Qarri: VV-ja, e lidhur me mafio-oligarkët "Devolli"

  • 22 November 2017 - 17:14
Qarri: VV-ja, e lidhur me mafio-oligarkët

Analisti Gani Qarri theksoi se fakti që Lëvizja 'Vetëvendosje' detyrohet jo vetëm të manipulojë me shumicë, por edhe t'i blejë në mënyrë masive votat e qytetarëve të varfër në Prishtinë dhe në Prizren me paratë e pista të ekstremistëve islamistë, flet mjaft për teposhtën që ka marrë kjo parti, për të cilën, siç duket, dhe nuk do të ketë më ngritje."Se vërtet qytetarët janë lodhur tepër me sjelljet agresive dhe veprimet aventureske të VV-së,përfshirë edhe veprimet e fundit të saj me prapavijë të dyshimtë, të fshehtë dhe kriminale, përmes të ashtuquajturave OJQ fantome po dëshmon edhe një herë më tepër se VV-ja nuk zgjedh mjete as mënyrë për të manipuluar qytetarin që të vijë në pushtet, edhe përmes pazareve të dyshimta e kriminale, njëjtë si ato të njohura tanimë vetëm nga ish-klani "Pronto"", është shprehur ai. Tutje ka shtuar: "Tanimë vërtetohet katërçipërisht se vërtet elementët kryesorë të 'Vetëvendosjes' janë gjithnjë e më të uritur për pushtet e pasurim të pajustifikueshëm, nga mafio-oligarkët dhe rrymat e kriminalizuara ekstremiste fetare, në koketim me të cilat ndihen aq të fortë e të paprekshëm saqë as drejtësia dhe ligji nuk guxojnë të veprojnë kundër tyre. Ata, pareshtur përpiqen të nxjerrin edhe veprime të reja antiligjore, si OJQ-të fantome së fundmi, që të sigurojnë votat e mjaftueshme duke mashtruar, gënjyer dhe blerë ato nga qytetarët e varfër e të nëpërkëmbur", është shrehur ai. Qarri thekson se faktet e tilla dëshmojnë botërisht se për VV-në nuk është më karakteristike vetëm kooketimi dhe bashkëveprimi me kompaninë më të kriminalizuar në vend të vëllezërve Devolli, por edhe lidhja e saj me mafio-oligarkët e tjerë, deri te ekstremizmi fetar islamik, duke mos zgjedhur mënyrë as mjete për ngjitje të veten dhe kandidatëve të saj në pushtet, duke bërë edhe një kopje tejet e keqe e ish-klanit të kriminalizuar PRONTO në vend.

"Modeli më i ri i veprimit manipulativ dhe të dënueshëm ligjërisht i VV-së, përmes të ashtuquajturave OJQ të rrejshme, që bartnin e transportonin qytetar, duke u diktuar atyre se për kë duhej të votonin, vota këto pa vullnet dhe të marra me detyrim, që të gjitha duhet të shpallen të pavlershme dhe anulohen tërësisht, në mënyrë që në zgjedhjet e tjera të mos bëhet luftë ndërmjet partive me përsëritjen e veprimeve të tilla kriminale. Kjo skemë e ndërtuar enkas për mënyrën e diktimit jo vetëm se është në kundërshtim me ligjin dhe që ka për qëllim devijimin e votës, por është edhe veprim i ndaluar për detyrimin e votuesit, që tu jap votën personave dhe një partie të caktuar, pa vullnetin e tij. Këto janë metoda diktatoriale veprimi të lindjes dhe nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë evropiane, e siç duket realisht edhe financuesit që po ia mundësojnë VV-se këto veprime kaq kriminale vijnë nga andej dhe janë hiq më pak se vetë ekstremistët islamikë dhe mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend, kundër të cilëve tash e sa kohë nuk ka guxim as Prokuroria të ngrejë zërin", është shprehur ai.

(Kosova Sot)