Biznesmeni dhe ish-zyrtari i AKR’së arrestohet në Suedi, dyshohet se zhvati mijëra euro

  • 03 December 2017 - 15:16
Biznesmeni dhe ish-zyrtari i AKR’së arrestohet në Suedi, dyshohet se zhvati mijëra euro

Gjykata e Qarkut në Malmo, Suedi, ka arrestuar Sabit Pacollin për mashtrim të madh më 2015, 2017 dhe 2017. Ai u arrestua të enjten e javës që po lëmë pas derisa po shkonte në një takim në Agjencinë Suedeze të Tatimit.

“Desha të sigurohem që hetimi ynë preliminar të përfundojë para hetimit të Agjencisë Suedeze të Tatimit”, ka thënë prokurori Bo Birgerson.

Në orën 11:00 të së dielës ka nisur seanca dëgjimore. Një orë e gjysmë më vonë, Gjykata e Qarkut lëshoi urdhrin e arrestit.

Sipas Birgerson, arrestimi i tij erdhi si pasojë e dyshimeve të besueshme për keqpërdorim të parave.

Edhe gjykata e qarkut dha vlerësim të njëjtë: ekzistonte rreziku se Pacolli do të shkatërronte hetimin nëse do të lirohej dhe ekzistonte rreziku se ai do të ikte me aeroplan.

Leif Ljungholm, prokuror publik mbrojtës i Pacollit, thotë se klienti i tij i mohon akuzat.

Sabit Pacolli, biznesmen dhe ish-zyrtar i Aleancës Kosova e Re, muajin e kaluar kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” se ka vjedhur mbi 200.000 euro nga kompania e bamirësisë HSB, ku vet është kryetar.

“Sydsvenskan” ka shkruar një artikull me titull “Shoqata HSB është grabitur – kryetari ka ndërtuar fabrikë dhe vilë luksoze në Kosovë”.

Sipas hulumtimit që gazeta pretendon ta ketë kryer, kjo grabitje e Pacollit kap vlerën e dy milionë krunave.

Express kishte shkruar se Sabit Pacolli, ish-zyrtar i AKR’së dhe biznesmen në Lipjan, po akuzohet se ka përvetësuar mbi dyqind milionë korona. Sipas “Sydsvenskan”, Pacolli si Kryetari i Shoqatës së Strehimit në Malmo po dyshohet se një pjesë e parave të dhëna nga shteti suedez për strehimoret i përvetësoi.

Sipas “Sydsvenskan”, Kryetari i Shoqatës së Strehimit, Sabit Pacolli kishte udhëtuar në Kosovë. Kishte ndërtuar një fabrikë luksi dhe vila luksoze.

I njëjti portal ka publikuar një fotografi të Sabit Pacollit me Zëvendëskryeministrin e Parë, Behgjet Pacollin.

Sabit Pacolli kishte përkrahur në garën e fundit Imri Ahmetin e LDK’së. Para këtyre zgjedhjeve, ai kishte kandiduar për Kryetar të Lipjanit, shkruan Express.

“Kompania HSB është grabitur, ndërsa, Kryetari ka ndërtuar një fabrikë dhe vilë luksoze në Kosovë”, shkruan në titullin e medias suedeze, e cila si fotografi ilustruese e ka Sabit Pacollin.

Ndërkohë, një reagim në FB, Pacolli ka thënë se s’e nuk ka keqpërdorur asnjë euro derisa ka thënë se shpejt e vërteta do të dalë.

“Është artikull i rremë”, ka thënë Pacolli, në një reagim me video ne FB.

“Kurrë në jetën time nuk kam bërë veprime kriminale as nuk kam mashtruar dikënd. Ata që me njohin mua kush unë jam. Është lajm i rrejshëm. Shumë shpejt ka me ardh e vërteta për këtë rast”, ka thënë ai.

“Këto ditë në mediume të ndryshme po qarkullon një lajm i rremë se unë kam keqpërdorur fondin e shoqatës e të cilës jam Kryetar. Sabit Pacolli në regjistrin e krimit të Suedisë është i pastër si loti. Unë e njoh vetën time, karakterin tim, dhe rolin të cilën e kam pasur. Unë asnjëherë as edhe 10 euro të buxhetit nuk kam keqpërdorur kurrë, sepse ashtu kam qenë i edukuar. E vërteta së shpejti do të del në shesh, dhe avokati im është duke përgatitur padi për secilin njeri që ka shpifur për mua”, ka reaguar Pacolli, në FB.

“Sabit Pacolli asnjëherë në jetë nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin. As në Suedi por as në vendlindjen time. I falënderoj të gjithë ata qytetarë dhe miq të cilët me kanë mbështetur, dhe me mbështesin në këto momentet të renda për mua dhe familjen time”, ka shtuar ai.

Sipas gazetës suedeze, Pacolli si Kryetar i Shoqatës kishte marrë hua për të bërë renovime të banesave. Ndërtime këto të panevojshme dhe të kryera pa kualitet. Në këtë mënyrë ka futur në borxhe shumë banorë suedezë, të cilët nuk kanë qenë në dijeni se Shoqata përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesave ka marrë hua për të bërë renovime të panevojshme.  

(Kosova Sot)