Kelmendi: Kuadrot më të dobëta erdhën në Kosovë

  • 22 November 2017 - 17:19
Kelmendi: Kuadrot më të dobëta erdhën në Kosovë

Profesori universitar Muhamet Kelmendi ka veçuar se organet e drejtësisë të vendosura në Kosovë si në kohën e UNMIK-ut, ashtu edhe nga UE me EULEX-in, ishin tejet negative."Tërësisht sistemi i drejtë- sisë u korruptua. UNMIK-u nuk kishte për qëllim një drejtësi kualitative. Kuadri i dërguar në UNMIK ishte më i dobëti në vendet nga vinin. Edhe EULEX-i mbështetet në kuadër jo të kualifikuar. Madje, është kuadër më i dobët në vendet nga vijnë ata. Mos të themi se edhe në shtetet e veta kanë rënë në konflikt me ligjin e tyre. Kjo gjendje, sikundër theksoi edhe gjyqtari i EULEXit, mbi korrupsionin u bë dominante", u shpreh ai.

"Oligarkët mafiozë politikë e ekonomik i futën në sistemin e vendit dhe të huajt nën kontrollim të drejtpërdrejtë. Madje, krimin e korrupsionin, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk e luftuan fare. Ata u përqendruan në veprat gjoja të ushtarëve të UÇK-së kundër forcave okupuese serbe. Ndërsa, në anën tjetër, u korruptuan vetë dhe u shndërruan në vegla. Janë pikërisht këta që bartin përgjegjësi për korrupsion në nivel qendror, për privatizim dhe për krimin ekonomik- financiar, sepse i kishin në kompetencë. Tash po vërehet kjo. Kishim edhe në të kaluarën fakte. "Kosova Sot" ishte prijëse e nxjerrjes në shesh të të dhënave të korrupsionit dhe të krimit. U sollën mjaft fakte, por pa sukses. Krimi dhe korrupsioni ishin të ngulitura thellë në sistem. Dhe, tash është e domosdoshme një fshesë e madhe. Pa i kapur 'peshqit e mëdhenj' nuk stabilizohet sistemi. Me veprimet anësore nuk shërohet sistemi", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Muhamet Kelmendi. 

(Kosova Sot)