Policia jep detaje për vrasjen që ndodhi midis Prishtinës

  • 25 November 2017 - 10:43
Policia jep detaje për vrasjen që ndodhi midis Prishtinës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi dje, në orët e mëngjesit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një vajzë.

Vrasja ka ndodhur në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, nga një veturë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri i dyshuari, inicialet e së cilit nuk janë bërë të ditura nga policia.

“I dyshuari mashkull K/Shqiptar për motive të panjohura, nga një veturë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të katër personave të cilët ishin duke ecur rrugës, dhe është larguar në drejtim të panjohur”, tregon policia.

Raporti tregon se viktima mashkull ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, i cili ka ndërruar jetë në emergjencë, ndërsa lëndime ka pësuar edhe viktima femër, e cila është dërguar në tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.

“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja. Me vendim të prokurorit, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thotë raporti policor.

Ata bëjnë me dije se kanë kontrolluar një objekt ku dyshohet se ishte fshehur i dyshuari, dhe me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar dy armë, njëra armë dyshohet që ishte përdorur në rast dhe një veturë të cilën e ka shfrytëzuar i dyshuari.

I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin dhe në kërkim të tij.

(Kosova Sot)