Rusët xhindosen për heqjen e Haradinajt nga listat e Interpolit: SHBA kërkon 'gjak serb!' - Lajme - Kosova Sot
Rusët xhindosen për heqjen e Haradinajt nga listat e Interpolit: SHBA kërkon

Rusët xhindosen për heqjen e Haradinajt nga listat e Interpolit: SHBA kërkon 'gjak serb!'

Moska është nxehur keqas nga heqja e emrit të Ramush Haradinajt nga listat e ndalimit për Interpolin. 

Aq shumë është inatosur Rusia, sa ka publikuar në faqen e saj propagandistike “Sputnik” një shkrim ku titulli është shumë i egër: “Ja pse SHBA ka nevojë për një njeri që ka gjak serb në duart e tij”. Dhe si gjithnjë ka përdorur ekstremisten Brankica Ristiç për të bërë një fejton të gjatë në seksionin serb të “Sputnik”-ut.

Portali rus shkruan se“lirimi i Ramush Haradinajt nga akuzat e Interpol është një interes gjeostrategjik i SHBA në ushtrimin qëllimeve politike të saj”.

Marko Nikoviç, kreu i Shoqatës së Shefave të policisë në Serbi, thotë se “vendimi për heqjen e emrin e Ramush Haradinajt nga Interpol është një shkelje ligjore, pasi kjo mund të bëhet vetëm nga Serbia, e cila e ka vendosur atë”.

Pas këtij vendimi të Interpolit, të gjithë emrat që janë vendosur në lista për t’u ndaluar, tashmë janë të lirë të udhëtojnë jashtë Kosovës pa asnjë problem.

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri ishte i pari që publikoi lajmin në rrugë zyrtare, i cili ka xhindosur Beogradin dhe Moskën.

Marko Nikoviç, ish-kryepolici serb deklaron në faqet e “Sputnik”-ut se “unë besoj se ky është rezultat i presionit amerikan në Serbi për të tërhequr dhe garancitë. Kjo bëhet sepse është e papërshtatshme për dikë që po merr pjesë në negociatat me Serbinë që të jetë në listën e të kërkuarve”

“Sputnik” shkruan se ka gjasa që ky vendim i Interpolit të apelohet nga Rusia apo Kina sa më shpejt. “Amerika ka nevojë për Haradinajn si një njeri i lirë, në mënyrë që në këtë kohë mund të marrin pjesë plotësisht në ushtrimin e objektivave të tyre gjeo-strategjike dhe politike“, tha Nikoviç.

I pyetur nëse kjo do të ndikojë edhe në çështjen e Gjykatës Speciale, Nikoviç thotë: “Nëse ata kanë çuar një prokuror amerikan, çfarë nuk pritet. Pritet lirimi nga auzave i të gjithë krerëve të UÇK-së”.

Avokati Bozo Preleviç kujtoi se vendimi i gjykatës franceze në lidhje me Ramush Haradinaj, ishte baza e vendimit të fundit të Interpolit.

“Sipas Interpolit, aktakuzat e Serbisë nuk janë të dokumentuara në mënyrë të mjaftueshme dhe kjo thuhet hapur në vendimin e gjykatës franceze, pra, nuk ka gjetur baza për dyshim se ka kryer këto veprime apo krime”, tha Preleviç.

Në fakt ky argument i juristit të njohur Beogradas është edhe thelbi i kësaj çështjeje: urdhërat e arrestit janë juridikisht nul dhe si të tilla ata kanë rënë tashmë.

(Kosova Sot)

11 orë e 45 minuta më parë
26/04/18