Zvicra ndan 1.1 miliard euro për shtetet e lindjes

  • 23 November 2017 - 20:19
Zvicra ndan 1.1 miliard euro për shtetet e lindjes

Qeveria zvicerane njoftoi sot se pranonte akordimin e më shumë se një miliardë euro për të vijuar kontributin e saj dhjetë vjeçare ndaj shteteve të Bashkimit Evropian nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Ky kontribut i pavarur, ku pritet ende verdikti i Parlamentit zviceran, korrespondon me një shumë rreth 1.302 miliardë franga (1.1 miliardë euro) në 10 vite dhe i kushtohet uljes së pabarazive ekonomike dhe sociale në Evropë, që është në interesin ekonomik dhe politik të Zvicrës”, raportoi qeveria zvicerane në një deklaratë.

Njoftimi u bë nga presidentja e Konfederatës, Doris Leuthard, gjatë vizitës në kryeqytetin zviceran të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

‘’Zvicra dëshmon që është një partner i besueshëm’’, pohoi zyrtari i lartë evropian, gjatë një konference shtypi.

I akuzuar nga një gazetar se kishte ardhur të kërkonte ‘’një çek në Zvicër”, Juncker siguroi se nuk ndodhej në Bernë për të marrë një dhuratë. Vendimet e Këshillit Federal janë të njëanshme, sovrane, përcjell Atsh.

Që nga 2007, në kuadër të kontributit për zgjerim, Zvicra që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por bën pjesë në Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (AELE) ka mbështetur financiarisht një numër të madh projektesh që kanë në fokus uljen e pabarazive ekonomike dhe sociale në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë në BE në 2004, 2007 dhe 2013 për një shumë totale prej 1,3 miliardë franga zvicerane.

 (Kosova Sot)