Zeqa: Mocion kundër kabinetit Haradinaj!

  • 03 December 2017 - 14:51
Zeqa: Mocion kundër kabinetit Haradinaj!

Se Qeveria 'Haradinaj' mund të përballet shpejt me mocion dhe rrëzim të iniciuar nga PDK-ja, si hakmarrje për kundërshtimin e demarkacionit, këtë skenar e sheh të mundshëm edhe analisti Florim Zeqa. Sido që të jetë, ai rekomandon kryeministrit që për asnjë çmim të mos e ndryshojë qëndrimin, qoftë edhe për çmimin e mocionit kundër kabinetit të tij."Ndërrimi i mendjes për sjelljen në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të Qeverisë së kaluar do të ishte "vdekjeprurës" për kryeministrin Haradinaj. Me një veprim të tillë, Haradinaj përveç humbjes së imazhit pozitiv (pas caktimit të komisionit të ri për demarkimin e kufirit), përfundimisht do të humbasë edhe kredibilitetin si lider shtetëror, kur dihet se i njëjti si opozitë e bashkuar (LAN) e kundërshtoi me të gjitha mjetet në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi", u shpreh ai."Gjasat janë të mëdha, që sjellja e demarkacionit në Kuvend mund të jetë vetëm një skenar për mocion të përshpejtuar kundër Qeverisë "Haradinaj", gjegjësisht çuarja e vendit në zgjedhje të reja parlamentare. Në fakt, rruga e ardhjes në pushtet e Haradinajt mund të jetë e njëjta për zbritje nga froni i pushtetit. Andaj, si "shpëtim" për Haradinajn ashtu edhe e dobishme për vendin do të ishte mbrojtja e qëndrimeve nga ana e kryeministrit Haradinaj për mossjellje në Kuvend të versionit të qeverisë së kaluar", tha Florim Zeqa.

(Kosova Sot)