Njeriu që nuk lejon të shuhet filigrania në Pejë

  • 30 July 2015 - 18:17
Njeriu që nuk lejon të shuhet filigrania në Pejë

Kjo familje dikur i zbukuronte armët me filigran

 "Edhe pse kjo veprimtari është duke u shuar, unë do ta vazhdoj. E di këtë zanat dhe e dua shumë, andaj sa të mundem do të punoj, sepse dashuria që ke për një gjë të shtyn ta bësh, pavarësisht sfidave dhe lodhjes", thotë 66-vjeçari Rafael Çivlaku

I rrethuar me disa makina të ndryshme dhe me fije teli prej metali, ku në tavolinën e tij shihje punime të ndryshme byzylykësh prej argjendi që kishte bërë me duar, Rafael Çivlaku nga Peja ishte mbyllur në zyrën e tij dhe ishte koncentruar në punën që bënte. Mosha e tij e shtyrë (66-vjeçar) nuk e ndalonte dot që të punonte filigran prej argjendi sado që djersët nganjëherë ia kaplonin ballin. Dashuria që ka ndaj kësaj pune e bën të shtyje vitet që ka dhe të duket sikur është më i ri. Unaza, byzylykë, qafore të ndryshme, të cilat shkëlqenin, ishin një pjesë e punës së bërë nga duart e tij me rrudha. Ai këto gjëra i bën me fije teli prej argjendi.

Punë e bërë me dashuri

Është e çuditshme se me sa dashuri i bën këto gjëra, saqë duket sikur nuk lodhet asnjëherë. "Me këtë zanat merremi brez pas brezi. Së pari është marrë katragjyshi, pastaj stërgjyshi, gjyshi, babai, unë e tani edhe djemtë e mi. Nuk është punë e lehtë siç mendohet, por nëse lodhem unë lodhem prej syve jofizikisht, kjo ndoshta se e dua këtë profesion tejet shumë", ka thënë ai.