Haziri: Këmbëngulja për pushtetin me pasoja

  • 22 November 2017 - 15:26
Haziri: Këmbëngulja për pushtetin me pasoja

Politologu Arsim Haziri thotë se për vetë faktin se PDK-ja ka shpallur zgjedhjet e brendshme, tregon se ky subjekt politik është në rënie e sipër. "Këtë e shprehu më së miri edhe balotazhi i zhvilluar më 19 nëntor. Kjo rënie drastike e këtij subjekti tregon njëherësh edhe për paaftësinë e Kadri Veselit për të konsoliduar partinë me ardhje të reja dhe të fuqishme. Pikërisht kjo neglizhencë dhe paaftësi e tij i kushtoi si në zgjedhjet nacionale, po ashtu edhe në ato lokale, ku arritën t'i marrin pesë komuna, duke i humbur disa komuna mjaft vendimtare në procese. Ky subjekt e ka pësuar, konsideroj edhe për shkak të keqqeverisjeve të deritanishme. Qytetarët jo edhe gjithnjë mendojnë pozitivisht karshi një subjekti, pavarësisht se mund ta thirrin si vendimmarrëse e shumë proceseve", theksoi ai.

Sipas tij, ndryshimet fillojnë me subjektet e reja, me individët, të cilët mendojnë për të mirën e përgjithshme. "Në këtë kontekst, mendoj edhe për qeverisjen qendrore, qeverisje e cila përgjatë vitit 2018 do të shpërbëhet, ngase mundësia për të treguar kredibilitet dhe gatishmëri ndaj proceseve pozitive është mjaft minore. Përfundimisht, rënia e PDKsë shtrihet në dy kahe, një e përbën keqmenaxhimi i vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe të mirës publike si dhe paaftësisë së Kryesisë për të treguar vigjilencë ndaj procese të domosdoshme, që do të kishin pasuar me avancimin e këtij subjekti. Këtu nuk duhet për të përjashtuar natyrisht edhe ambiciet e tyre për pushtet, kjo ka nxitur përdorimin e çfarëdo mjeti për të ardhur në pushtet", tha Arsim Haziri. Edhe ai nuk pret që situata do të shkojë deri në dorëheqjen e krerëve të tanishëm të PDK-së. "Parimi i dorëheqjes nuk është praktikë e liderëve tanë, pavarësisht humbjeve ose ndëshkimeve që mund të marrin",vlerësoi Haziri. 

(Kosova Sot)