19-vjeçarja i kërkon ndarje burrit, ai e rrah për vdekje

  • 30 July 2015 - 12:02
19-vjeçarja i kërkon ndarje burrit, ai e rrah për vdekje

Hajdini ka pranuar ta ketë shtyrë, por jo me qëllim për ta vrarë. Ai tha se nuk ishin grindur më parë me njëri-tjetrin dhe konflikti erdhi se vajza donte të kthehej te prindërit.

Babai i viktimës ka pohuar se çifti kishte kohë që kishte konflikte. Ai ka shpjeguar se e bija i kishte treguar se grindej me bashkëshortin për probleme të vogla, por të padurueshme për të.

I ka përplasur kokën në tokë bashkëshortes se kjo e fundit kishte dashur të largohej prej tij si pasojë e grindjeve të herëpashershme. Por, si pasojë e përplasjes në një sipërfaqe të betonuar, 19-vjeçarja ndërroi jetë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës së të martës në fshatin Levan të Rrethit të Fierit kur 22-vjeçari Thoma Hajdini ka ushtruar dhunë deri në vdekje ndaj 19-vjeçares F.Sh., nënë e dy fëmijëve të vegjël. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime zyrtare të policisë, të cilat sqaruan se 22-vjeçari Hajdini është arrestuar për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Ngjarja

Pak pas mesditës së të martës, pas një debati me bashkëshortin, 19-vjeçarja F.Sh. i ka thënë atij se do të merrte fëmijët e do të largohej për të jetuar te prindërit e saj në Gjirokastër, pasi nuk mund të duronte më dhunën që i ushtrohej. Në këtë moment, 22-vjeçari Thoma Hajdini është nxehur më shumë dhe ka nisur ta qëllojë. Nga hetimet është konkluduar se e reja ka dalë në oborr të shtëpisë me qëllim që t’i shpëtonte dhunës, por bashkëshorti e ka ndjekur dhe e ka shtyrë.

Si pasojë ajo është rrëzuar në tokë dhe koka i është përplasur në një themel betoni që i ka shkaktuar plagë të rëndë. Si pasojë e goditjes së marrë, 19-vjeçarja ka ndërruar jetë pas pak çastesh. Pavarësisht se familjarët e tjerë kanë tentuar ta shpëtojnë 19-vjeçaren duke e transportuar me urgjencë drejt spitalit, ajo ka mbërritur e vdekur aty. Nga ekspertimi mjekoligjor është konstatuar se viktima kishte një hematomë në kokë që dyshohet të ketë qenë edhe plaga vdekjeprurëse, raportojnë mediat.

Hetimi

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë dhuna e ushtruar ndaj 19-vjeçares prej bashkëshortit të saj. Ndonëse nga ekspertimi mjekoligjor nuk janë gjetur shenja të shumta dhune në trup, rrëzimi i viktimës në tokë ka ardhur si pasojë e shtytjes nga ana e bashkëshortit të saj, kanë pohuar burime të gazetës. Mësohet se 22-vjeçari Thoma Hajdini ka pranuar ta ketë shtyrë, por jo me qëllim për ta vrarë.

Ai ka shpjeguar se nuk ishin grindur më parë me njëri-tjetrin. Ndërkohë, ka treguar se shkak i konfliktit kishte qenë qëndrimi i bashkëshortes që kishte vendosur të kthehej te prindërit në Gjirokastër. Por, babai i viktimës ka dhënë një version të ndryshëm nga dhëndri. Ai ka pohuar se çifti kishte kohë që kishte konflikte për shkaqe jo të rëndësishme.

Ai ka shpjeguar se e bija i kishte treguar se grindej me bashkëshortin për probleme të vogla, por që ishin bërë të padurueshme për të. Trupi i pajetë i 19-vjeçares është marrë nga familjarët e saj në Gjirokastër.

Mësohet se çifti jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ata kishin dy fëmijë të vegjël të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Për të mbijetuar, dy të rinjtë mblidhnin bimë mjekësore në pyjet e zonës.