Vendimi i Haradinajt për ta bërë 28 Nëntorin ditë pushimi, bëhet lajm ndërkombëtar

  • 24 November 2017 - 12:21
Vendimi i Haradinajt për ta bërë 28 Nëntorin ditë pushimi, bëhet lajm ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, 28 Nëntorin, ditën e flamurit kombëtar shqiptar e ka shpallur ditë pushimi.

Por ky vendim i kryeministrit është bërë edhe lajm në mediet ndërkombëtare.

Fox News shkruan se Qeveria e Kosovës ka vendosur të shpallë 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, një festë kombëtare, një veprim që, sipas tyre, mund të shkaktojë një reagim të zemëruar nga Serbia.

“Një deklaratë e Qeverisë të enjten ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj e shpalli 28 Nëntorin si “ditën e shqiptarëve”… për të respektuar vlerat historike dhe kulturore dhe traditat e mira familjare dhe shoqërore”, citon kjo media.

Kryeministi Haradinaj tha se ka vendosur që më datë 28 Nëntor, të ketë pushim në Kosovë.

“Duke u bazuar në Ligjin për festat zyrtare, kam vendosur që 28 nëntorin – si Dita e Shqiptarëve – ta shpalli ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e trungut etnik shqiptar, si dhe traditat e mira familjare e shoqërore. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik”, ka shkruar Haradinaj.

Data e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar, ishte lënë jashtë nga kalendari i festave zyrtare të Kosovës qysh në vitin 2008 kur u miratua Projektligji për festat zyrtare të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot)