A do t'ia zgjatë SDP-ja Merkelit litarin e shpëtimit?

  • 23 November 2017 - 19:31
A do t'ia zgjatë SDP-ja Merkelit litarin e shpëtimit?

P artia Social-Demokrate e Gjermanisë (SPD) është nën një presion gjithnjë e më të madh, që ta rishqyrtojë bashkimin me ish-partnerin e saj të koalicionit, partinë e kancelares Angela Merkel, me qëllim të parandalimit të një krize shtetërore. Bisedimet rreth një koalicioni potencial midis Unionit KristianDemokrat të Merkelit (CDU) dhe dy partive më të vogla, pësuan kolaps të dielën, duke e rrezikuar ekonominë më të madhe në Evropë që të shket në muaj të tërë të paralizës. Lideri i SPD-së, Martin Schulz, vazhdimisht ka thënë se nuk do të kthehet si partner i vogël qeveritar i Merkelit, por tani nga ai kërkohet që ta ndërrojë këtë qëndrim. Zërat brenda dhe jashtë SPD-së janë bërë më të zëshëm në vënien në pikëpyetje vendimin e Schulzit dhe insistimin e tij për zgjedhje të parakohshme.

Schulz ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme

Presidenti Frank-Walter Steinmeier, i cili edhe vetë është një zyrtar i lartë social-demokrat, ka thënë se ky është momenti kur të gjithë pjesëmarrësit duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre. Steinmeier do ta takojë Schulzin të martën. Presidenti tanimë ka mbajtur bisedime me liderët e partive që dështuan ta formonin koalicionin - partinë pro-biznes, FDP - e cila edhe doli jashtë bisedimeve - si dhe me Të Gjelbrit. Ai ka takuar edhe liderin e aleatëve bavarezë të Merkelit, CSU, të mërkurën. Derisa kriza nuk është duke treguar shenja të zbutjes, e përditshmja "Sueddeutsche" raportoi se, "në SPD është duke u rritur pakënaqësia rreth refuzimit të qartë të saj të një koalicioni të madh". "Duhet folur haptazi me presidentin, pa insistuar në pikëpamjet personale", thotë Johannes Kahrs, i cili udhëheqë krahun e SPD-së që anon kah e djathta. Komisionari i Buxhetit të BE-së, Guenther Oettinger, por ashtu ka apeluar te partia SPD që ta rishqyrtojë qëndrimin e saj. "Duke pasur parasysh aftësinë e Gjermanisë për të vepruar në Evropë, SPD-ja duhet që edhe një herë të shqyrtojë nëse me të vërtetë nuk dëshiron që të hyjë në qeveri", tha Oettinger, një politikan i CSUsë. "Rezistenca ndaj Schulzit është duke u rritur", raporton "Bild", duke shtuar se "avokati më i dalluar sekret i një koalicioni të ri, të madh, qeveritar, është zëvendës kancelari, Sigmar Gabriel". Schulz ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por anketat më të reja tregojnë se edhe zgjedhjet e parakohshme, sipas të gjitha gjasave, do ta kishin një rezultat të ngjashëm me atë të zgjedhjeve të shtatorit, ku anëtarët e SPD-së frikësohen nga mundësia që të marrin edhe më pak vota, sesa rezultati rekord i ulët, prej 20.5%. "Edhe pse një numër i madh i zyrtarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të partisë, në esencë, janë kundër një pjesëmarrjeje të re në qeveri, pjesë të establishmentit partiak mendojnë se më shumë do të preferohej hedhja e litarit për ta shpëtuar Merkelin, sesa alternativat tjera, të paparashikueshme", thotë Michael Broening, analist politik i "Friedrich-Ebert-Stiftung", që ka lidhje me partinë SPD.

Gabimet gjatë zgjedhjeve

'Të paktën, një gjë e tillë do t'ua mundësonte socialdemokratëve që të angazhoheshin për një listë të tërë të kërkesave socialdemokrate dhe, në esencë, t'i diktojnë kushtet e asaj që pritet të jetë qeveria e fundit e Merkelit', shtoi ai. Në një kohë kur ish-ministri i financave, Wolfgang Schaeuble, nuk është aty, SPD-ja mund ta kërkojë edhe këtë ministri të fuqishme, në një kohë kur thesari publik është i fryrë me 45 miliardë euro, vërejnë mediat gjermane. Duke mos mbështetur thirrjen e Schulzit për zgjedhje të parakohshme, shefja e grupit parlamentar të SPD-së, Andrea Nahles, deklaroi të hënën se nuk e përjashton mundësinë e mbështetjes së një qeverie Merkel, të pakicës. Dy javë para kongresit vjetor të SPD-së , anëtarët e kësaj partie po ashtu janë duke u pyetur nëse ishpresidenti i Parlamentit Evropian, Schulz, është njeriu më adekuat për t'i udhëhequr ata drejt një kampanje të re parazgjedhore. 'Ai ka bërë tepër gabime gjatë zgjedhjeve, ka bërë gabime me emërimet e reja dhe, më së keqi, ka keqvlerë- suar disponimin aktual politik", shkruan "Bild".

(Kosova Sot)