Republika, e gozhduar nga zhvatësit

  • 24 November 2017 - 08:05
Republika, e gozhduar nga zhvatësit

Duke iu referuar të dhënave të pulsit publik të radhës të UNDP- së, sipas të cilit problemet kryesore në Kosovë mbeten korrupsioni, papunësia dhe varfëria, analistët politikë theksojnë se kjo gjendje vendnumërimi në zhvillim dhe instalim të shtetit ligjor, po mbetet si pasojë e politikanëve të babëzitur për pushtet, të cilët kur marrin pozitat qeveritare, apo edhe të nivelit lokal, të kryetarëve të komunave, harrojnë premtime dhe zotimet, e interesohen vetëm për xhepin e vet dhe të mafio-oligarkëve, pasi janë pikërisht ata që ua lagin fytin. Analistët politikë theksojnë se këtë gjendje do ta kemi të tillë derisa vendi të sundohet nga politikanët e kësaj kategorie të inkriminuar, derisa këta nuk zëvendësohen me një strukturë të re politike me duar të pastra. "Jemi duke kaluar nëpër një fazë të pashpresë, nuk mund të kuptoj qytetarin, i cili vazhdon t'i votojë ata të cilët e keqpërdorën besimin e tyre,premtuan e nuk punuan për interesin publik, u pasuruan dhe prapë po votohen. Papunësia dhe varfëria janë derivate të korrupsionit, me korrupsion po pasurohen vetëm një shtresë e vogël e shoqërisë. Nëse ambasadori amerikan në Shqipëri pohon se shqiptarët po punojnë për 4 klane dhe 20 familje, unë mund të pohoj se 'krejt Kosova punon për 10-12 familje'. Mbetet të shpresojmë se edhe në Kosovë do të fillojë të depërtojë kjo frymë nga Shqipëria, duhet të lëvizet drejt deshifrimit të këtyre keqbërësve", tha Hasan Preteni, ish- kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsion, dhe tani drejtor i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet.

Image

 

Qytetarët po mashtrohen

Sipas analistit Ali Hertica, Pulsi i fundit nga UNDP-ja, me të gjeturat e publikuara me të drejtë, ka konstatuar se kënaqësia e qytetarëve me punën e institucioneve ka arritur nivelin më të ulët, pikërisht nga mosfunksionalizmi i të gjitha institucioneve të shëtit, që nga fillimi i bllokimit nga disa subjekte politike dhe mungesa e perspektivës së vendit në të mirën e qytetarëve, që është pasqyruar edhe me mosdhënien e hapësirës për të vazhduar punën e institucioneve nga grupet e ndryshme politike të rebeluara në Parlament."Të gjeturat tregojnë se faktorët ekonomikë, siç është papunësia, varfëria e skajshme dhe korrupsioni në nivelin lartë të vendit po vazhdojnë të mbeten problemet më madhore, deri më tani pa shpresë për zgjidhje, për shoqërinë dhe politikën e Kosovës. Numri më i madh i respondentëve e konsiderojnë si shumë ose mjaft të rëndë- sishme korrupsioni dhe mashtrimi i popullit nga polikëbërësit matrapazë, të cilit po e shijojnë luksin e jetës së tyre në kurriz të qytetarit, duke zhvatur dhe duke vjedhur të gjitha pasuritë e shtetit", potencoi ai. "Tani, të gjitha zotimet, premtimet dhe projektet, të cilat po iu prezantohen qytetarëve në fushatat zgjedhore, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal, po mbesin mashtrime ordinere, nga të cilat po rritet pakë- naqësia dhe mosbesimi në këtë kastë politike. Këtë më së miri e ilustron edhe dalja e vogël në zgjedhjet e fundit lokale, e që në raundin e balotazhit dalja nuk arriti as në shkalën e 40% të trupit elektoral me të drejtë vote", u shpreh Hertica.

Image

 

Mafia e ka kapur shtetin

Edhe analisti Faton Mehmeti thotë se çdo vit në raportet e UNDP-së po përsëritet e njëjta histori, sepse Kosova po renditet ndër vendet e para sa u përket krimit, korrupsionit dhe varfërisë. "Kjo ndodh për shkak se vendi është i kapur nga një klasë politike tërësisht e interesuar për të realizuar qëllimet e veta të pasurimit dhe të zhvatjes së shtetit. Një shtet i kapur nga mafia, i orkestruar dhe i dirigjuar nga nëntoka dhe mafia, s'ka si të jetë ndryshe, pos në këtë nivel të radhitur Derisa sistemi i drejtësisë kontrollohet nga bandat kriminale, s'ka si të jetë ndryshe më, as se si të shohë Kosova dritë në fund të tunelit", theksoi ai. " Politikanët janë të lidhur me njëritjetrin, në interes të realizimit të interesave të tyre dhe kjo as që diskutohet. Derisa populli vdes urie, politikanët janë të babëzitur nga luksi, e kjo si pasojë se këtu nuk udhëheqin liderët, por politikanët e lidhur me krimin. Të gjithë kryetarët e komunave premtimet i kanë përdorur si maskë për t'u pasqyruar engjëj, derisa veprimet e tyre në të vërtetë janë djallëzore. Ata nuk mbajnë asnjë premtim, por premtimit që ua kanë dhënë mafiozëve për t"i pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe të pandershme", vijoi më tutje Mehmeti. Ndërsa, analisti Ragip Guraziu thotë se që të gjithë njerëzit e zgjedhur të politikës posa të ulën në karriget e të parit, qoftë të Qeverisë apo të komunave, po e harrojnë qytetarin. "Tani, kur ky raport bëhet publik menjëherë pas zgjedhjeve lokale, të gjithë të zgjedhurit e nivelit lokal, i pret punë e rëndë, sepse sipas Pulsit të fundit të UNDP-së, problemi kryesor në Kosovë mbetet prapë korrupsioni, ky virus i shëmtuar që për qytetarët e Kosovë është bërë kancer. Është edhe papunësia tani që ka sjellë varfërinë,duhet ta kenë parasysh kryetarë e të gjithave komunave që premtimet për të cilat u zotuan gjatë fushatës t'i realizojnë, e jo si herëve të tjera, qofshi edhe zgjedhje parlamentare apo lokale, kur premtuesit veç po i marrin postet e po i harrojnë premtimet", potencoi Ragip Guraziu.

Image

 

 

 

Momenti i fundit për të vepruar

Analisti politik Skënder Mulliqi thotë se është moment i fundit kritik që ky trend negativ të ndërpritet. "Të gjitha këto fenomene e goditën fort Kosovën e pasluftës, se krejt pushtetet deri më sot punuan secili më mbrapsht se tjetri, duke i synuar vetëm arritjen e objektivave të tyre personale. Edhe të gjitha Programet e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në raportet e Pulsit Publik, në perceptimet e qytetarëve e kanë potencuar krimin, korrupsionin dhe varfërinë, si zhvillimet më negative në Kosovë. Këto shqetësime të arsyeshme të qytetarëve karshi mospunës të institucioneve të shtetit, duke filluar nga komunat e deri te niveli qendror, janë shqetësime te arsyeshme, e të cilat po hasin në vesh të shurdhër. Veçmas shqetësimi po rritet në mosefikasitetin e organeve të drejtë- sisë si dhe të organeve të tjera ekzekutive", u shpreh ai. "Kriza politike, e veçmas ajo ekonomike, sociale, në vend të përmirësimit po shënon rënie të çdoditshme. Kosova ende nuk është liruara nga duart e mafio -oligarkëve të ndryshëm, të cilët nuk po ngopen me pasurime të paligjshme. Një shqetësim tjetër i madh i qytetarëve, edhe sipas UNDP-së, është mosliberalizimi i vizave. Dihet se faktorët kryesorë për izolimin e Kosovës janë qeveritë e deritashme , të cilët na servuan rrena me data për liberalizim të vizave e nuk i patëm, dhe krejt pa faj në këtë drejtim nuk është as BE"- ja, tha Mulliqi. Pak shpresë për ndryshime sheh me këtë klasë politike dhe analisti Arsim Haziri. "Ky pushtet politik është në favor të rrjetit kriminal dhe në mënyrë sistematike në funksion të çrregullimit të shtetit", potencoi Haziri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)