Zgjedhjet, farsë në PDK, Veseli nuk e lëshon kolltukun

  • 22 November 2017 - 08:00
Zgjedhjet, farsë në PDK, Veseli nuk e lëshon kolltukun

P as debaklit të PDK-së në zgjedhjet e nivelit qendror dhe tani në lokalet, ky subjekt politik shpalli zgjedhjet e brendshme të jashtëzakonshme. Analistët e shohin një vendim të tillë të strukturave të PDK-së si veprim të mençur e të qëlluar, por vetëm nëse vërtet ky proces sjell reformim dhe rifreskim të madh në këtë subjekt politik, i cili ka vendnumëruar në aspektin e zhvillimit të demokracisë së brendshme dhe fuqizimit me njerëz me vlera kredibile, dhe të kaluar pa hipoteka të së kaluarës, qoftë të involvuar në veprimtari të kundërligjshme apo edhe në dështime nga mungesa e profesionalizmit. Madje, sipas analistëve, tani jo vetëm që duhet të ndodhin disa ndryshime të mëdha, por do të duhej të jepte dorëheqje komplet Kryesia e PDK-së, sikur edhe vetë kreu i partisë, pas humbjeve në dy palë zgjedhjet e fundit. Analistët vlerësojnë se populli është bindur se nuk ka ardhmëri me klanin 'Pronto', me të ngjashmit si Adem Grabovci, pastaj të tjerë tipa siq I quajnë analistët, "shantazhues",e si I tillë përmendet edhe nënkryetari I ri Rexhep Hoti, pastaj servilët e rinj që u propaganduan goxha shumë në vitin e fundit, duke i sistemuar në poste ministrore e deri te sistemimi si këshilltarë personalë të shefit të partisë, e që paguhen nga buxheti i tatimpaguesve kosovarë, si dhe sidomos inkriminimin deri në fyt në krim të organizuar dhe nëntokën. Mirëpo, deri te një veprim i dorëheqjes është pak e besueshme se do të shkojë lidershipi i këtij subjekti, pasi modeli i dorëheqjes nuk ekziston si kulturë demokratike në politikën kosovare, që kur një parti politike pëson debakël dy herë radhazi nga elektorati të adresohet pa hezitim edhe llogaridhënie e thellë e strukturave partiake. Nga ky proces i brendshëm zgjedhor, analistët presin vetëm disa ndryshime simbolike, që nuk do të jenë thelbësore, por vetëm edhe një farsë e radhës, ku njerëzit emërohen si kukulla, ndërkaq ata që "kolliten" dhe vendosin janë vetë shefat aktualë të lidhur me nëntokën e krimit në Kosovë. Këto zgjedhje në PDK mund të shërbejnë edhe si një arsye që, duke u ndërruar eventualisht lidershipi në krye të partisë, të kërkohet edhe prishja e koalicionit me AAK-në dhe NISMËN, sado që për këtë mbetet një pikëpyetje e madhe, derisa realiteti në terren flet se tanimë janë larg nga të qenit e ish-par tia e parë. Kjo lojë do të mund ta defaktorizonte akoma më shumë të ardhmen e PDK-së.

Image

 

Nuk ka gjasa për reformë

Analisti Jeton Kelmendi nuk beson në reformimin dhe ristrukturimin e thellë të PDK-së, vetëm sa beson që do të rikthehen në pozita vendimmarrëse në parti disa figura që tash për tash janë pak më larg të parit të partisë. "Mendoj se kryetari i PDK- së, Veseli dhe Kryesia e partisë është dashur të japin dorëheqje kur humbën në zgjedhjet nacionale, por kjo nuk ndodhi, duke u justifikuar se ishin koalicioni me më së shumti numra", theksoi ai. "Mendoj se as kësaj radhe nuk do të japin dorëheqje, as Kadriu e as Kryesia e tij, sepse kjo parti është katandisur thellë në një krizë të madhe, për faktin se dhënia dorëheqje nga kreu i partisë i lë këta njerëz pa pushtet e që po ashtu i lë edhe pa tenderë, pa para, pa punësime etj. Por, këtu kuptohet dhe besoj se, përveç kësaj, mund t'i çojë ndonjërin në organet e drejtësisë për të bëmat e tyre disavjeçare në pushtet", vijoi më tutje ai. "Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme partiake nuk besoj se do ta reformojnë këtë parti, duke e ditur rolin që kanë disa figura kyçe aty. Ta zëmë, siç ndodhi me Lëvizjen VV, ku kryetar i partisë së Albin Kurtit u zgjodh Visar Ymeri", tha Jeton Kelmendi.

Image

 

Përgjegjësia te lidershipi i papërgjegjshëm

Analisti Florim Zeqa thekson se derisa nuk ka moral të kultivuar në politikën kosovare, edhe modeli i dorëheqjes, si akt moral për humbjen në zgjedhje, ka kohë që nuk ekziston në politikën kosovare, edhe pse një parti politike pëson debakël disa herë radhazi nga elektorati, shkaku i papërgjegjësisë së liderëve dhe mosllogaridhënies para strukturave partiake. "I vetmi rast deri më tani në politikën shqiptare, i cili duhet të shërbejë si shembull për dorëheqjen si akt moral është ishkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Përgjatë shtatë vjetëve të fundit në skenën politike kosovare, edhe përkundër humbjes serike të zgjedhjeve nga ana e partive politike, jo vetëm se nuk kanë ndodhur raste të dorëheqjes nga ana e liderëve partiakë, këta të fundit u janë kërcënuar zërave kritikë brenda partive për dorëheqje!", ka thënë ai. "Rasti më eklatant është ai i liderit të LDK-së, zotit Isa Mustafa, i cili edhe përkundër humbjes serike në katër palë zgjedhje vazhdon të qëndrojë i paprekur në kreun e kësaj partie. Ngritja e lehtë e LDK-së në zgjedhjet e fundit në asnjë rrethanë nuk e justifikon papërgjegjësinë e liderit për katandisjen e këtij subjekti politik. Rrugës së Isa Mustafës është duke shkuar edhe lideri i PDK-së, zoti Veseli, i cili edhe përkundër debaklit të dytë zgjedhor, mëton të qëndrojë edhe më tutje në krye të partisë", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Ai potencon se edhe shpallja e zgjedhjeve të "jashtëzakonshme" në PDK, pas debaklit zgjedhor, s'është gjë tjetër veçse tendencë për shpërndarje të përgjegjësisë nga ana e liderit të saj. Nëse vendoset për prishjen e koalicionit, sipas Florim Zeqës, në PDK, si parti amë, duhet të rikthehet rishtas edhe Nisma për Kosovën."Zgjedhjet e "jashtëzakonshme" në PDK janë vetëm një farse e radhës nga kryetari Veseli, i cili do t'i emërojë njerëzit servilë e të dëgjueshëm, për t'i përdorur si kukulla, ndërkaq ata që kolliten dhe vendosin në këtë subjekt do të jenë prapë të njëjtët njerëz që e sollën në këtë gjendje PDK-në e Thaçit! Nëse PDK-ja vendos të prishë koalicionin me AAKnë, paraprakisht i duhet të akordohet me NISMËN për ta kthyer në gjirin e saj, siç e kishte kthyer dikur LDK-ja LDD-në e Dacit, ndryshe nuk do ta kenë guximin të ndërmarrin një veprim të tillë, pasi realiteti në terren flet, se tanimë PDK-ja është shumë larg nga të qenurit e ish-partia e parë në vend", është shprehur Zeqa.

 

Image

 

Promovimet e gabuara kadrovike

Analisti Blerim Burjani thotë se gjithsesi që pas tronditjes së madhe që mori PDK-ja në dy palë zgjedhjet e fundit, reformimi i brendshëm dhe ristrukturimi janë detyra të domosdoshme që duhet t'i kryejë ky subjekt politik, nëse veç pretendon të vazhdojë jetëgjatësinë më serioze në skenën politike. "Zgjedhjet e paralajmëruara në PDK janë të arsyeshme dhe të domosdoshme. Në PDK duhet një reformë e njëmendët thelbësore kadrovike, ky subjekt është udhëhequr më herët nga një njeri e që tash është president, i cili ka jetuar si një perandor me shërbëtorë të shumtë politikë", u shpreh ai."Tani, kjo parti ka pasur edhe shumë individë të inkriminuar në rrjete antiligjore, në kontrolle të sektorit publik e deri diku edhe publik, përfitues të mëdhenj të pasurive publike, andaj është vështirë për t'u këndellur. Ky subjekt ka pasur shumë njerëz apo shërbëtorë politikë, sikurse edhe sot, që s'kanë as profil profesional e as politik", vijoi më tej Burjani."Disa individë të rinj, që po promovohen, nuk kanë arritur të njihen në publik dhe nuk kanë emër politik, pra janë të papërgatitur, e tash i promovojnë. Si duket, në këto promovime kadrovike nuk janë të duhurit, pra duhet rishikuar edhe njëherë reformën kadrovike dhe duhet marrë njerëz që njihen pak më shumë në opinion, për diçka më të veçantë, në ndonjë sektor jetësor dhe që është edhe gjeneratë e re. Tash është në duart e Kadrisë kjo punë, ai ka tentuar fillimisht që përmes një reforme gjinore ta përmirësojë imazhin e PDK-së, por nuk ka arritur, së paku kjo po duket edhe nga rezultati i dy palë zgjedhjeve në këtë vit", potencoi analist Blerim Burjani.

Image

 

Këmbëngulja për pushtetin me pasoja

Politologu Arsim Haziri thotë se për vetë faktin se PDK-ja ka shpallur zgjedhjet e brendshme, tregon se ky subjekt politik është në rënie e sipër. "Këtë e shprehu më së miri edhe balotazhi i zhvilluar më 19 nëntor. Kjo rënie drastike e këtij subjekti tregon njëherësh edhe për paaftësinë e Kadri Veselit për të konsoliduar partinë me ardhje të reja dhe të fuqishme. Pikërisht kjo neglizhencë dhe paaftësi e tij i kushtoi si në zgjedhjet nacionale, po ashtu edhe në ato lokale, ku arritën t'i marrin pesë komuna, duke i humbur disa komuna mjaft vendimtare në procese. Ky subjekt e ka pësuar, konsideroj edhe për shkak të keqqeverisjeve të deritanishme. Qytetarët jo edhe gjithnjë mendojnë pozitivisht karshi një subjekti, pavarësisht se mund ta thirrin si vendimmarrëse e shumë proceseve", theksoi ai. Sipas tij, ndryshimet fillojnë me subjektet e reja, me individët, të cilët mendojnë për të mirën e përgjithshme. "Në këtë kontekst, mendoj edhe për qeverisjen qendrore, qeverisje e cila përgjatë vitit 2018 do të shpërbëhet, ngase mundësia për të treguar kredibilitet dhe gatishmëri ndaj proceseve pozitive është mjaft minore. Përfundimisht, rënia e PDKsë shtrihet në dy kahe, një e përbën keqmenaxhimi i vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe të mirës publike si dhe paaftësisë së Kryesisë për të treguar vigjilencë ndaj procese të domosdoshme, që do të kishin pasuar me avancimin e këtij subjekti. Këtu nuk duhet për të përjashtuar natyrisht edhe ambiciet e tyre për pushtet, kjo ka nxitur përdorimin e çfarëdo mjeti për të ardhur në pushtet", tha Arsim Haziri. Edhe ai nuk pret që situata do të shkojë deri në dorëheqjen e krerëve të tanishëm të PDK-së. "Parimi i dorëheqjes nuk është praktikë e liderëve tanë, pavarësisht humbjeve ose ndëshkimeve që mund të marrin",vlerësoi Haziri.

(Kosova Sot)