Zeqa: Përgjegjësia te lidershipi i papërgjegjshëm

  • 22 November 2017 - 15:13
Zeqa: Përgjegjësia te lidershipi i papërgjegjshëm

Analisti Florim Zeqa thekson se derisa nuk ka moral të kultivuar në politikën kosovare, edhe modeli i dorëheqjes, si akt moral për humbjen në zgjedhje, ka kohë që nuk ekziston në politikën kosovare, edhe pse një parti politike pëson debakël disa herë radhazi nga elektorati, shkaku i papërgjegjësisë së liderëve dhe mosllogaridhënies para strukturave partiake. "I vetmi rast deri më tani në politikën shqiptare, i cili duhet të shërbejë si shembull për dorëheqjen si akt moral është ish kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Përgjatë shtatë vjetëve të fundit në skenën politike kosovare, edhe përkundër humbjes serike të zgjedhjeve nga ana e partive politike, jo vetëm se nuk kanë ndodhur raste të dorëheqjes nga ana e liderëve partiakë, këta të fundit u janë kërcënuar zërave kritikë brenda partive për dorëheqje!", ka thënë ai.

"Rasti më eklatant është ai i liderit të LDK-së, zotit Isa Mustafa, i cili edhe përkundër humbjes serike në katër palë zgjedhje vazhdon të qëndrojë i paprekur në kreun e kësaj partie. Ngritja e lehtë e LDK-së në zgjedhjet e fundit në asnjë rrethanë nuk e justifikon papërgjegjësinë e liderit për katandisjen e këtij subjekti politik. Rrugës së Isa Mustafës është duke shkuar edhe lideri i PDK-së, zoti Veseli, i cili edhe përkundër debaklit të dytë zgjedhor, mëton të qëndrojë edhe më tutje në krye të partisë", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Ai potencon se edhe shpallja e zgjedhjeve të "jashtëzakonshme" në PDK, pas debaklit zgjedhor, s'është gjë tjetër veçse tendencë për shpërndarje të përgjegjësisë nga ana e liderit të saj. Nëse vendoset për prishjen e koalicionit, sipas Florim Zeqës, në PDK, si parti amë, duhet të rikthehet rishtas edhe Nisma për Kosovën.

"Zgjedhjet e "jashtëzakonshme" në PDK janë vetëm një farse e radhës nga kryetari Veseli, i cili do t'i emërojë njerëzit servilë e të dëgjueshëm, për t'i përdorur si kukulla, ndërkaq ata që kolliten dhe vendosin në këtë subjekt do të jenë prapë të njëjtët njerëz që e sollën në këtë gjendje PDK-në e Thaçit! Nëse PDK-ja vendos të prishë koalicionin me AAKnë, paraprakisht i duhet të akordohet me NISMËN për ta kthyer në gjirin e saj, siç e kishte kthyer dikur LDK-ja LDD-në e Dacit, ndryshe nuk do ta kenë guximin të ndërmarrin një veprim të tillë, pasi realiteti në terren flet, se tanimë PDK-ja është shumë larg nga të qenurit e ish-partia e parë në vend", është shprehur Zeqa.

(Kosova Sot)