Neziraj: Pezullimi i shitjes së tokës bujqësore, hap i mirë

  • 22 November 2017 - 15:40
Neziraj: Pezullimi i shitjes së tokës bujqësore, hap i mirë

Ish-deputeti Xhevdet Neziraj për gazetën "Kosova Sot" tha se Qeverisë 'Haradinaj' i kanë mbetur të zgjidhë tri probleme kryesore të trashëguara nga qeveritë e kaluara, siç është demarkimi, asociacioni dhe krimi i organizuar në të gjitha poret e jetës në Republikën e Kosovës."Kjo po shihet edhe nga vizitat e ndërkombëtarëve, se Haradinaj edhe një pjesë të mirë të mandatit do të merret me këto tema të nxehta, për të cilat ka qenë dashur që të ketë një konsensus nacional dhe atëherë të mendohet për zhvillim ekonomik të vendit", u shpreh ai."Kam besim se Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj do të dijë t'i kalojë këto beteja të vështira që kanë dalë në rrugë të shtetndërtimit të vendit, që nuk janë të lehta dhe madje të presim rezultate në fushën e ekonomisë dhe përparimit të vendit në tërësi në të gjitha sferat", tha Neziraj.

"E vlerësoj si një hap të rëndësishëm të kësaj qeverie vendimin e saj për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore, sepse deri më tani të gjithë biznesmenët  tanë që kanë privatizuar tokat bujqësore i kanë shndërruar tokat bujqësore për nevoja tjera, që është në kundërshtimin me ligjin dhe kështu në vend se tokat bujqësore të punohen dhe me produkte ushqimore t'i plotësojmë nevojat tona, ne ende blejmë produkte ushqimore nga Serbia, produkte këto që kishin mundur të prodhohen në vendin tonë me shumë pak investime", potencoi më tej ai.

(Kosova Sot)