AKK-ja paralajmëron masa kundër monopoleve

  • 22 November 2017 - 08:10
AKK-ja paralajmëron masa kundër monopoleve

Askush nuk e di me saktësi se kur pritet të shkapet ekonomia kosovare nga "të fortët e ekonomisë dhe të politikës". Analistët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve thonë se shpresa e tyre e vetme se do të luftojnë monopolet, të cilat që nga paslufta kanë zënë rrënjë në shumë fusha të ekonomisë, mbetet Qeveria aktuale. Ata me të drejtë pyesin se përse të gjitha qeveritë e pasluftës kanë dështuar që të garantojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, ndërsa habiten se si janë dorëzuar e nënshtruar para oligarkëve të inkriminuar që kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit, edhe ministra, edhe drejtorë, edhe deputetë. Analistët e kanë shtruar në diskutim çështjen se përse nuk po i ndërpritet kontrata monopoliste Shkëlqim Devollit për homologim të automjeteve. Veç saj, ata kritikojnë drejtuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës se ende po hesht për këtë krim ekonomik ndaj qytetarëve dhe shtetit. Analistët e shtrojnë në diskutim edhe heshtjen e Prokurorisë Speciale, e cila deri më tash nuk e ka hapur madje asnjë hetim për këtë rast tipik të krimit ekonomik. Qeveria ndërkohë nuk është deklaruar rreth kësaj teme. Me gjithë pyetjet e drejtuara nga ana e gazetës në adresën elektronike, si dhe telefonatat e bëra se çka thonë për këtë çështje, Prokuroria Speciale e Kosovës, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe afaristi Shkëlqim Devolli nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Image

 

Lista e shkelësve

Nënkryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, tha për "Kosova Sot" se ekipet e ekspertëve që një kohë të gjatë janë duke punuar në këtë drejtim dhe tashmë nga ana e tyre është hartuar një listë e të gjitha atyre llojeve të bizneseve për të cilat dyshohet se ato kanë bërë shkelje ligjore, përkatë- sisht se ato biznese kanë monopole në tregun kosovar. "Së këndejmi në mesin e atyre bizneseve që dyshohet se kanë monopole bën pjesë edhe monopoli në fushën e homologimit të automjeteve", vlerëson ai. "Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pritet që së shpejti të ndërmarrë masa konkrete ndaj të gjitha atyre llojeve të bizneseve që afarojnë në kundërshtim me ligjet aktuale dhe Kushtetutën e vendit dhe që e cenojnë ekonominë e lirë të tregut, që fundja është e garantuar edhe me Kushtetutën e vendit ", theksoi Krasniqi. Ndërsa lideri i AKB-së, Agim Shahini, në prononcimin për gazetën "Kosova Sot", nuk ka dashur që të komentojë heshtjet e deritashme të të gjitha qeverive të Kosovës që hezituan për luftimin e monopoleve në ekonominë e brishtë të Kosovës. Mirëpo, sipas tij, Qeveria e Ramush Haradinajt mbetet shpresa e vetme e bizneseve të ndershme se do të luftojë monopolet në fushën e ekonomisë."Jam shumë i bindur se Qeveria 'Haradinaj' do të fillojë së vepruari në këtë drejtim që në fillim të janarit 2018, sepse deri më tani kjo qeveri ka qenë e stërngarkuar nga agjendat politike", u shpreh ai

Shpresat e biznesit te Qeveria

Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën"Kosova Sot" tha se janë shumë të bindur se Qeveria 'Haradinaj' nuk do të veprojnë sikurse qeveritë e mëparshme, duke lejuar monopole në shumë fusha të ekonomisë, sikurse që ka qenë rasti për monopolet në homologim të automjeteve, ku tregun vendor që nëntë vjet është duke e dominuar vetëm një kompani. Ai i ka kritikuar heshtjet e deritanishme të të gjitha qeverive, të cilat si po duket qëllimshëm nuk i luftuan monopolet e shumta. "Monopole ka edhe në fushën e sigurimeve të automjeteve, kamatave të bankave, ngase ka dyshime se kompanitë e sigurimeve, por edhe bankat komerciale, kanë bërë marrëveshje të fshehtë monopoli në mes tyre për çmime të përafërta", theksoi ai."Ndaj besoj se kjo qeveri do të duhej që të krijonte mundësi të barabarta dhe kushte për një treg të lirë për të gjitha bizneset e ndershme dhe jo të veprojnë sikurse që vepruan qeveritë e deritashme, të cilat si po duket nga heshtja e tyre qëllimisht kanë krijuar privilegje për disa biznese dhe grupe të caktuara të interesit dhe të politikës", potencoi Maloku.

Image

 

Shkapja e ekonomisë, e domosdoshme

Analisti Florim Rudhani për "Kosova Sot" tha se ekonomia shkapet kur të pastrohet Policia e Kosovës, pasi që ka dyshime të mëdha se çdo i pesti polic është i korruptuar nga krimi i organizuar. "Nuk besoj që kjo qeveri do të vazhdojë me kapjen e shtetit, sepse SHBA-ja po kthehet në Ballkan dhe nuk do të tolerojë një ekonomi të dobët në Kosovë, së këndejmi miqtë tanë amerikanë do ta pastrojnë Kosovën ngjashëm sikurse Shqipërinë dhe do të fillojnë me pastrimin që nga Policia e Kosovës dhe në çdo sferë tjetër ku është duke çaluar Kosova", u shpreh ai. "Duhet shikuar edhe vetëdijesimin e madh të qytetarëve tanë dhe duhet shikuar se çfarë debakli në këto zgjedhje e pësuan klani "Pronto" dhe shokët e Devollëve, për krimin e organizuar nga oligarkët politikanë , andaj na mban shpresa e madhe se tashmë ka filluar fillimi i fundit të tyre", thotë analisti Rudhani , i cili është i bindur se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në krijimin e një tregu të lirë."Edhe investimet pritet të jenë dukshëm më të theksuara, por së pari do ta pastrojë atë nga fundërrinat e këtij vendi, që po e fuqizojnë tregun e Serbisë dhe po lejojnë ndikimin e Rusisë në Kosovë, ndaj për këtë këtyre politikanëve të korruptuar nga filialet e Serbisë në Kosovë po u vjen fundi", u shpreh ai.

Image

 

Pezullimi i shitjes së tokës bujqësore, hap i mirë

Ish-deputeti Xhevdet Neziraj për gazetën "Kosova Sot" tha se Qeverisë 'Haradinaj' i kanë mbetur të zgjidhë tri probleme kryesore të trashëguara nga qeveritë e kaluara, siç është demarkimi, asociacioni dhe krimi i organizuar në të gjitha poret e jetës në Republikën e Kosovës."Kjo po shihet edhe nga vizitat e ndërkombëtarëve, se Haradinaj edhe një pjesë të mirë të mandatit do të merret me këto tema të nxehta, për të cilat ka qenë dashur që të ketë një konsensus nacional dhe atëherë të mendohet për zhvillim ekonomik të vendit", u shpreh ai."Kam besim se Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj do të dijë t'i kalojë këto beteja të vështira që kanë dalë në rrugë të shtetndërtimit të vendit, që nuk janë të lehta dhe madje të presim rezultate në fushën e ekonomisë dhe përparimit të vendit në tërësi në të gjitha sferat", tha Neziraj. "E vlerësoj si një hap të rëndësishëm të kësaj qeverie vendimin e saj për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore, sepse deri më tani të gjithë biznesmenët tanë që kanë privatizuar tokat bujqësore i kanë shndërruar tokat bujqësore për nevoja tjera, që është në kundërshtimin me ligjin dhe kështu në vend se tokat bujqësore të punohen dhe me produkte ushqimore t'i plotësojmë nevojat tona, ne ende blejmë produkte ushqimore nga Serbia, produkte këto që kishin mundur të prodhohen në vendin tonë me shumë pak investime", potencoi më tej ai.

Image

 

Politika, partnere në krim ekonomik

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha se ekonomia kosovare është e kapur nga bandat e mafio-oligarkëve të kanaleve të nëntokës kriminale."Ata fillimisht ekonomisë ia kanë zënë frymën dhe e kanë kapur që të mos lejojnë konkurrencë të ndershme, por një konkurrencë të pistë dhe duke kontrolluar çdo gjë, duke i detyruar ekonomitë e vogla që të falimentojnë, ndaj kjo edhe ka ndikuar në rritjen e papunësisë dhe shtimin e fukarallëkut që i ka shtyrë në varfëri të skajshme, ndërkohë që Prokuroria e Shtetit nuk guxon as të bëjë zë", theksoi ai. Badallaj-Zhuriani tha se të gjithë këta janë të kapur në vallen e krimit, sepse si mund të shpjegohet ndryshe, përse nuk po i ndërpritet kontrata kompanisë 'Devolli', që është shkatërruesja e vendit me kontratën e homologimit të automjeteve. "Ndërkohë që Prokuroria Speciale nuk i trazon fare, për t'i dërguar prapa grilave, për të shpëtuar Kosovën. Banda serbiane 'Devolli' është e lidhur dhe mbështetet nga banditët politikanë që duhet larguar nga skena politike së bashku dhe po ushqehen nga grazhdi i bandës serbiane 'Devolli'", ka potencuar ai. Sipas analistit Badallaj-Zhuriani, shumë banditë dhe kryebanditë që nga majat e larta të shtetit, qeverisë, janë bashkëpunëtorë të krimit ekonomik që mbështesin bandën 'Devolli'.

(Kosova Sot)