Kosova, ndër vendet më të varfra në botë

  • 24 November 2017 - 08:15
Kosova, ndër vendet më të varfra në botë

Bazuar në shifrat e fundit, të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mësohet se Kosova renditet ndër vendet e fundit në Evropë, por edhe në botë, sa u përket të ardhurave për frymë në vitin 2017. Sipas këtyre shifrave, Kosova me 3500 dollarë amerikanë për frymë banori renditet në vendin e 120, bile më poshtë se Shqipëria, e cila renditet me 4520 dollarë për frymë në vit. Sipas të dhënave të FMN-së, mësohet se janë vetëm Ukraina që renditet e 135 dhe Moldavia që renditet në vendin e 137 dy vendet që janë më poshtë se Kosova. Ndaj analistët me të drejtë thonë se të dhënat e FMN-së tregojnë se ky është një fakt se të gjitha qeveritë që nga paslufta, por posaçërisht ato të paspavarësisë së Kosovës nuk punuan aspak për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, por pushtetarët tanë punuan vetëm për interesa të tyre dhe grupeve të mafio-oligarkëve ,të cilëve tanimë afro 9 vjet radhazi ua kanë dhuruar monopolet duke zhvatur qytetarët pafundësisht, por edhe duke shkatërruar tregun e lirë, pasi që sipas analistëve ka dyshime të mëdha, çdo gjë kontrollohet dhe udhëhiqet nga mafio-oligarkët me monopole kriminale.

Image

 

Kosovës i duhet perspektivë e re

Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i OEKut, Nazmi Mustafa, tha për "Kosova Sot" se për Qeverinë e tashme të Kosovës duhet që të analizohet në tërësi Raporti i FMN-së dhe kjo do të duhet që të jetë një leksion i madh për qeveritarët e rinj, në mënyrë që mos t'i përsërisnin gabimet e qeverive të kaluara. Pas analizës së këtij raporti, në këtë mënyrë do të vërehen shumë gjëra dhe dë të gjenden korrektorët e këtyre të metave dhe sëmundjeve në Kosovë, në mënyrë që të hapen rrugë të reja për vendin e qytetarët tanë. Sipas Mustafës, edhe 18 vjet pas lufte dhe 9 vjet pas pavarësisë nuk janë pak, por nuk duhet shikuar gjërat me pesimizëm, nëse shikon mbrapa nuk mund të fitosh dhe nuk mund të zhvillohesh. "Ndonëse jemi në këtë pozitë ku jemi me të ardhurat për kokë banori, Qeveria e re duhet që çdo gjë të fokusohet se çfarë duhet bërë tash e çfarë nesër, sepse kjo mënyrë e të shtruarit të problemeve është zgjidhja e vetme dhe funksionale e Kosovës dhe qasje tjetër ndaj kësaj situate nuk ka. Sepse edhe në aspektin zhvillimor duhet që të hapen perspektiva të reja", vijoi më tutje Mustafa.

Image

 

Pushtetarëve u interesoi vetëm xhepi i tyre

Ndërsa, analisti Nehat Emrullahu tha për "Kosova Sot" se raporti i FMN-së sikur tregon se synimi i vetëm i pushtetarëve të deritashëm në Kosovë deri te kjo qeveri e re ka qenë futja nën kontrollin e tyre të ekonomisë kryesore përmes kompanive monopoliste dhe tenderomanisë, duke e kthyer vendin në një shtet importues të çdo gjëje dhe krejt çka eksportojmë janë paratë dhe disa profesionistë që na i merr Perëndimi."E tëra kjo situatë e brishtë e vendit po vjen në saje të politikave plaçkitëse dhe zhvatjes së pushtetarëve tanë që i kanë bërë deri më sot ndaj pasurisë së Kosovës", u shpreh ai. Sipas analistit Emrullahu, synim i vetëm i pushtetarëve deri tash ka qenë për të privatizuar sa më shumë prona publike që deri dje ishin në pronësi të shtetit. "Veç saj, edhe futja nën kontrollin e tyre të sektorit të ekonomisë ka qenë ndër synimet kryesore, duke i arritur këto qëllime përmes krijimit mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetarët, si edhe zhvatja e buxhetit të shtetit. Andaj, nuk duhet të çuditemi se përse jemi në fund të pusit me këtë pozitë me të ardhurat për kokë banori", ka theksuar ai. Ndërsa eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, tha se rritja tejet e ngadaltë ekonomike mbetet një ndër arsyet kryesore pse Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet e fundit në Evropë, por edhe në botë, sa u përket të ardhurave për frymë në vitin 2017. "Dyfishimi i ngritjes aktuale ekonomike do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë", potencoi ai.

Image

 

Qeveritë deri tash dështuan

Anëtari i Kryesisë së AKB-së, Bashkim Osmani, thotë për gazetën "Kosova Sot" se Raportit të FMN-së duhet besuar, sepse është shumë i qartë."Ndonëse është një e vërtetë e hidhur ajo që dihet është fakti se posaçërisht që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash, zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk ka ecur me shpresat tona dhe ritmet që kemi pritur se do të zhvillohemi", u shpreh ai. "Zhvillimi ekonomik ka ngecur, kështu që prapambetja ekonomike e Kosovës ka vazhduar të thellohet krahasuar me vendet në regjion", vijoi më tutje Osmani. "Fatkeqësisht asnjë qeveri e paspavarësisë nuk ka arritur që t'i mobilizojë resurset natyrore të Kosovës, por edhe që të krijojnë një klimë të përshtatshme të biznesit për thithjen e investimeve të huaja e veçanërisht kemi stagnuar me mungesën e investimeve në fushën e prodhimtarisë", tha Bashkim Osmani. Sipas tij, qeveria e re po duket se e ka nisur me këmbë të mbarë dhe hapat e saj të parë fillestarë janë shumë shpresëdhënës."Ne si biznese, por edhe qytetarëve tanë, u mbetet që të shihet se sa do t'u përmbahet premtimeve të përshkruara me programin qeverisës", ka vlerësuar Osmani.

Image

 

Munguan politikat e duhura ekonomike

Analisti Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot" tha se, duke u bazuar në raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo tregon më së miri se qeveritë tona nuk kanë pasur politika ekonomike dhe është një tregues se mirëqenia e qytetarit nuk paska qenë asnjëherë në agjendën e tyre."Qeveritë nuk kanë pasur politika të shëndosha ekonomike që rritja ekonomike të kthehet në investime dhe investimet në rritje të punësimit dhe si rezultat të kemi mirëqenie për qytetarin, po ashtu edhe ato investime janë dedikuar për sponsoruesit e partive politike", potencoi ai. Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku për gazetën "Kosova Sot" tha se Raporti i FMN-së e qartëson fort mirë se ka dyshime të mëdha se pushtetarët tanë punuan vetëm për interesa të tyre dhe si të pasurohen. Sipas tij, e gjetura tjetër e raportit tregon qartazi lidhjen e pushtetarëve tanë me grupet e bizneseve dhe të mafio-oligarkëve, të cilëve tanimë afro 9 vite radhazi ua dhuruan monopolet, duke zhvatur qytetarët tanë pafundësisht, por edhe duke shkatërruar tregun e lirë.

(Kosova Sot)