Tahiri angazhohet për de-radikalizimin dhe ri-integrim të personave të përfshirë në konfliktet e huaja

  • 03 December 2017 - 14:25
Tahiri angazhohet për de-radikalizimin dhe ri-integrim të personave të përfshirë në konfliktet e huaja

Ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm meriton përgjigje unike dhe të orientuar në parandalim. 

Kështu është shprehur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një status të publikuar sot në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka bërë të ditur se këtë perspektivë e ka ndarë në një organizim gjatë javës së shkuar, e që kishte për temë rolin e psikologëve dhe liderëve fetarë në procesin e rehabilitimit, ri-integrimit dhe deradikalizimin e personave me bindje të tilla. 

“ Bashkë me Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Tërnava si dhe Zëvendës Shefen e Misionit të SHBA-së në Kosovë, znj. Hyland, diskutuam për masat e nevojshme që duhet ndërmarrë në mënyrë që t’i trajtojmë me kujdes këto sfida. Shpreha gatishmërinë dhe vendosmërinë time absolute dhe të pa kompromis për të vazhduar me të gjitha mjetet në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të favorshëm dhe human për procesin e de-radikalizimit dhe ri-integrimit të këtyre personave që kanë nevojë për një proces të tillë” ka shkruar Tahiri.

Ministri Tahiri ka shkruar se ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm është sfidë bashkëkohore, që nuk ka përjashtuar asnjë shtet apo shoqëri, andaj edhe përgjigja duhet të jetë unike.

“Vetëm kështu i qëndrojmë besnik parimeve tona demokratike, tolerancës fetare dhe vlerave humane. Unë besoj se shoqëria e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetët një rast shembullor mbi atë se si mund të jetohet dhe veprohet në një botë globale e në harmoni me njëri tjetrin” ka përfunduar Tahiri statusin e tij në Facebook.

(Kosova Sot)