Milionerët e krimit i shpëtojnë ligjit

  • 23 November 2017 - 08:35
Milionerët e krimit i shpëtojnë ligjit

LIDHJET MAFIO-POLITIKE DEGRADOJNË SHTETIN

Prokuroria hesht dyshimet serioze për shpëlarjen e parave nga pushtetarët

"Si rezultat i kapjes së shtetit po ndodh që korporatat e mëdha në Kosovë dhe pushtetarët t'i shpëtojnë dorës së ligjit, edhe përkundër faktit se dihet pasuria milionëshe nga vjedhja e arkës së shtetit dhe pasurive publike", theksoi analisti Florim Zeqa
Gazetari i njohur italian Roberto Saviano, përmes një shkrimi të tij autorial, shpjegon në detaje se si trafikantët e drogës mësuan të pasurit që t'i fshihnin paratë në parajsat tatimore. Ai në këtë shkrim thekson se" organizatat mafioze ishin të parat që krijuan dhe lehtësuan mekanizmat e shpëlarjes së parave nëpërmes parajsave tatimore. Sipas Savianos, në vitet 1980, Gilberto Rodriguez Orejuela, lideri i Kartelit kolumbian "Cali", u bë hisedari më i madh i Bankës "First Interamericas" të Panamasë. Karteli e bëri këtë me qëllim të lehtësimit të shpëlarjes së parave të drogës dhe rifutjes së këtyre parave në qarkullim. Dhe, vitin e kaluar, u zbulua se rezidenca e njërit prej krye mafiozëve meksikanë të drogave, Rafael Caro Quintero, i takonte një kompanie 'offshore' me seli në Panama, bashkë me asetet e biznesmenëve dhe politikanëve kryesorë evropianë. Panama, Bermuda, Singapori, Qiproja, Malta - bashkë me Londrën, në qendër të këtij rrjeti - që të gjitha këto janë territore ku mund të fshihni para… " Njohësit e realitetit të pasluftës në Kosovë, të mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe të abuzimit të skajshëm me buxhetin dhe resurset e tjera nacionale, me të drejtë shqetësohen se edhe oligarkët e Kosovës, të lidhur me politikën, po shkojnë gjurmëve të atyre të vendeve të tjera, pasi dyshohet se edhe mafio-oligarkët e Kosovës, bashkë me pushtetarët e fuqishëm e të pasur, e kanë përvetësuar mirë këtë "SHKOLLË" të trafikantëve të drogës, duke i fshehur paratë e fituara në mënyrë kriminale, në parajsa tatimore në kompanitë 'offshore. Gazeta i ka dërguar pyetje Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Speciale për të mësuar nëse po hetohet dikush për afera të tillë, por, si zakonisht, heshtja vazhdon.

Anarki në drejtësi

Analistët politikë, njohësit e fushës së të drejtës dhe politologët, konsiderojnë se në vendin tonë nuk po merret askush me hetimin e këtij fenomeni, pasi shumica e krerëve të politikës, të lidhur me oligarkinë kriminale, janë të përfshirë në afera të tilla, dhe të tillët nuk e lënë as drejtësinë të bëjë hapa në atë drejtim. Një dyshim të tillë kaq serioz e ngrit edhe analistit Hidajet Ahmeti. "Gjykoj se politikanët e pasluftës kanë ndërtuar mekanizma institucionalë, të cilët janë në shërbim dhe mbulojnë gjurmët e veprimeve kriminale të tyre. Kjo heshtje e pashembullt e dorës së shtetit, karshi krimeve ekonomike të pasluftës, ka prodhuar hierarkinë e krimit përmes mekanizmave të shtetit. Ky bashkëpunim institucional për amnistim të krimeve ekonomike, ka sjellë Kosovën në një "vdekje klinike", duke prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike dhe duke vrarë shpresën për një Kosovë më të mirë", u shpreh ai. "Nga pas lufta, kemi një anarki të pashembullt në sistemin e drejtësisë, fillimisht nga misionet ndërkombëtare për rend dhe ligj, e mbi të gjitha nga logjika e mbrapshtë e instaluar në sistemin e drejtësisë, e pikërisht nga njerëzit e pushtetshëm të pasluftës që kanë dizajnuar hierarkinë kriminale në institucionet publike, e mbi të gjitha kanë dizajnuar klientelën servile në sistemin e drejtësisë", theksoi Ahmeti. "Si mund të luftohet krimi, korrupsioni e kontrabanda nga mekanizmi i instaluar nga këta njerëz në sistemin e drejtësisë?...Logjikisht i bie se këta njerëz nuk mund ta luftojnë veten, pasi një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të instaluar nga njerëzit e sojit Grabovci, Veseli, Thaçi,Mustafa, Beqiri e Hamiti. Posaçërisht lufta e pakompromis e tyre për pushtet nuk është pse e duan aq shumë pushtetin, por në momentin kur sistemi i drejtë- sisë çlirohet nga ndërhyrjet politike dhe transformohet në një drejtësi të pavarur dhe profesionale, një pjesë e njerëzve të fuqishëm të politikës që kanë qenë në pozitat kyçe dhe kanë udhëhequr me institucione të rëndë- sishme, përfundojnë prapa grilave", ka potencuar analisti Hidajet Ahmeti.

Keqpërdoruesit e kanë vendin në burg

Analisti Florim Zeqa thotë se është e pritshme që edhe në Kosovë, mbase pas 10 apo 15 vjetësh, do të kemi një Roberto Saviano, i cili do të shkruajë gjerë e gjatë për mafinë politike kosovare, ngase ajo tani është një realitet, i cili po vepron. "Edhe përkundër përkushtimit të madh, gazetaria hulumtuese në Kosovë ende është në margjinat e saj, shkaku i kapjes së shtetit nga grupet dhe klanet mafioze. Për ato që shkruan gazetari, shkrimtari dhe eseisti i njohur italian Roberto Saviano se si trafikantët e drogës mësuan të pasurit që t'i fshihnin paratë në parajsat tatimore, ku ai thekson se" organizatat mafioze ishin të parat që krijuan dhe lehtësuan mekanizmat e shpëlarjes së parave nëpërmes parajsave tatimore…, ashtu do të shkruajnë nesër gazetarët kosovarë me emër dhe mbiemër për të fortët e politikës, klanet mafioze dhe nëntokën kosovare, se si i kanë fshehur dhe tjetërsuar pasuritë e tyre politikanët milionerë të pasluftës në Kosovë", u shpreh ai. "Përderisa gazetari italian Saviano është i mbrojtur nga shteti në luftën kundër mafisë, gazetarët kosovarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të "mbrojtur" vetëm nga Zoti dhe askush tjetër. Si rezultat i kapjes së shtetit po ndodh që korporatat e mëdha në Kosovë dhe pushtetarët t'i shpëtojnë dorës së ligjit, edhe përkundër faktit se dihet pasuria milionëshe nga vjedhja e arkës së shtetit dhe pasurive publike", tha Zeqa për "Kosova Sot". Ai shton se vetëm për hir të korrektësisë dhe profesionalizmit, pa marrë parasysh spekulimet e vazhdueshme me emra të përveçëm, është mirë që drejtësia e pavarur ta thotë fjalën e vet, dhe përgjithmonë të mbyllen debatet spekulative, dhe keqpërdoruesit të përfundojnë prapa grilave. 

Prokuroria po "mrizon"

Se mund të ketë raste të përfshirjes në afera të tilla edhe nga Kosova, si mundësi nuk e përjashton as ishkryeshefi i Agjencisë Antikorrupsion, dhe tani drejtor i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet. Ai thotë se me një prokurori të tillë çfarë e ka Kosova, të cilës mund t'ia numërojmë në gishta rastet e ngritura gjatë një viti, as që mund të pritet hetimi i skandaleve të mëdha të kësaj natyre. "Një prokurore i Prokurorisë Speciale për 4 vjet e ka ngritur vetëm një aktakuzë edhe atë për 'armëmbajtje pa leje' po çka të pritet nga kjo Prokurori !!!! Lëndët më të thjeshta kjo Prokurori nuk i trajton, nuk e ka trajtuar asnjë rast të fuqishëm, asnjë zyrtar të lartë nuk është i përfshirë në aktakuzat e kësaj Prokurorie, nuk ka as hetime penale serioze", theksoi Hasan Preteni. Sipas tij, kjo Prokurori, edhe ato pak aktakuza të ngritura, i dërgon në gjykatat e rregullta, që do të thotë se nuk ka gjykatë të veçantë që i gjykon këto raste. "Prokurori e panevojshme, e krijuar për të krijuar mjegull. Mos të flasim për vepra të tjera 'të sofistikuara' për zbulimin e të cilave duhet hetim i specializuar dhe profesional, e për këtë te ne nuk ka as vullnet, as dëshirë dhe as guxim", tha Preteni për "Kosova Sot".

Nuk ka hetime serioze

Edhe njohësi i fushës së të drejtës, analisti Blerim Burjani thotë se në Kosovë flitet për shumë keqpërdorime, për pasurim pa bazë e për oligarkë, por deri më tash nuk ka pasur ndonjë hetim esencial që do të provonte apo të zbardhte rastet e mundshme. Burjani thotë se edhe kur është ngritur ndonjë rast i trumbetuar si serioz në lidhje me krimin e korrupsionin, ai është pushuar si të mos kishte qenë fare. "Dihet që disa procese gjyqësore kanë dështuar ose të gjitha, s'ka pasur ndonjë sukses, madje edhe në EULEX-i ka pasur tentativa që të ndikohet, aty- këtu ka individë që janë përfolur në EULEX për bashkëpunim me njerëz që janë bërë milionerë në Kosovë dhe dyshime të tjera. Pra, njerëzit e pasur kanë pas tentativa për të ndikuar edhe në këtë mision", u shpreh ai. "Kjo klasë politike, pra disa individë që e quajnë veten politikanë e përfitues në kurriz të taksapaguesve janë duke u hetuar që një kohë të gjatë, por ka pasur dhe ka vështirësi në identifikim dhe konstatim të saktë të veprave që kryhen në përditshmërinë politike të shtetit. Ka zyrtarë të lartë edhe politikë, edhe shërbyes civilë, mjekë e gjithçka. Pra, ka shumë punë për të bërë një gjyqësi e pavarur dhe një prokurori që mbron interesin e qytetarëve", potencoi Burjani. Sipas tij, për të ardhur deri te kapja dhe zbulimi i ndonjë rasti të tillë, gjasat janë minimale, përderisa këta njerëz janë në pushtet. 

(Kosova Sot)