Edhe ndërkombëtarët u shitën te mafio-oligarkët

  • 22 November 2017 - 08:06
Edhe ndërkombëtarët u shitën te mafio-oligarkët

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se edhe pse me vite është trumbetuar nga gjyqtarët e EULEX- it për arrestimin e të ashtuquajturve "peshqve të mëdhenj" të krimit e korrupsionit, fatkeqësisht mund të konkludohet se gjyqtarët e EULEX- it nuk denjuan as të ngritin aktakuza kundër bosëve të krimit e korrupsionit të dyshuar si të inkriminuar me miliarda e miliona euro të vjedhura të aseteve shtetërore të abuzuara sikundër në nivelet politike apo nga nëntoka mafioze e kriminale në Kosovë. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a e blenë edhe drejtësinë e EULEX-it politikanët kosovarë dhe nëntoka mafioze kosovare, ngase skandalet në EULEX e tregojnë se ky mision nuk ka qenë për të vënë drejtësi, por mbase për të bërë politikë e padrejtësi kundër qytetarëve dhe shtetit. Pra A flet kjo qartë se si edhe gjykatësit e EULEX- it, njëjtë sikur edhe prokuroria dhe gjyqësori kosovar, kanë qenë dhe janë gjithnjë në shërbim e detyrim të plotë të krimit dhe politikës të lidhur me krimin e organizuar e korrupsionin që ka kapur e po sundon e shkatërron vendin e të ardhmen e qytetarëve?

Image

 

Mosndëshkimi tregon kapjen e misionit

Analisti Naim Kelmendi thotë se disa raste që tashmë janë të njohura edhe për publikun e gjerë kosovar, mjerisht po tregojnë gjendjen skandaloze të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, se nuk ka qenë për të vënë drejtësi në Kosovë, por në disa raste për të bërë politikë kundër qytetarëve dhe shtetit, mbase kjo, siç tha, të bërit politikë nuk e ka në domenin e tij ky mision. "Edhe pse me vite është trumbetuar nga gjyqtarët e EULEX-it për arrestimin e të ashtuquajturve "peshqve të mëdhenj" të krimit e korrupsionit, fatkeqësisht mund të konkludohet se gjyqtarët e EULEX-it nuk denjuan as të ngritin aktakuza kundër bosëve të krimit e korrupsionit të inkriminuar me miliarda e miliona euro të vjedhura të aseteve shtetërore të abuzuara sikundër në nivelet politike apo nga nëntoka mafioze e kriminale në Kosovë", u shpreh ai. "Mosndëshkimi i krimit dhe kriminelëve edhe nga ana e gjyqtarëve të EULEX-it duket se flet mjaft se edhe këta gjyqtarë e prokurorë të këtij misioni për sundim të ligjit në Kosovë, njëlloj po sikur gjyqë- sori dhe prokuroria kosovare, janë sfiduar nga krimi dhe bosët e korrupsionit në Kosovë apo krijohet dyshimi se në mos janë në shërbim e "detyrim" të plotë të krimit të organizuar dhe mafio-oligarkëve nga politika e inkriminuar, e që de fakto dhe de jure e kanë kapur shtetin dhe po sundojnë mbi ligjin, duke e shkatërruar kështu edhe ardhmërinë e qytetarëve", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Kelmendi.

Image

 

Kuadrot më të dobëta erdhën në Kosovë

Ndërsa, profesori universitar Muhamet Kelmendi ka veçuar se organet e drejtësisë të vendosura në Kosovë si në kohën e UNMIK-ut, ashtu edhe nga UE me EULEX-in, ishin tejet negative."Tërësisht sistemi i drejtë- sisë u korruptua. UNMIK-u nuk kishte për qëllim një drejtësi kualitative. Kuadri i dërguar në UNMIK ishte më i dobëti në vendet nga vinin. Edhe EULEX-i mbështetet në kuadër jo të kualifikuar. Madje, është kuadër më i dobët në vendet nga vijnë ata. Mos të themi se edhe në shtetet e veta kanë rënë në konflikt me ligjin e tyre. Kjo gjendje, sikundër theksoi edhe gjyqtari i EULEXit, mbi korrupsionin u bë dominante", u shpreh ai. "Oligarkët mafiozë politikë e ekonomik i futën në sistemin e vendit dhe të huajt nën kontrollim të drejtpërdrejtë. Madje, krimin e korrupsionin, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk e luftuan fare. Ata u përqendruan në veprat gjoja të ushtarëve të UÇK-së kundër forcave okupuese serbe. Ndërsa, në anën tjetër, u korruptuan vetë dhe u shndërruan në vegla. Janë pikërisht këta që bartin përgjegjësi për korrupsion në nivel qendror, për privatizim dhe për krimin ekonomik- financiar, sepse i kishin në kompetencë. Tash po vërehet kjo. Kishim edhe në të kaluarën fakte. "Kosova Sot" ishte prijëse e nxjerrjes në shesh të të dhënave të korrupsionit dhe të krimit. U sollën mjaft fakte, por pa sukses. Krimi dhe korrupsioni ishin të ngulitura thellë në sistem. Dhe, tash është e domosdoshme një fshesë e madhe. Pa i kapur 'peshqit e mëdhenj' nuk stabilizohet sistemi. Me veprimet anësore nuk shërohet sistemi", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

KAPITI: KUR KORRUPSIONI, KRIMI DHE PARAJA E PISTË KAPIN SISTEMIN, SHTETIN DHE SHOQËRINË…

Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se kur drejtësisë vendore nuk i pëlqen zbatimi i ligjit, dhe kur drejtësia vendore bashkë me gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe sekserët e tyre korruptohen, vjedhin, i shesin të drejtat e qytetarëve dhe ato shtetërore, kur, siç tha, politika dhe politikanët e Kosovës mendojnë dhe punojnë për vetëm interesat e tyre personale, familjare e fisnore, dhe përderisa, pra, sistemi është kriminalizuar dhe korruptuar, atëherë nuk ka se si të jenë ndryshe ata të EULEX- it. "Kur korrupsioni, krimi dhe paraja e pistë kapin sistemin, shtetin dhe shoqërinë, është shumë e vështirë të çmontohen e të pastrohen ato, pasi nuk vetëdekriminalizohet dhe nuk dekorruptohet vetë sistemi, drejtësia, politika, biznesi dhe media, pa një VETTING i drejtuar dhe monitoruar sidomos nga SHBA-ja", u shpreh analisti Skënder Kapiti.

PRETENI: KU JANË PROKURORËT TANË? KU JANË GJYQTARËT TANË? KU JANË HETUESIT POLICORË?

Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, ngrit pyetjen se përse gjithë ky fajësim për misionet ndërkombëtare, derisa thotë se faktori ndërkombëtar është stabilizues dhe shumë i vlefshëm për këtë demokracinë e re të Kosovës."Kasta jonë politike është e papërgjegjshme, joprofesionale, joshtetformuese, jopatriotike dhe shumë e korruptuar.Është vetëm faktori ndërkombëtar ai që e "frikëson" këtë kastë politike.Sa i përket EULEX- it, e vërtetë është se ka mundur të bënte më shumë, por ky mision është dashur të shikohet që nga fillimi se është vetëm ndihmës dhe mbështetës. Kosova i ka institucionet e veta, e ka legjislacionin gati të përmbyllur, kanë buxhet të mjaftueshëm, i ka të gjitha parakushtet, por nuk ka njerëz të devotshëm që e duan shtetin", theksoi ai."Ku janë prokurorët tanë? Ku janë gjyqtarët tanë? Ku janë hetuesit policorë? Pse ata nuk veprojnë, vendorët i dinë ligjet më mirë, i kuptojnë, më mirë e kuptojnë mentalitetin, më mirë e shohin në baza ditore pasurimin e pushtetarëve.Pse ata nuk veprojnë? Nuk veprojnë se vrapojnë pas lekut, duke i mbajtur nga 3- 4 dhe më shumë vende pune, nuk punojnë se askush nuk kërkon llogari nga ata, nuk punojnë se nuk kanë norma pune, nuk punojnë se askush deri më tani nuk është larguar për mospunë dhe mosefikasitet.Politika u ka krijuar favore të mira, kurse ata politikës po ia kthejnë duke mos u angazhuar dhe duke mos punuar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet.

Image

 

Inkriminim i sistemit të drejtësisë

Analisti Naim Miftari ka vlerësuar se mbase shumë kriminelë të lidhur me nëntokën politike e kanë blerë lirinë dhe pafajësinë e tyre nga UNMIK- u, por edhe nga EULEX-i, derisa, siç tha, sa më i madh që të jetë krimi dhe niveli i lartë, aq më i madh ka qenë korrupsioni dhe çmimi i atyre lirimeve të kriminelëve, që kanë qenë dorë e zgjatur e nëntokës politike në Kosovë."Përndryshe, prokurorët e EULEX- it, por edhe ata vendorë, edhe kur nuk janë të korruptuar vetë, ekzistojnë njerëzit, sekserët që vijnë nga nëntoka politike dhe i joshin ata për t'i korruptuar, derisa joshja bëhet me para, në mënyrë materiale, por edhe në mënyrë morale, etj., që t'i fusin nën thundrat e tyre, sidomos nën thundrat e sistemeve parapolitike, që pothuajse ekzistojnë gati në secilën parti", u shpreh ai."Sistemi juridik i Kosovës pas luftës i ka pranuar në punë vetëm ishprokurorët e ish-sistemit komunist jugosllav, por edhe ata që i ka pranuar punëtorë të rinj zakonisht kanë shkuar përmes lidhjeve politike dhe duke kryer shërbimet e punësimit, atëherë gjithmonë atë shërbim është dashur që t'ia kthejnë dikujt, d.m.th edhe kur s'ka qenë njeriu i korruptuar, sistemet tona e kanë korruptuar, dhe zakonisht këtu korrupsioni më së shumti vjen nga lirimi, që është bërë i njerëzve të nëntokës, që kanë qenë të akuzuar për korrupsion, etj., pra zakonisht vijnë njerëzit që janë dorë e zgjatur e politikës dhe e sistemeve parapolitike që sundojnë në Kosovë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)