Bizneset pa lidhje politike, në rrezik falimentimi

  • 23 November 2017 - 08:39
Bizneset pa lidhje politike, në rrezik falimentimi

Dekriminalizimi i ekonomisë, detyrë emergjente për Qeverinë e re

"Po qe se nuk ke pasur një nga pushtetarët e "fortë" nga majat e pushtetit prapa kompanisë, qoftë si bashkë-aksionar të fshehtë apo për t`ia lagur fytin, thuajse nuk ke pasur gati asnjë shans që të mbijetosh", theksoi Ramadan Maloku

Të bësh biznes në Kosovë, është gjithnjë e më vështirë, nëse nuk ke lidhje direkte me pushtetarët, të cilët kërkojnë hisen e tyre, qoftë si bashkë-aksionarë të fshehtë apo për t`ua lagur fytin. Njohësit e ekonomisë thonë se kemi ardhur në këtë gjendje të rëndë, sepse gjithçka po kontrollohet nga pushtetarët dhe mafio-oligarkët financiarë dhe bizneseve të pista e kriminale. Afaristi Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot', tha se është për keqardhje se në Kosovë kemi pasur një situatë të tillë që nga pas lufta e deri më sot, sepse është krijuar një praktikë shumë e keqe e bërjes së biznesit te ne. "Shumë pak nga pushtetarët tanë kanë punuar për interesin e qytetarëve dhe të popullit, veçse ata punuan për interes të xhepit të vet, por edhe të klaneve të tyre", u shpreh ai. Sipas Malokut, pas lufte në Kosovë është instaluar kjo formë e tillë e bërjes së biznesit të pistë dhe kjo është një e vërtetë e hidhur. "Gjatë tërë kësaj kohe, pa pasur lidhje me pushtetin ka qenë shumë e vështirë që si biznes të avancosh apo që të shkosh përpara, sepse e tëra kjo është bërë përmes lidhjeve me të fortët e politikës dhe liderëve partiakë, ngase ndryshe nuk ke mundur të mbijetosh në këtë treg", vijoi më tej ai.

Prodhimi vendor u margjinalizua

Sipas Malokut, e kemi këtë situatë të brishtë ekonomike, sepse në Kosovë nuk ka pasur gati asnjë shans që të ketë zhvillim ekonomik me qeverisjen e dështuar. "Po qe se nuk ke pasur një nga pushtetarët e "fortë" nga majat e pushtetit prapa kompanisë, qoftë si bashkë-aksionar të fshehtë apo për t`ia lagur fytin, thuajse nuk ke pasur gati asnjë shans që të mbijetosh", theksoi ai. "Jam i bindur se me Qeverinë 'Haradinaj' nuk do të këndohet kënga e vjetër, sepse kjo Qeveri ia ka nisur për së mbari dhe si e tillë kjo Qeveri edhe e ka përkrahjen e plotë të Shoqatës së Naftëtarëve, por edhe shumicës së bizneseve vendore", është shprehur më tutje Ramadan Maloku. Ndërsa, eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, për gazetën " Kosova Sot", tha se sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, krahasuar me një vit më parë, në vitin 2017 në Kosovë kemi pasur një përmirësim të dukshëm të situatës së bërjes së biznesit, mirëpo ende ka shumë probleme. "Veçanërisht në Kosovë probleme të mëdha kanë prodhuesit vendorë, sepse po qe se i marrim disa të dhëna mësojmë se investimet e huaja në fushën e prodhimtarisë kanë qenë vetëm 10-12 për qind, kurse kemi pasur më pak eksporte nga prodhimtaria", u shpreh ai.

Lufta kundër monopoleve krijon mundësi të reja

Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma) tha për "Kosova Sot', se zhvillimi ekonomik i vendit ka stagnuar për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe ndërhyrjes së politikës në drejtësi. Sipas tij, shumica e atyre bizneseve që nuk kanë pasur lidhje me politikën, ato kanë stagnuar. "Por, jam i bindur se tashmë Qeveria 'Haradinaj', në buxhetin e paraparë për vitin 2018 i ka rritur shpenzimet për sistemin e drejtësisë", vijoi më tutje Hoti. "Qeveria aktuale do të fillojë së shpejti me luftimin e informalitetit dhe do të parandalojnë monopolet, me çka edhe përfundimisht do të hapet një mundësi e re për bërje të biznesit, por edhe për zhvillim ekonomik", theksoi ai. "Besoj se në këtë drejtim nuk jemi ende larg, sepse pa funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk do të mund të ketë as zhvillim ekonomik dhe as prosperitet për vendin dhe qytetarët tanë", vlerë- soi më tej deputeti Hoti. 

Pa konkurrencë të ndershme nuk ka zhvillim

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, analisti Xhevdet Neziraj tha se bazuar në programin e Qeverisë, ekonomisë i është dhënë përparësi. "Për arritjen e këtij qëllimi dhe të mos dështojnë si qeveritë e tjera duhet të sigurohet një mjedis institucional dhe biznesor,por edhe të garantojë treg të lirë dhe konkurrencë të ndershme dhe t'i shpallë lufte të pakompromis ndaj bizneseve që kanë monopole në disa nga lëmenjtë më profitabilë", theksoi ai. "Është e qartë se duhet kohë që të fillohet të shkapet ekonomia kosovare në disa lëmenj ku po i shkaktohen shumë dëme edhe biznesit, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës. Mirëpo, tashmë veçse po shihen disa sinjale pozitive, por besoj që shumë shpejt do të kemi rezultate edhe në këtë sferë, sepse nuk ka rrugë tjetër, përveçqë të mobilizohen të gjitha institucionet e vendit në krye me kryeministrin dhe në këtë mënyrë që të shtohet shpresa e qytetarëve të këtij vendi se askush nuk do të jetë mbi ligjin", vlerësoi Neziraj. "Dua të besojë se edhe agjencitë e pavarura si dhe institucionet, si janë: Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës, Ministritë e caktuara dhe mekanizmat e tjera shtetërorë, si edhe gjykatat duhet që të fillojnë të veprojnë në mënyrë të pakompromis ndaj të gjithë atyre individëve, politikanëve dhe biznesmenëve që për vite me radhë kanë krijuar monopole në lëmenj të caktuar dhe po i shkaktojnë dëme të mëdha ekonomisë së vendit tonë të lodhur ekonomikisht", ka shtuar më tej analisti Xhevdet Neziraj.

Pa sundimin ligji nuk ka as rritje ekonomike

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se Republika e Kosovës ka shanse minimale për zhvillim ekonomik me këtë strukturë udhëheqëse, menaxhuese, politike. "Aty ku nuk sundon ligji, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, as punësim, as nuk mund të ndalet eksodi i 'stimuluar' nga dështimet politike. Një shtet me më pak se 40 për qind zbatueshmëri ligjesh nuk mund të jetë stabil, nuk mund të garantojë siguri juridikoligjore dhe nuk mund të llogarisë në zhvillim ekonomik", theksoi ai. "Dirigjimi dhe detyrimi i qytetarit konsumator që të blejë mbi 90 për qind produkte nga importi, mosstimulimi i prodhimit vendor, çmimet më të larta se në Gjermani etj., janë me efekt negativ në zhvillimin e vendit", u shpreh Kaçaniku. Sipas tij, kemi edhe keqpërdorimin e agjencive dhe rregullatorëve që mbingarkojnë qytetarin konsumator me çmime e me obligime të tepërta fiskale. Si rrjedhojë, ekonomia është e ngadalësuar, ndërsa mirëqenia e qytetarëve gjithnjë është në rrezik për t'u përkeqësuar.

(Kosova Sot)