"Burimet e Zeza" thanë shatërvanët e shtëpive të vjetra në Prizren - Lajme - Kosova Sot
"Burimet e Zeza" thanë shatërvanët e shtëpive të vjetra në Prizren

"Burimet e Zeza" thanë shatërvanët e shtëpive të vjetra në Prizren

Nehale Paçarrizi P rizreni ka një varg realitetesh, të cilat tashmë kanë mbetur ose të harruara ose kanë mbetur vetëm si relikte të një të kaluare të pasur dhe me tradita të lashta. Kështu tregon për gazetën "Kosova Sot' prof. dr. Simir Krasniqi. Faton Ruxhi, nip i familjes Paçarrizi, një familje aristokrate të dikurshme e këtij qyteti, thekson se shatërvanët e kësaj familjeje, të cilat janë nga mermeri, ishin sjellë nga Lindja e Mesme. Njëra ndër temat në Prizren janë burimet e Karapotokut që në përkthim të lirë në gjuhën shqipe mund të quhen si Burimet e Zeza. Edhe për Lumëbardhin e Prizrenit ka shumë legjenda, kurse vendasit shpesh e kanë quajtur "Lumi i bekuar". Ky lumë rrjedh pashtershëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Sharrit dhe që "urtësohet" vetëm një kilometër para pikë- takimit me burimin e Karapotokut, një burim që vazhdon të rrjedhë pikërisht tek këmbët e dy kalave, asaj të Prizrenit dhe Kalasë së Çikës.

Uji shëronte njerëzit

Karapotoku për prizrenasit ka pasur disa tipare ndryshe. Prof. dr. Simir Krasniqi tregon për gazetën se Karapotoku ka pasur disa karakteristika dhe supozohet se ka qenë një burim i ujit të pijshëm, para ardhjes së osmanëve dhe mendohet të jetë quajtur "Burimi i bekuar", por me ardhjen e osmanëve ai e ka marrë emrin Karapotok për shkak të ngjyrës së zezë të baltës që e ka dhe shërimit që iu ka mundësuar njerëzve. Sipas legjendës, supozohet se atë e ka hapur një bishë e madhe dhe e zezë që ishte një buall. "Nga atëherë e ka marrë emrin Karapotok, që në shqip do të thotë burim i zi", shprehet Zenel Çeku lidhur me Karapotokun. Për këtë në Prizren ka një mori legjendash të ndryshme, por këto janë krijuar për faktin se uji i kësaj toke të zezë pihet, pastaj balat e sajë përdoreshin për izolim dhe për shërim. Kjo ka bërë që ai vend të njihet ndër dhjetëra gjenerata të Prizrenit. Munir Tada tregon për gazetën "Kosova Sot" se ai shehër që s'ka Karapotok nuk është shehër.

Image

Reliktet e bukura

Burimet e Karapotokut të dikurshëm, siç tregon nënë Nehale Paçarrizi, kanë pasur uratën e prizrenasve."Ai ujë vinte me tubacione të veçanta nëpër shatërvanë të shtëpive të shumta të Prizrenit, pra edhe në shtëpinë tonë. Verës vinte ujë i ftohtë, kurse dimrit vinte i ngrohtë. Por, karshi shatërvanëve po nga Karapotoku vinte dhe uji i jazit tonë, ujë që unë mbaj mend ishte shumë i pastër, bile ai ujë kishte aq pastërti sa mund të pihej lirshëm. Sillte freskë nëpër oborre, përdorej për ujitje dhe kishte po kështu edhe një lloj peshku me pika që tregonte se sa i pastër ishte. Mirëpo, tashmë këto shatërvanëve me mungesë të ujit të Karapotokut mbeten të thara. Askush deri më sot nuk është interesuar si një vlerë e rëndësishme që i përkasin kohës së lashtë", tregon ajo. Shton se asnjëra nga shatërvanët e as kjo e familjes Paçarrizi që ruhet si një shenjë e vjetër e kësaj familje. Nehale Paçarrizi tregon se shatërvanët e kësaj familje tashmë janë tharë. Shton se ardhja e pushtetit komunist së pari i mori stolitë e vlefshme të familjes e pas kësaj ata e ndaluan edhe ujin e shatërvanëve. "Kurse unë mbaj mend si fëmijë se në shtëpinë tonë rrinte një luftëtar ballist, kur atë e kërkuan komunistët, ai nëpër një kanal të këtij shatërvani u largua dhe doli diku tek Lumëbardhi", kujton ajo. Mirëpo, tashmë ata shatërvanë kanë mbetur vetëm si relikte të bukura.

Image

 

(Kosova Sot)

20 orë e 12 minuta më parë
21/09/18