Rrëfimi i Varoufakis: Mamaja ime terroriste e djathë, e njohu babain pasi…

  • 30 July 2015 - 21:04
Rrëfimi i Varoufakis: Mamaja ime terroriste e djathë, e njohu babain pasi…

Ish-ministri i Financave greke Janis Varoufakis ka bërë një rrëfim të veçantë për jetën e tij në të përjavshmen gjermane “Stern”.

Ai ka folur për të shkuarën e tij dhe të prindërve ku ka bërë edhe një zbulim shokues.

“Mamaja ime ishte një terroriste e djathtë, e njohu babain teksa e spiunonte”, ka rrëfyer ai.

Lidhur me programin e ndihmave ish-ministri shprehet se është akoma kundër.

“Kam luftuar gjithmonë të ashtuquajturën paketë ndihmash. Është një diktat. Me këtë program Greqia kthehet de facto në protektorat. Kemi mashtruar vetveten”, thotë ai.

Lidhur me fëmijërinë ai thotë se ka lindur politikan.

“Gjatë luftës civile mes partizanëve komunistë dhe qeverisë monarkike babai im u internua për katër vjet pasi refuzoi të denonconte komunistët. Ishte një liberal, i edukuar me shpirtin e revolucionit. Nëna ime ndërkohë ishte një terroriste e djathtë. I urrente të majtët. Me babain tim u njoh duke e spiunuar. Ai ishte president i lidhjes studentore në Athinë dhe detyra e mamasë sime ishte ta vëzhgonte”, rrëfen ai.

Ai ka folur lidhur me gishtin e mesit drejtuar Gjermanisë, transmeton Mapo.al.

“Ishte një gjë e pavërtetë. Nuk e kam bërë kurrë. Kam pasur gjithmonë simpati ndaj Gjermanisë. Që në moshën trevjeçare dëgjoja muzikë gjermane fshehurazi në Greqi. Ishte një arratisje nga diktatura”, përfundon Varoufakis.