Punë e kujt është blegtoria, nëse jo e ministrit të Bujqësisë?

  • 30 July 2015 - 13:03
Punë e kujt është blegtoria, nëse jo e ministrit të Bujqësisë?

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, nuk i është përgjigjur interpelancës për problemet në sektorin e qumështit.

Kjo, ka shkatuar pakënaqësi te partitë opozitare të cilët kanë shtruar pyetjen se kush duhet të jep llogari për blegtorinë nëse jo ministri Bujqësisë.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se e kanë ftuar ministrin Memli Krasniqi në interpelancë pas takimit me qumështarët, pasi ata qe tre vite para Qeverisë po e derdhin qumështin dhe po kërkojnë zgjidhje.
“Punë e kujt është blegtoria, nëse jo e ministrit të Bujqësisë?”, shtroi pyetjen, Kadaj-Bujupi, në séance, duke thënë se ministri është dashur t’i përgjigjet deputetëve, transmeton "Kosova Sot ONLINE".
“Nëse ai ka dhënë mbi 5 milionë euro subvencionime, ai ësht ë dasht me ardh me i arsyetu subvencionimin konkretisht në sektorin e qumështit. Ky sektor mund të jetë promotor i zhvillimit të vendit tonë ekonomik, dhe Qeveria po i rrezikon qumështarët. Është dashur sot me ardh me raportu. Ai sot s’ka ardh me shpjegu për punët e veta. A ka kërkuar ndonjëherë ministri i Bujqësisë me i përkrah kërkesat e qumështarëve. Ai duhet me ardh me na dhanë llogari. Çka duhet me iu thanë qumështarëve, mos prodhoni, mos aplikoni për subvenciopne sepse kjo nuk është në përgjegjësi të Minsitrisë. Na e thërrasim ministrin e Bujqësisë por ai nuk vjen se pikat 1,2,3, nuk janë në kompetencat e tij. Unë kërkoi që ministri të vijë në seancë të raportoi dhe nuk e pranoi që një ministër të thotë nuk është në domen timin qumështi. Nëse ministri nuk vjen ne sot e tërheqim interpelancën, Por, kjo interpelancë të jetë në seancën e radhës”, tha Kadaj-Bujupi.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se e mbështet kërkesën e Donikës, pasi qumështarët janë në gjendje të rëndë. "Me kërkesë ja keni huq. Është dasht me ja bërë ministrit të Tregtisë", tha ajo.
Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, ka kërkuar që çështja e qumështit të vjen për debat në mënyrë të organizuar dhe jo tëpolitizuar dhe të gjithë së bashku të japin zgjidhje.
Ministrja e Tregtisë, Hikemte Bajrami, tha se nuk ka marrë kërkesë për interpelancë, por në momentin që merr një kërkesë të tillë është e gatshme të përgjigjet.
Deputeti i pavarur, Shaip Muja, tha se tërheqja e ministrit tregon se i mungon aftësia për me udhëheq at ministri. "Ministri është dashur të vijë në interpelancë. Ne si deputet është dashur të debatojmë pse qumështi jonë nuk është konkurent. Ministri i Bujqësisë nuk ka faj se nuk e njeh bujqësinë", tha ai.
Salih Salihu, deputet i Lëvizjes "Vetëvendosje", tha se ikja e ministrit të Bujqësisë është një papërgjegjësi e madhe e tij.

(Kosova Sot)