Mërgimtari shkakton aksident zinxhiror?! (Foto)

  • 30 July 2015 - 16:03
Mërgimtari shkakton aksident zinxhiror?! (Foto)

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës në Kosovë, më vete ka sjellë edhe rritjen e automjeteve në komunikacion, e cila gjë përveç vështirësive, po shkakton edhe aksidente në komunikacion.

Në komunën e Deçanit, së fundmi ka ndodhur një aksident, me ç’rast një person me veturën e tij me tabela të Suedisë, ka goditur një mori veturash të cilat kanë qenë në Parking.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se siç e kanë bërë të ditur urdhri operativ sezona verore 2015, tregon sipas tij, se PK-ja ka angazhim te pandërprerë me prezencë policore, në gjithë territorin e sajë.

Ai ka theksuar se rritja e prezencës policore bëhet me të vetmin qëllim, dhe ai është ngritja e nivelit të sigurisë në trafik, ruajtjen e jetës së qytetarëve si pjesëmarrës në trafik, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

“Policia e Kosovës nuk ka për qëllim ndëshkimin e qytetarëve, duke përfshirë bashkatdhetarët por ka për qëllim ngritjen e nivelit më të lartë të sigurisë në trafik, andaj kërkon dhe njëherazi apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës gjate ngasjes së automjeteve”, ka thënë Kelani, transmeton Telegrafi.

Ai ka sqaruar se Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, duke përfshirë edhe këmbësorët, me të vetmin qëllim sipas tij, ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, pasi që shifrat e aksidenteve të tilla janë shqetësuese dhe shumë brengosëse edhe për vetë Policinë e Kosovës edhe përkundër rënies se tyre.

“Kryesisht gjatë muajve të verës vërehet një ngritje e lehtë e aksidenteve në trafik dhe ne kemi marrë masa edhe në ndëshkimin e kundërvajtësve ku tani ka ngritje të numrit të gjobave deri mbi 900 gjoba brenda 24 orëve”, ka shtuar Kelani. 

Image
Image
Image