Riprocedohet Specialja

  • 31 July 2015 - 09:48
Riprocedohet Specialja

Qeveria e Kosovës sot në mëngjes në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar dhe riproceduar në Kuvendin e Kosovës propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë sot para kabinetit qeveritar se nuk ka asnjë pengesë kushteutese që amandamentet kushtetuese të riprocedohen në Kuvend që të shqyrtohen edhe një herë duke pasur parasysh rëndësinë për vendin që ka miratimi i tyre. "Miratimi i këtyre amandamenteve është në dobi afatgjate të Kosovës. Miratimi është kërkesë eksplicite e Amerikës dhe Bashkimit Evropian", tha Mustafa, transmeton "Kosova Sot ONLINE".

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se riprocedimi i këtyre amandamenteve dhe formimi i Speciales, është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. "Kjo çështje është përgjegjësi e përbashkët shtetërore", tha ai.

Pas, fjalimit të Thaçit, kryeministri Mustafa hodhi në votim propozimin për riprocedimin e amandamenteve kushtetuese në Kuvend, propozim i cili mori të gjitha votat. "Qeveria me të gjitha votat u pajtu që të riprocedojmë amandamentet kushtetuese në Kuvend", tha Mustafa, pas votimit të kabinetit qeveritar.

(Kosova Sot)