Kush do të vijë në vend të Gruevskit?

  • 03 December 2017 - 19:25
Kush do të vijë në vend të Gruevskit?

“Tre klanet” që luftojnë për fronin e kryetarit

Pas prononcimit të kreut të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në Maqedoni se së shpejti do të heqë dorë nga posti i kryetarit, grupacione të ndryshme brenda kësaj partie kanë nisur të mobilizohen për të rrëmbyer këtë post.

Burime të brendshme brenda-partiake flasin për tre klane kryesore dhe atë: I pari është Nikolla Poposki i cili gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, një pjese të shqiptarëve dhe intelektualëve.

Grupi i dytë si kandidat potencial proklamon Hristijan Mickovskin, i cili gëzon mbështetje nga vetë Nikolla Gruevski dhe të afërmit me të, por nuk ka përkrahjen e bazës së partisë e as të faktorit ndërkombëtar. Ndërkaq në grupin e tretë, si kandiatë të mundshëm shfaqen tre emra, Antonio Milloshovski, Vllatko Gjorçev dhe Ilija Dimovski. Këto tre persona kanë mështetje nga baza.

Gjorçev ka nën kontroll terrenin politik të Maqedonisë Lindore, ndërsa Milloshovski në njësinë zgjedhore numër 5, duke përfshirë Kërçovën dhe Manastirin. Shkarkimi i Gruevskit nga posti kryetar i partisë VMRO-DPMNE do të ndodhë shumë shpejt edhe atë brenda një apo dy muajve thonë të ashtuquajturit reformatorë të kësaj partie.

Kostadin Bogdanov për Tv 21 thotë se do ta kishin përkrahur si kandidat për kryetar partie Nikolla Popovskin apo Antonio Milloshovskin, me kusht nëse do t’i pranonin kërkesat e tyre për ndryshim të statutit të partisë. Por të njëjtën përkrahje nuk do ta jepnin për sekretarin gjeneral të kësaj partie Hristian Mickovski pasi që siç thonë, është një ndër fajtorët kryesorë për humbjen e 150 mijë votave në zgjedhjet e fundit lokale, raporton Tv21.tv. “Janë të nevojshëm njerëz të ri nga niveli lokal deri te ai qendror.

D.m.th udhëheqësi e re, para së gjithash ajo udhëheqësi duhet të jetë e aftë të mund t’i kthejë të gjithë ato 150 mijë vota dhe anëtarët dhe simpatizantët të cilët u larguan në këto zgjedhje për shkak të udhëheqësisë së vjetër. Ashtu që ai person apo ata njerëz duhet të jenë kredibil edhe te anëtarët edhe te opinion më gjerë, te faktori ndërkombëtar, te faktori shqiptar që t’i ndërtojnë përsëri ato ura që i kishte VMRO-DPMNE më parë të cilat tani për fat të keq janë të rrënuara”, tha Kostantin Bogdanov, reformator i VMRO-DPMNE-së.

Profesori universitar, Jove Kekenovski vlerëson se që moti është dashur të reformohet VMRO-DPMNE dhe se Gruevski të shkarkohet nga pozita e kryetarit të partisë. Sipas tij asesi nuk duhet të lejohet që në krye të partisë të vijë një person i cili ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Gruevskit. “Duhet që anëtarët dhe simpatizantët të kenë kujdes që ai person të cilin do ta zgjedhin mos të jetë ndonjë person i cili ka qenë pjesë e shkatërrimit të partisë dhe të mos jetë person i cili ka qenë bashkëpunëtor i Gruevskit në veprat të cilat ai i ka bërë.

Kjo gjë duhet të bëhet nëpërmes një procesi demokratik që do të mundësojë që të ndodhë pastrimi I partisë prej nivelit më të ulet deri tek niveli më I lartë I partisë, ku vetë anëtarët do ti zgjedhin kandidatët e tyre për kongresin e ardhshëm”, u shpreh Kekenovski.

Televizioni 21 kontaktoi edhe tre kandidatët e mundshëm duke i pyetur se a do të kandidohen për kryetar partie, por për momentin nuk donin të komentojnë. Ndërkohë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev nuk dëshiroi të komentojë paralajmërimin për dorëheqjen e Gruevskit.

Ai tha se nuk ndërhyn në punën e brendshme të partisë së tyre. Dy ditë më parë kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski pas 15 viteve paralajmëroi dorëheqje nga posti i liderit të partisë. Sipas të gjitha gjasave, nesër pritet të mblidhet komiteti qendror i partisë, ku një ndër çështjet kryesore që pritet të diskutohet, është edhe dorëheqja e kreut të VMRO-DPMNE-së.

(Kosova Sot)