VETTING-u e pastron drejtësinë, QEVERIA TË MOS I BËJË BISHT

  • 24 November 2017 - 08:10
VETTING-u e pastron drejtësinë, QEVERIA TË MOS I BËJË BISHT

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se kjo qeveri e re do të duhej ta kishte prioritet sundimin e ligjit, ku një proces Vetting-u do të trondiste në themel sistemin e drejtësisë, derisa sipas tyre në këtë drejtim kryeministri aktual në fillim e përmendi reformën e drejtësisë dhe shpresojnë se do të kontribuojë edhe në ditët në vijim për realizimin e kësaj reforme jetike për vendin, por që VETTING-u duhet bërë nga ndërkombëtarët bashkë me ndihmën e FBI-së amerikane. Në të kundërtën, ata kanë thonë se si mund të pritet që të kemi drejtësi kur njerëzit që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, e që janë në Gjykata, Prokurori e Polici, realisht po bashkëjetojnë me krimin e organizuar? Analisti Reshat Badallaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se në Kosovë mashtrohen të gjithë ata që mendojnë se ka drejtësi, ngase siç tha tashmë edhe një qytetar i shkretë e i ngratë e di se ky sistem i drejtësisë është i kalbur fund e krye dhe i ndikuar politikisht. "Pra, të harrojnë ata që mendojnë se ka sistem gjyqësor dhe respektohet e mbështet Kushtetuta e vendit. Këtë e mendojnë vetëm naivët e askush tjetër, përpos asaj që thashë. Përndryshe, kryeministri Haradinaj gjithmonë i merr punët me yrysh dhe jep fjalë të mëdha, e kam përsëritur disa herë se është e pamundur të pritet diçka nga këto qeveri kuislinge, që vijnë e shkojnë që nga paslufta", theksoi ai.

Image

 

Politika ka njollosur gjithçka

Sipas Badallajt, qëllimi i këtyre qeverive ka qenë pasurimi e të vrapojnë pas saj dhe se asnjërës qeveri nuk i ka interesuar reforma në drejtësi, përkundrazi këta kanë bërë të kundërtën, kanë bërë zap reformat në drejtësi."Këta kurrë nuk e kanë zbatuar ligjin, këta kanë lëshuar rrjetin si të merimangës dhe kanë qëndruar mbi këtë sistem puthadorësh, si shpata e Demokleut. Pra, politika është aty dhe ka gisht që do të duhej të ishte i ndarë sistemi gjyqësor nga bandat politike dhe mafio- oligarkët", potencoi ai."Qeveria 'Haradinaj', po çfarë qeverie more faqja e zezë, qeveri me mbi 100 ministra e zv. ministra, sot u emërua edhe zv. ministri i 63-të. A janë në terezi këta dallkaukë dhe bazhibuzukë", vijoi më tej analisti Badallaj. Sipas tij, sistemi i gjyqësisë është lëmsh dhe këtë lëmsh mund ta bëjë vetëm VETTING-u, por me ndihmën e FBI-së amerikane. "Pra, gabohen shumë rëndë në qoftë se dikush mendon se ka zgjidhje tjetër. Me ndërhyrjen e FBI dhe Vetting- ut do të trazohen shumë hajna që të dalin nga koshi i drejtësisë dhe do të trazohen nga kjo çerdhe e krimit. Edhe mafio-oligarkët do të zhdukeshin një nga një. Prandaj, nuk ka mundësi tjetër se si të bëhet sundimi i ligjit me këta matrapazë, hajna dhe mafiooligarkë që janë të shpërndarë në të gjitha dikasteret. Deri në themel do të tronditen jo vetëm këto dikastere, por nuk do t'i zënë burgjet", potencoi Badallaj.

Image

 

Bashkëpunëtorët e kryeministrit, të zhytur deri në fyt

Analisti Naim Miftari thotë se Qeveria e re është formuar me hajnat e mëhershëm që ishin në pushtet dhe me Listën Serbe që është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë. Sipas tij, edhe po të dojë Ramush Haradinaj që të sundojë ligji e ka të pamundur atë mision, pasi kundërshtarët e drejtë- sisë do ta rrëzonin këtë qeveri përtokë brenda 5 minutash, si PDK, si Lista Serbe, nëse marrin urdhra nga Beogradi. "Ka shumë bashkëpartiakë të z. Haradinaj që janë të korruptuar dhe u takojnë kupolave të krimit të organizuar. VETTING-u mund të implementohet vetëm me ndihmën amerikane dhe britanikegjermane, nëse e kanë miqtë tanë prioritet sundimin e ligjit, edhe pse mbase shumë zyrtarë ndërkombë- tarë dhe ambasadorë janë edhe vetë të korruptuar nga nëntoka politike e Kosovës", u shpreh ai."Nuk ka drejtësi aty ku improvizohet ligji, ku shtrembërohet e zbatohet ligji, sipas dëshirës të dikujt nga politika, e që në fakt është i korruptuar dhe vendin e ka burg, e jo pushtet. Por është shumë e rrezikshme kur korrupsioni dhe thyerja e ligjit janë punë rutinore dhe bëhen pa frikën nga askush, pasi në fakt nga presidenti i shtetit, kryeprokurorët, gjyqtari, hetuesi, avokati janë vetëm hallka të korrupsionit ose nuk kanë guxim të punojnë dhe të mbrojnë ligjin", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Image

 

Duhet reformë e thellë, me mbështetje amerikane

Analisti Naim Kelmendi ka vlerësuar se kjo qeveri e re do të duhej ta kishte prioritet sundimin e ligjit, ku një proces Vetting- u do të trondiste në themel sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim, ai thotë se Haradinaj në fillim e përmendi reformën e drejtë- sisë dhe shpreson se do të kontribuojë edhe në ditët në vijim për realizimin e kësaj reforme jetike për vendin, por që, sipas tij, VETTING-u duhet bërë nga ndërkombëtarët, bashkë me ndihmën e FBI-së amerikane. "Pra, siç dihet Qeveria 'Haradinaj" ka nxjerrë disa plane për reformimin e drejtësisë dhe mbetet të shihet se a do të ketë vullnetin që të merret seriozisht Kuvendi me çështjet e drejtësisë për punët që i takojnë për ta reformuar në rrënjë këtë sistem, duke prekur e ndryshuar edhe pjesë të Kushtetutës së vendit, pra duke bërë sa më parë Ligjin e VETTING- ut për drejtësinë, të ngjashëm me atë që u bë edhe në Shqipëri, respektivisht për gjyqë- sorin, prokurorinë, policinë, si dhe për të gjitha institucionet e shtetit, sikur edhe për politikën në Qeverinë qendrore dhe në komunat kosovare dhe administratat publike komunale e qeveritare, me qëllimin e vetëm vetëpastrimin ligjor nga të korruptuarit dhe të tej inkriminuarit në institucionet e shtetit dhe në politikën e vendit", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Ndërsa, profesori universitar, Mazllum Baraliu, e ka veçuar procesin e Vetting-ut se është jo vetëm i dobishëm, por është kusht pa të cilin nuk bëhet, ngase sipas tij tani në rrethanat dhe kushtet çfarë jemi ne, kur krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë shtrirë tentakulat e tyre në të gjitha poret sipas perceptimeve që bëhen, qoftë nga opinioni publik apo nga perceptimet dhe sondazhet e pavarura të jashtme e të brendshme, atëherë gjithsesi do të duhej që kjo qeveri e re dhe ky parlament i ri pa vonesë të marrin shembullin e Shqipërisë, ndoshta dhe të disa shteteve anëtare të BE-së."Të spastrojnë vetveten secila figurë politike dhe secila figurë institucionale, veçanërisht bartësit e funksioneve të gjyqësisë dhe të drejtësisë, sepse ndryshe nuk ka gjasa sipas të gjitha modaliteteve të mundshme dhe përvojës që kemi tashmë e 18 vjet si vend i lirë dhe i pavarur që të dalim nga ky batak, pa ndërmarrë masa të tilla edhe radikale e rigoroze, madje qoftë edhe nevojën dhe ndihmën teknike jopolitike nga bashkësia ndërkombëtare", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Image

 

 

(Kosova Sot)