I biri vrau taksistin, apeli i dhimbshëm i prindërve: Mos e dënoni përjetë…

  • 23 November 2017 - 16:54
I biri vrau taksistin, apeli i dhimbshëm i prindërve: Mos e dënoni përjetë…

Çështja e taksistit Idriz Kariqi, i cili u mor peng dhe me pas u vra për 1900 lekë, është rikthyer sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në “News24”. Ndonëse autori, Musa Saraçi, është dënuar nga gjykata e Kavajës me burg përjetë (shkalla e parë), prindërit e tij Dhurata dhe Ramiz Saraçi apelojnë për gjykim të shkurtuar dhe lehtësim të masës së dënimit për djalin e tyre.

Dhurata tregoi në studion e emisionit se gjatë shqyrtimit gjyqësor, avokati mbrojtës pretendoi se ai kishte probleme të çrregullimit mendor. Nëna e të riut, tregoi se djali i saj kishte bërë një aksident, që e kishte lënë me pasoja në kokë, ndërkohë që kartela mjekësore është në spitalin e Durrësit, shkruan ‘BalkanWeb’. Në rrëfimin e saj ajo tregoi se djali ditën e krimit ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe nuk mbante mend asgjë nga ajo se çfarë kishte ndodhur.

“Kur djali erdhi në shtëpi, nuk pash asnjë shqetësim. Ai ka ardhur nga Kavaja me të njëjtat rrobat dhe ka iku po prapë me të njëjtat rroba. Ne e kemi pasur gjithmonë në mbikëqyrje, por se mendonim kurrë në botë. Por djalin tim mund ta ketë shtyrë edhe ndonjë shok i tij. Se i ka dhënë drogë. Musai është penduar shumë. Ai fliste më mua më shumë. Më tha; mami kam qenë i pavetëdijshëm. Kam qenë i droguar”, tha Dhurata Saraçi. Pavarësisht pretendimit të familjarëve, ky pretendim u rrëzua nga akti i ekspertimit. Aktualisht çështja është në Gjykatën e Apelit, ndërsa prindërit kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Prindërit e Musa Saracit

VRASJA E TAKSISTIT
Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë Idriz Kariqi ndodhi në 14 dhjetor 2016. Musa Saraçi mori peng dhe më pas e vrau taksistin Kariqi, ndërsa makinën e tij e shiti në një varrezë makinash. Referuar dosjes së Prokurorisë së Kavajës, nga hetimet ka rezultuar se: “I pandehuri Saraçi, paraditen e datës 14.12.2016 ka marrë si shërbim taksi mjetin e drejtuar nga viktima Kariqi, në vendin pranë Spitalit të Kavajës. I pandehuri, gjatë natës së mëparshme kishte qenë duke luajtur në lojëra fati dhe kishte shpenzuar paratë që i kishte marrë pa dijeninë e familjes së tij. Që në momentin që ka hipur në taksi, ai ka pasur qëllim për të marrë paratë e taksistit. Pranë fshatit Greth, ai i ka kërkuar taksistit të ndalojë makinën dhe, nën kërcënimin e një thike i ka kërkuar atij që t’i japë paratë që kishte me vete. Taksisti Kariqi ka nxjerrë paratë që kishte me vete, rreth 1900 lekë të reja, por këto kanë qenë të pamjaftueshme për autorin, i cili e ka goditur disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe ka ecur disa minuta, derisa makina është rrëzuar në një kanal dhe është dëmtuar.

Duke qenë se mjeti nuk mund të lëvizte, i pandehuri ka telefonuar një të njohurin e tij që posedon një servis makinash, të cilit i ka thënë se kishte një makinë të prishur dhe donte ta shiste për skrap. I pandehuri Saraçi ka shkuar në këmbë deri tek servisi i të njohurit të tij dhe kanë bërë “pazar” që makinën ta shiste për 27 mijë lekë të reja. Pasi ka marrë paratë, autori është larguar dhe është arrestuar pas dy ditësh, në vijim të veprimeve procedurale hetimore”, sqaron prokuroria.

 (Kosova Sot)