Monopoli në homologimin e veturave dhe falja e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit – shkelje e ligjit

  • 03 December 2017 - 16:30
Monopoli në homologimin e veturave dhe falja e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit – shkelje e ligjit

Krijimi i monopolit në homologimin e veturave dhe falja e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit, janë dy vendime të ndara të Qeverisë së Kosovës të cilat sipas Institutit GAP e kanë dëmtuar konkurrencën, kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kanë favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private në dëm të interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP, ka thënë se këto dy vendime janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe sipas saj, përveç që duhet të revokohen ato duhet edhe të hetohen nga organet kompetente.

Këto u thanë në konferencën hapëse të “Javës Kundër Korrupsionit”, e cila javë ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 9 dhjetor.

“Këto dy vendime e kanë dëmtuar konkurrencën, kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kanë favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private në dëm të interesit të përgjithshëm të qytetarëve. Të dy këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi, andaj përveç se duhet të revokohen ato duhet edhe të hetohen nga organet kompetente”, tha ajo, raporton KP.

Ndërsa, Berat Thaqi nga Instituti GAP, tha se monopoli në homologimin e veturave daton që nga fundi i vitit 2008 ku Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit ka nënshkruat një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

Thaqi tha se nëse krahasojnë çmimet e homologimit në Kosovë me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, del se kosovarët nga viti 2009 deri më 2015 kanë shpenzuar 2.4 milionë euro më shumë se sa që do të shpenzonin në rast se nuk do të ekzistonte monopoli dhe çmimi do të ishte i ngjashëm me vendet e rajonit.

“Kompania “Eurolab” përveç që jeni të obliguar ta kryeni kontrollin e parë teknike tek kjo kompani dhe kjo specifikë e rrëzimit administrativ është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, për arsye se kjo cilësohet si praktikë agresive tregtare dhe e mohon lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve. Përveç kësaj kompania “Eurolab” gjithashtu mbikëqyrë kompanitë tjera të kontrollit teknik, pra përveç se jep shërbimin për kontroll teknik ajo edhe mbikëqyrë kompanitë tjera të kontrollit teknik, që sipas nesh përbën konflikt të pastër të interesit. Pra, përveç dhënies së monopolit i cili është në kundërshtim me ligjet në fuqi ka disa parregullsi tjera në dhënien e kësaj kontrate, parregullsi që bien në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe gjithashtu ka konflikt të interesit”, tha ai.

“Java Kundër Korrupsioni” që organizohet nga koalicioni i organizatave joqeveritare ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 9 dhjetor, ku gjatë kësaj jave do të ketë aktivitete të ndryshme.

Kështu, nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare (OJQ) “Java Kundër Korrupsionit 2017”, Betim Musliu, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave të gjitha organizatat e këtij koalicionit do të kenë aktivitete që kanë për qëllim sensibilizimi e akterëve dhe publikut në lidhje me luftën kundër korrupsionit.

Musliu bëri të ditur se këtë vit në kuadër të kësaj jave përveç diskutimit të temave në sektorë të ndryshëm do të diskutohet për raste specifike.

“Pra, kemi vendosur që si organizata në sektorë të ndryshëm të zhvillojmë hulumtime të veçanta dhe të përgatisim raporte të cilat çdo ditë do të bëhen publike dhe të nesërmen do të diskutohen në tryeza të rrumbullakëta me akterë të institucioneve përgjegjëse, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me të gjitha këto aktivitete do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane. Do të kemi risi sepse do të kemi raste konkrete në të cilat do të kërkohet përgjegjësi konkrete nga individët të cilët nuk kanë shënuar rezultate në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe po ashtu, nuk kanë mbajtur përgjegjës të gjithë ata që kanë bërë shkelje të ligjit”, tha ai.

Pjesë e koalicionit të Organizatave Joqeveritare “Java Kundër Korrupsionit” janë Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Iniciativa për Progres (INPO), Organizata Çohu, Instituti KIPRED dhe Instituti Columbus.

Po ashtu, koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2017”, gjatë ditës së sotme do të shfaq dokumentarin e titulluar “Java Kundër Korrupsionit 2016”.

(Kosova Sot)