pikërisht nga mafio-oligarkët dhe nëntoka kriminale, duke u shëtitur nëpër jahtet e tyre, siç edhe u dokumentua me foto Shpend Ahmeti, duke shitur tenderë, hapësira, leje ndërtimore, e deri tek afro qindra hektarë toke komunale në qendër të Prishtinës, por edhe tani në këto zgjedhje, duke kontaktuar qytetarët rrejshëm në emër të OJQ-ve të tyre partiake, për më tepër edhe duke transportuar qytetarët e mashtruar për në qendër të votimit. Sipas analistëve politikë, këto veprime janë një skemë e ndërtuar enkas kriminale dhe në kundërshtim me ligjin dhe që ka për qëllim devijimin e votës dhe krejt kjo bëhet duke pasur në mbështetje financuesit e inkriminuar që po ia mundësojnë VV-së këto veprime kaq kriminale. Dhe të gjitha këto gjëra, sipas analistëve, ndodhin e bëhen publike, por prokuroria nuk po i heton këto veprime kriminale të VV-së. Pse nuk e bën këtë Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit të gazetës "KOSOVA SOT", derisa analistët dyshojnë se hetimet nuk bëhen për shkak se edhe prokurorët po frikësohen nga të mëdhenjtë e nëntokës kriminale që po e financojnë VV-në me para të krimit dhe jo vetëm. Përgjigje si zakonisht nuk kanë kthyer as komuna e Prishtinës dhe kryetari Shpend Ahmeti. Përgjigje si zakonisht nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli.

Image

 

Votat me kusht mund ta rrëzojnë Shpendin

Një identitet shumë i afërt i klanit 'Pronto' të VV-së me atë të PDK-së pas këtyre aferave të fundit e sheh edhe Mustafë Kadrijaj."Bisedat telefonike të ish-zyrtarëve më të lartë të Partisë Demokratike, të quajtura si biseda 'Pronto', i ka ndëshkuar mjaftueshëm deri më tani vota e qytetarit, në dy palë zgjedhjet e fundit, që në njëfarë mënyre i tregoi që nuk mund të manipulohet pa kufi me pasurinë dhe me dinjitetin e qytetarit. Ndërsa Lëvizja 'Vetëvendosje' është një profil ndryshe nga të gjitha partitë e tjera, si për nga organizmi dhe fryma majtiste, sepse tani këtu vjen edhe me infiltrim të ekstremit islamik, me një frymë që çdo parti dhe çdo njeri që nuk pajtohet me idetë e tyre e shohin si armik", u shpreh ai."Mendoj që fytyra e vërtetë u tregua këtë vit, me veprimet e tyre, që treguan se janë një rrezik serioz për perspektivën e Kosovës me kauza false, që janë duke luajtur dhe duke prekur edhe në ndjenja të një pjese të qytetarëve. Mendoj që rasti i shoqatës fantome, e cila veproi duke i thirrur qytetarët gjëja për vetëdijesim rreth daljes në zgjedhje, ndërsa kishte prapavijën e veprimit, orientimin dhe devijimin e votës së lirë të qytetarit, duhet të hetohet, analizohet edhe veprohet nga KQZ-ja me hapa dhe vendime konform ligjit. Po ashtu edhe organet e rendit dhe prokuroria duhet t'i shkojnë deri në fund kësaj loje për të parë se kush është ajo organizatë dhe kush qëndron prapa saj", theksoi Kadrijaj. Sipas analistit Ragip Guraziu, të gjitha ato makinacione të klanit 'Pronto' të VV-së, përpjekja për blerje të votës me paratë e pista të nëntokës, por edhe mashtrimi i qytetarëve në emër të një OJQ-je mund të kenë një fund fatal, ndëshkimin me votë, duke përmbysur rezultatin tani shumë të ngushtë nga votat me kusht. "Votat me kusht do të rrëzojnë Shpend Ahmetin, pasi ato do jenë në favor të Abrashit, në rast se u referohemi zgjedhjeve paraprake, sepse këto vota me kusht ishin gjithnjë në favor të LDK-së. Edhe pse është thënë çdo ditë e më shumë se 'Vetëvendosje" është futur thellë në krim të organizuar, këto zhvillimet dhe makinacionet e fundit treguan akoma më fuqishëm se kjo Lëvizje me të vërtetë është bërë një kopje identike e klanit të kriminalizuar PRONTO", tha Ragip Guraziu.

Image

 

 

 

BADALLAJ: KLUBI I "VETËVENDOSJES" ËSHTË KOPJE IDENTIKE E KLANIT "PRONTO"

Edhe analisti politik Reshat Badallaj thotë se tani, me këto veprime, vetëm sa po fuqizohet argumenti edhe ashtu i pakontestueshëm, i konstatuar më herët, se klubi i 'Vetëvendosjes' është kopje identike e klanit "Pronto" dhe mu për këtë janë futur thellë në krim të organizuar kundër shtetit tonë."Të gjithë shkatërruesit e vendit janë të mbështetur fuqishëm nga këto grupe që pasurinë e kanë bërë me hajni.Matrapazi Shpend Ahmeti kurrë nuk do të zbulohej në lidhjet kriminale po të mos kapej në jahtin luksoz për dallaveret që kanë bërë këta dilenxhinj prapa shpinës së popullit", u shpreh ai. "Shpend Ahmeti, ky matrapaz, do të qëndrojë në pushtet akoma, me çdo kusht e me të gjitha mjetet, sepse akoma nuk i ka ndarë të gjitha pazaret me bandën serbiane 'Devolli', që kanë shitur tenderë, hapësira, leje ndërtimore, e deri te qindra hektarë tokë duke ia dhënë bandës Devolli.E thashë këtë sepse në ditën e zgjedhjeve ca banditë të kamufluar kishin ndërsyer motrat e tyre që të bëjnë propagandë për të zgjedhur Shpendin dhe se pa reshtur propagandonin për të marrë pjesë në votime dhe sipas tyre do të fitojë.Dhe, më thoni se si mund të quhen këto zgjedhje të lira dhe demokratike.Kjo është krim dhe pastaj lidhja e këtij klubi me bandën serbo ruse të Pacollit vjen që vetëm e vetëm që të mos e humbin pushtetin", vijoi më tej ai."Pra, Shpend Ahmeti e ka shpinën e fortë, ngase me para mbështetet nga banda serbiane 'Devolli' dhe më mirë i shkon zëri dhe hapja e gurmazit në të mirë të Devollëve e kundër interesave të qytetarëve të Prishtinës, sepse nuk ishte rastësisht Shpend Ahmeti që para këtyre zgjedhjeve iku në bandën serbiane që quhet 'Devolli' dhe u takuan në jahtin disa milionësh që mori emrin Shpend Jahti", tha Reshat Badallaj.Ai ka pohuar se edhe Prokuroria i di të gjitha këto veprime kriminale, sepse shkruhet e flitet që nga mëngjesi deri në darkë, por nuk guxon të marrë një hap drejt shkatërrimit të kësaj bande.Ai thotë se loja me emrin e një OJQ-së për mashtrim të votuesve, që e ka bërë VV-ja, në një shtet ligjor e demokratik do të ndiqej e ndëshkohej aty për aty, por kjo po lejohet vetëm në Kosovë.

Image

 

HERTICA: SHPEND AHMETI I INVOLVUAR NË SHUMË MARIFETLLËQE TË PISTA ME GRUPE MAFIOZE

Analisti politik Ali Hertica thotë se tani po shihet se VV-ja, që shihej si shpresa e vetme për qytetarin, i cili përjetoi shumë mashtrime e plaçkitje nga politika e inkriminuar edhe gjatë këtyre viteve të pasluftës nga subjektet që ishin në qeverisje për një dekadë e gjysmë, doli të jetë akoma më e inkriminuar se të parët."Edhe këta liderë politikë, kinse të rinj, u dëshmuan që e zhvaten pasurinë e shtetit, vodhën sa mundën, sepse u bënë njësh duke u kapur nga mafia e oligarkëve politikë për interesat e grupeve dhe klaneve të tyre.Edhe pse deklarohej kundër të inkriminuarve dhe oligarkëve politikë të nëntokës kriminale, tani del i njëjti lider partiak i asaj fryme që shihej frymë politike e shpëtimit, një lider shpirtëror siç është Albin Kurti, ku vetë bashkëpartiaku i tij shkon i relaksuar dhe bën akoma më shumë relaks në jahte, duke harruar betimin se do të jetë bashkë me qytetarin dhe do të mbrojë denjësisht interesin e tij.Kjo storie skandaloze e tregoi të kundërtën, ngase doli lakuriq edhe vetë Shpend Ahmeti i involvuar në shumë marifetllëqe të pista me këto grupe që janë kundër qytetarit, e të cilave pa kursim ai u ofron tenderë dhe dhjetëra hektarë tokë për ta rritur biznesin e tyre të pistë në kurriz të sovranit të votës", theksoi Hertica.Ai thotë se nga kjo lidhje me krimin vetëm sa u vulos e vërtetua edhe me paraqitjen fantome të një OJQ-je që në emër të VV-së mblidhte dhe mashtronte qytetarët për të votuar kandidatin e tyre."E gjithë kjo tregon një joseriozitet dhe veprim të inkriminuar nga VV-ja që është e involvuar në këto matrapazllëqe apo qoftë edhe kontrata me OJQ-të, për t'i keqpërdorë votat e sovranit, veprim i cili decidivisht është i paligjshëm dhe korruptiv.Tani kemi dyshim që të gjitha këto manifestime të paligjshme dalin si të pakontrolluara, apo mbase edhe me ndërdije të plotë, edhe nga lideri shpirtëror Albin Kurti, duke i financuar grupet e oligarkëve", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Image

 

VV-ja, e lidhur me mafio-oligarkët "Devolli"

Analisti Gani Qarri theksoi se fakti që Lëvizja 'Vetëvendosje' detyrohet jo vetëm të manipulojë me shumicë, por edhe t'i blejë në mënyrë masive votat e qytetarëve të varfër në Prishtinë dhe në Prizren me paratë e pista të ekstremistëve islamistë, flet mjaft për teposhtën që ka marrë kjo parti, për të cilën, siç duket, dhe nuk do të ketë më ngritje."Se vërtet qytetarët janë lodhur tepër me sjelljet agresive dhe veprimet aventureske të VV-së,përfshirë edhe veprimet e fundit të saj me prapavijë të dyshimtë, të fshehtë dhe kriminale, përmes të ashtuquajturave OJQ fantome po dëshmon edhe një herë më tepër se VV-ja nuk zgjedh mjete as mënyrë për të manipuluar qytetarin që të vijë në pushtet, edhe përmes pazareve të dyshimta e kriminale, njëjtë si ato të njohura tanimë vetëm nga ish-klani "Pronto"", është shprehur ai. Tutje ka shtuar: "Tanimë vërtetohet katërçipërisht se vërtet elementët kryesorë të 'Vetëvendosjes' janë gjithnjë e më të uritur për pushtet e pasurim të pajustifikueshëm, nga mafio-oligarkët dhe rrymat e kriminalizuara ekstremiste fetare, në koketim me të cilat ndihen aq të fortë e të paprekshëm saqë as drejtësia dhe ligji nuk guxojnë të veprojnë kundër tyre. Ata, pareshtur përpiqen të nxjerrin edhe veprime të reja antiligjore, si OJQ-të fantome së fundmi, që të sigurojnë votat e mjaftueshme duke mashtruar, gënjyer dhe blerë ato nga qytetarët e varfër e të nëpërkëmbur", është shrehur ai. Qarri thekson se faktet e tilla dëshmojnë botërisht se për VV-në nuk është më karakteristike vetëm kooketimi dhe bashkëveprimi me kompaninë më të kriminalizuar në vend të vëllezërve Devolli, por edhe lidhja e saj me mafio-oligarkët e tjerë, deri te ekstremizmi fetar islamik, duke mos zgjedhur mënyrë as mjete për ngjitje të veten dhe kandidatëve të saj në pushtet, duke bërë edhe një kopje tejet e keqe e ish-klanit të kriminalizuar PRONTO në vend."Modeli më i ri i veprimit manipulativ dhe të dënueshëm ligjërisht i VV-së, përmes të ashtuquajturave OJQ të rrejshme, që bartnin e transportonin qytetar, duke u diktuar atyre se për kë duhej të votonin, vota këto pa vullnet dhe të marra me detyrim, që të gjitha duhet të shpallen të pavlershme dhe anulohen tërësisht, në mënyrë që në zgjedhjet e tjera të mos bëhet luftë ndërmjet partive me përsëritjen e veprimeve të tilla kriminale. Kjo skemë e ndërtuar enkas për mënyrën e diktimit jo vetëm se është në kundërshtim me ligjin dhe që ka për qëllim devijimin e votës, por është edhe veprim i ndaluar për detyrimin e votuesit, që tu jap votën personave dhe një partie të caktuar, pa vullnetin e tij. Këto janë metoda diktatoriale veprimi të lindjes dhe nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë evropiane, e siç duket realisht edhe financuesit që po ia mundësojnë VV-se këto veprime kaq kriminale vijnë nga andej dhe janë hiq më pak se vetë ekstremistët islamikë dhe mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend, kundër të cilëve tash e sa kohë nuk ka guxim as Prokuroria të ngrejë zërin", është shprehur ai.

(Kosova Sot)