Vjedhin plazhistët në Golem, arrestohen dy gra

  • 30 July 2015 - 13:48
Vjedhin plazhistët në Golem, arrestohen dy gra

Dy gra nga Kavaja strehoheshin në plazhin e Golemit, për të vjedhur në çadrat e pushuesve. Shqiponja Çoku, 41 vjeçe dhe Monda Guri, 42 vjeçe, të dyja banuese në Kavajë, u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës nga Policia e Kavajës.

Ato kishin marrë një shtëpi me qira në plazhin e Golemit dhe gjatë orëve të ditës, dilnin në plazh. Kur pushuesit largoheshin nga çadra për t’u larë në det, dy gratë mbërrinin si të ishin në çadrën e tyre dhe merrnin telefona, kuleta, çanta dhe para.

Sipas policisë, dy gratë në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje në plazhin e Golemit, por dyshohet se ato kanë kryer vjedhje edhe në Durrës apo zona të tjera. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia tha se kishte gjetur celularë dhe kuleta me para, transmeton Shekulli.

Hetuesit dyshojnë se, një pjesë e sendeve të vjedhura, kryesisht celularë, ishin shitur nga gratë tek persona të tretë, ndërsa po kërkohen edhe denoncues të tjerë të mundshëm të grabitur nga dy gratë.