Mashtrimi i madh me Demarkacionin - Lajme - Kosova Sot
Mashtrimi i madh me Demarkacionin

Mashtrimi i madh me Demarkacionin

DALIN NË PAH TË PALARAT E KOMISIONIT TË MEHËS PËR PËRCAKTIMIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI

Qeveria e Kosovës pritet që sot të diskutojë raportin më të ri të Komisionit qeveritar për kufirin me Malin e Zi, të krijuar nga qeveria Haradinaj, si kundër veprim ndaj komisionit të ish- Qeverisë së kaluar. Pas diskutimit në qeveri, është paralajmëruar edhe dërgimi më i shpejtë i raportit në Kuvend, me të gjeturat nga Komisioni për demarkacionin. Analistët politikë konsiderojnë se këto veprime të shpejta të qeverisë "Haradinaj" janë të nxitura nga presioni ndërkombëtar për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi, mirëpo ata mendojnë se Qeveria "Haradinaj" synon që me çështjen e Demarkacionit, të cilin po e përgatit ta dërgojë në Kuvend dhe atë po e dërgon vetëm sa për ta dështuar dhe më pas për ta dërguar në Arbitrazh, por jo në asnjë mënyrë që të bëhet ndonjë marrëveshje paraprake për ta kaluar variantin e mëparshme të Marrëveshjes së nënshkruar nga ishpartnerët Thaçi e Mustafa. Eksperti i së drejtës, prof. Riza Smaka, në cilësinë e ekspertit të pavarur, në një shkrim autorial për gazetën "Kosova Sot", ka shkruar se ish-komisioni shtetëror ka qenë formuar me vendimin nr. 12- 67 të datës 21 mars 2012, nga ish-qeveria Thaçi dhe të njëjtit iu vazhdua mandati me vendimin nr. 05-28, të datës 08. 05. 2015, nga qeveria 'Mustafa', e sipas tij shprehimisht ai komision ka qenë i mandatuar vetëm për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, por jo edhe për delimitacionin e aq më pak për ri delimitacionin e po atij kufiri! Ndërkaq, Komisioni (i Malit të Zi) për Kryerjen e Punëve të Delimitacionit dhe të Demarkacionit të Kufirit Shtetëror për Caktimin e Kalimeve Kufitare , për Vërtetimin e Regjimit Kufitar të Komunikacionit me Shtetet Fqinjë si dhe për Zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit ( Komisioni i MZ për Delimitacion ) sipas emërtimit (Omen est Nomen), ndër të tjera, ishte i autorizuar dhe i mandatuar, fillimisht për delimitacionin e, rrjedhimisht, për demarkacionin e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës! Ndaj, sipas Smakes, ishKomisioni Shtetëror,në takimin e parë të punës me Komisionin (MZ) për Delimitacion dhe Demarkacion, pashmangshëm ka qenë dashtë të ngriste zgjidhjen e çështjes preliminare,Conditio Sine Qua Non, për harmonizimin e ndërsjellë të mandateve të ndërsjella të po atyre komisioneve. Aq më parë kur ,sikundër figuron nga materialet e punimeve, Komisioni MZ për Delimitacion dhe Demarkacion, nga fillimi dhe vijimisht, ka pas insistuar, jo për demarkacionin, por për (ri) delimitacionin e Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, madje vetëm sipas të dhënave kadastrale sekondare - sic!". Smaka tani thotë se pret që kjo çështje ta marrë epilogun përfundimtar në Kuvend, duke u kundërshtuar version i parë i marrëveshjes dhe kontesti të bartet në arbitrazh ndërkombë- tar."Konkretisht, ish-komisioni fillimisht ka gabuar politikisht dhe juridikisht kur me komisionin homolog malazez ka pranuar të vepronte jashtë mandatit të vet ekskluzivisht për demarkacion sipas delimitacionit ekzistues, përkundrazi, jo në ridelimitacion, madje jo sipas kritereve të mirënjohura botërisht, por vetëm sipas kadastrit problematik". Ndryshe në këtë temë, këto ditë edhe Gjykata e Arbitrazhit referuar kontestit ndërkufitar slloven - kroat ,e ka refuzuar shprehimisht kadastrën në kontekst të përcaktimit të kufirit të tyre. As teoria e as praktikat juridike ndërkombëtare të mira, kadastrën nuk e pranojnë madje as për kriter sekondar, por vetëm si një element suplementar gjatë vendosjeve të kontesteve ndër kufitare. Edhe Serbia aktuale e refuzon Kroacinë për aplikimin e kadastrit për demarkacion kufitar ndërmjet tyre. Gjithsesi,nesër Komisioni aktual për Demarkacion do të raportoje para Qeverisë së Kosovës për konstatimet e argumentuara të veta me të cilat përgënjeshtrohet katërçipërisht puna e dobët, e papërgjegjshme dhe e gabuar e ish-komisionit për demarkacion, si dhe qëndrimet e ish-Qeverisë së Kosovës, madje edhe në kundërshtim me Rezolutën nr. 21- 1784 të datës 29. 06. 2015, me të cilën ndër të tjera ka qenë kërkuar nga ish-Qeveria si dhe ish-Komisioni në fjalë për të bërë demarkacionin kufitar sipas linjës ndarëse administrative ekzistuese, por jo edhe delimitacionin, i cili ekziston nga viti 1945- 6! Rrjedhimisht, supozoj se ,Qeveria aktuale e Kosovës do të vendosë që në Kuvendin e Kosovës të procedohet për shqyrtim Marrëveshja për Demarkacionin e ishKomisionit për Demarkacion tok me Raportin e Komisionit aktual për Demarkacionin në mënyrë që, deputetet, sipas diskrecionit, të votojnë pro apo kundër Marrëveshjes në fjalë, e cila pa dyshim është e gabuar, e dëmshme dhe juridikisht nul, ngase, së paku, ish-Komisioni për Demarkacionin, në vend të demarkacionit sipas rektifikacioneve të balancuara bilateralisht, çuditërisht, gjatë tërë kohës së veprimit, ka punuar jashtë mandatit politik dhe autorizimeve ligjore, për ridelimitacion të delimitacionit ekzistent, konstant e valid përgjatë linjës Cakorr - Mokna - Hajle - Kullë! Nuk mund të dyshohet se deputetët që do të lexojnë me përgjegjësi Raportin me të dhënat e gjetura të Komisionit aktual për demarkacion do të refuzojnë bindshëm ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion të ofruar nga ishKomisioni për Demarkacion", është shprehur Smaka. Ai tutje ka shtuar: "Në tërë këtë është edhe një e keqe, e cila konsiston në lajthimin e një pjese të opinionit të brendshëm dhe pothuaj e të gjithë përfaqësive diplomatike të jashtme, të cilët perceptojnë se fjala është për ratifikim të demarkacionit sipas delimitacionit ekzistues e valid, duke mos ditur apo duke neglizhuar faktin se çështja konsiston në ratifikimin e ri të delimitacionit të gabuar, të panevojshëm dhe të dëmshëm për integritetin territorial të vendit tonë". Ai shton se po të ishte fjala për demarkacion sipas delimitacionit egzistent nga viti 1945-6, asnjëherë në bazën e procedure legale të ndryshuar nuk do të duhej hezituar në këtë problem akut por do të duhej përfunduar të njëjtin në procedurë legjislative në mënyrën e përcaktuar me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pazaret me territore

Gazeta ka provuar gjatë ditës së djeshme të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës dhe nga subjektet politike parlamentare, por veç deputetit Zafir Berisha Nga Nisma për Kosovën nuk ka arritur të sigurojë ndonjë qëndrim tjetër. Deputeti Berisha tha për gazetën "Kosova Sot" se beson fuqishëm që pas diskutimit në qeveri deputetët do ta mbështesin vetëm versionin e vlerësimit dhe të gjeturave të Komisionit të Qeverisë "Haradinaj", por në asnjë mënyrë nuk do ta votojnë versionin e demarkimit të kufirit nga mandati i kaluar, të nënshkruar nga Thaçi e Mustafa."Meqenëse komisioni i ri i emëruar prej kryeministrit pritet të vijë edhe në Kuvend, me versionin e ri rreth të gjeturave rreth demarkacionit, natyrisht që ne do ta shqyrtojmë atë dhe në rast se ka të gjetura faktike për gabimet që janë bërë herën e parë, dhe ato të gjetura janë bindëse, ne natyrisht që do ta votojmë vetëm versionin e ri të demarkacionit. Mirëpo, paraprakisht, para se të vij në dorë të deputetëve, është problem që ta japim mendimin e prerë rreth tij, por natyrisht që ne jemi të vendosur që versionin të cilin e ka nënshkruar Hashim Thaçi për asnjë çmim nuk do ta votojmë", theksoi Zafir Berisha për gazetën "Kosova Sot".Analisti politik Ymret Reshiti thotë se tani po sheh një tendencë shumë të hapur nga rivalët aktualë politikë, PDK dhe LDK, ish- partnerë qeverisës në mandatin e kaluar, që të njëjtën marrëveshje që vetë e kanë arritur ta shtyjnë përpara, ta kalojnë atë, pavarësisht gabimeve që mund të jenë konstatuar nga komisioni i tanishëm faktmbledhës në terren. Sidoqoftë, ai beson që Qeveria "Haradinaj" ka synim tjetër dhe do t'i japë zgjidhje kësaj teme."Tendencat e PDK-së dhe LDK-së janë të qarta: të kalohet versioni i demarkacionit të komisionit 'Meha'. Qëllimi i kryeministrit Haradinaj është rrëzimi i versionit të demarkacionit të komisionit 'Meha' dhe dërgimi i çështjes në Arbitrazh. Është shqetësues fakti se si PDK në pushtet dhe LDK në opozitë i bashkon versioni i demarkacionit të komisionit Meha sipas së cilës dyshohet se Kosova humb 8 mijë hektarë. Si mund të këmbëngulet për një version të demarkacionit që t'i humbë Kosovës territor?! Siç duket PDK-së dhe LDK-së nuk po iu intereson e vërteta, sepse ata kanë krijuar qysh moti të vërtetën e tyre të versionit Meha për demarkacionin. Edhe pse mund të jenë të vetëdijshëm se po i humbin Kosovës territor. Me rëndësi për këto parti është që të mos zbulohet gabimi i tyre sepse iu bie imazhi politik ndërsa unë them se del në shesh akti i tradhtisë së tyre ndaj shtetit", është shprehur Rushiti. Opstrukcionet e PDK-së dhe LDK-së për versionin e demarkacionit, sipas tij, janë lojëra tepër të rrezikshme që e dëmtojnë Kosovën. 

Qeveria nën presion ndërkombëtar

Ndryshe analisti politik Florim Zeqa konsideron se duke iu referuar raportit të Komisionit të qeverisë "Haradinaj", i cili do të diskutohet në qeveri dhe dërgohet në Kuvend, atëherë çështja e liberalizimit të vizave do të marrë edhe një shtytje të re mbrapa, sepse parimisht, sipas Zeqës, do të duhej votuar marrëveshja ndërkombëtare e arritur në mandatin e kaluar qeverisës, ngase marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative për të gjitha qeveritë, sado që përbërja politike e qeverisë mund të ndryshojë ndërkohë. "Paralajmërimi i qeverisë, për dërgimin e shpejtë në Kuvend të raportit të ri me të gjeturat nga Komisioni për demarkacionin, është një dëshmi se Qeveria ndodhet para një presioni të madh ndërkombëtar dhe prapaskenave të faktorit politik vendor. Qeveria duke qenë e bindur në dështimin e saj për ratifikimin në Kuvend, synon që ta dërgoj çështjen e Demarkacionit në Arbitrazh ndërkombëtar të marrëveshjes paraprake, gjegjësisht për ta kaluar në variantin e më parmë të marrëveshjes se nënshkruar nga presidenti Thaçi", theksoi analisti Zeqa Sipas Blerim Burjanit, sado që Qeveria "Haradinaj" do të mundohet të bindë deputetët në konstatimet e komisionit të ri për kufirin, versioni i fundit është vetëm fontanë dëshirash për këtë qeveri, duke pasur parasysh se qëllimi ka qenë vetëm si të arsyetohen 49 mijë euro kot të dhëna për diçka që sipas Burjanit është punë e përfunduar shumë herët. Madje ai thotë se krejt ky proces i ri është hiq më shumë se humbje kohe. Sipas analistit Arsim Haziri, çështja e tërheqjes së vijave kufitare të Kosovës me Malin e Zi sërish si po duket do të jetë sfidë për qeverisjen "Haradinaj". "Ajo qeverisje pavarësisht që ka përcaktuar një komision përkatës për atë çështje, si duket nuk është duke dalë me të gjetura të reja, çka për kohën që jemi është duke paraqitur mjaftë neglizhencë institucionale. Apo ndoshta kjo çështje qëllimisht do të procedohet në formën siç është në Kuvend, dhe duke e ditur se s'do të mund të procedohet, do t'i krijohet mundësia e dërgimit të saj në gjykatës e Arbitrazhit", është shprehur Haziri. 

(Kosova Sot)

16 orë e 0 minuta më parë
25/04/18